Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A lejohet për gruan me menstruacione dhe lehonat të lexojnë Kur’an?

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: “Mexhmu’ Fetaua ibn Baz” 1/42-43

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “A është e lejueshme për gruan me menstruacione që ditën e Arafatit të lexojë ndonjë libër me lutje, duke pasur parasysh se në to mund të gjenden edhe ajete Kuranore?”

Përgjigje: “Nuk ka asnjë të keqe nëse gruaja me menstruacione apo në lehoni të lexojë libra, në të cilat ka dua dhe gjithashtu bëhet fjalë për ritualet e haxhit. Mendimi i saktë sipas asaj që ne mendojmë, është se nuk ka të keqe për të që të lexojë edhe nga Kurani. Nuk ka asnjë transmetim autentik dhe asnjë tekst të qartë që ndalohet leximi i Kur´anit për gruan me menstruacione apo lehonën. Ajo që është transmetuar ka të bëjë vetëm me personin i cili është xhunub. Ky person nuk duhet ta lexojë Kuranin në këtë gjendje. Kjo është bazuar në hadithin e Aliut (radijAllahu anhu), ndërsa sa për gratë me menstruacione ose me lehoni, është transmetuar hadithi i Ibnu Umerit (radijAllahu anhuma), i cili thotë:

لا تقرأ الحائض ولا الجنب شيئاً من القرآن

“Gruaja me menstruacione dhe personi xhunub të mos lexojnë asnjë pjesë nga Kur´ani.” 

Mirëpo, ky hadith është i dobët, transmetohet nga Isma’ili bin ‘Ajjash, e ky transmeton nga dikush prej banorëve të Hixhazit. Ky transmetues është i dobët kur ai transmeton prej banorëve të Hixhazit.

Prandaj, gruaja në gjendje të tilla mund të lexojë Kuran nga ajo që di përmendësh dhe pa e prekur Kuranin. Kurse personit i cili është xhunub, nuk i lejohet të lexojë Kuranin nga ajo që ai di përmendësh, e as ta prekë Mus’hafin derisa të pastrohet. Dallimi mes këtyre dy gjendjeve është se gjatësia e kohës për xhunubin është shumë e shkurtër, sepse ai mund të pastrohet menjëherë pasi të ketë pasur marrëdhënie seksuale. E nëse nuk ka ujë, ai gjithmonë mund të marr tejemum dhe pastaj fal namazin, ose lexon Kur´anin. Por sa i përket gruas me menstruacione apo lehonës, ajo nuk ka kontroll mbi gjatësinë e papastërtisë së saj, për shkak se kjo është vetëm në Dorën e Allahut (‘azze ue xhe)l.

Cikli menstrual dhe lehonia zgjasin me ditë të tëra. Prandaj, është e lejueshme për to që ta lexojnë Kuran në mënyrë që ato të mos e harrojnë nga ajo çfarë kanë mësuar përmendësh, të mos humbasin vlerën dhe se me leximin e tij ajo mund të mësojë gjykime të ndryshme të Sheriatit nga Libri i Allahut. Kjo nënkupton që edhe më parësore është që ajo të lexojë libra, në të cilat gjenden lutje nga ajetet e Kur´anit dhe nga Hadithet. Ky është mendimi i saktë i dijetarëve islam –Allahu i mëshiroftë- sipas asaj që ne mendojmë.”

Shpërndaje: