Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A lejohet që të punoj gruaja me tregti?

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/4110
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Islami nuk ndalon që gruaja të punoj apo të merret me tregti. Allahu (xhela ue ala) ka ligësuar për robërit e Tij që ata të punojnë, dhe i ka urdhëruar në këtë drejtim. Thotë Allahu:

“Thuaj: “Punoni, se Allahu, i dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj.” 9:105

Dhe thotë Allahu:

“…për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.” 67:2

Këto përfshijnë meshkujt dhe femrat. Pra, edhe tregtia është e ligjësuar për të dyja palët. Njeriu mund të bëj tregti e të jetë shkaktar që të përfitoj materialisht, pa e marrë parasysh se a është mashkull apo femër. Thotë Allahu:

“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm.” 4:29

Kjo përfshinë meshkujt dhe femrat. Dhe thotë Allahu:

“Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët nuk duhet të kundërshtojnë kurdo që të thirren. Mos e lini pa e shënuar borxhin, qoftë i vogël apo i madh, duke shënuar edhe afatin e pagimit. Kjo mënyrë është më e drejtë para Allahut, më e saktë për dëshmi dhe më e përshtatshme për të mos dyshuar. Por, nëse është fjala për mallin që qarkullon nga dora në dorë, atëherë nuk do të keni gjynah nëse nuk e shënoni atë.” 2:282

Edhe ky ajet është i njëjtë dhe përfshin meshkujt dhe femrat. Në këtë ajet, Allahut Te’ala urdhëron që të shkruhet borxhi dhe për këtë të dëshmojnë dy dëshmitarë.

Edhe pse, çështja e dëshmitarëve është diçka e përgjithshme e cila përfshinë edhe fusha të tjera, siç edhe tregon ajeti në vazhdim, në të cilin thuhet nënkuptohet se edhe në rast të shit-blerjes duhet të ketë dëshmitarë.

Pra, dëshmia dhe shkresa në borxh përfshinë meshkujt dhe femrat, dhe tregtia është e ligjësuar për të dyja palët. Që të dy dëshmojnë për tregtinë dhe shkrimin e saj. Mirëpo, nëse malli qarkullon dorë më dorë, atëherë nuk ka të keqe që të mos shkruhet kjo shitblerje.

Sepse, veprimet kryhen dhe nuk mbetet asgjë e hapur (për të prishur tregtinë). Kjo përfshinë meshkujt dhe femrat. Gjithashtu, kemi edhe argumente të shumta, ajete e hadithe të cilat përfshijnë që të dyja palët pa asnjë dallim.

Mirëpo, duhet pasur kujdes që gjatë marrjes me tregti, që përzierja në mes të gjinive të jetë e largët dhe larg çdo mundësie për të shkaktuar probleme dhe sjellje të dëmshme -fitne (të mos ketë përzierje nga afër). Pra, puna e saj duhet të mos jetë e atij lloji që të ketë përzierje me meshkuj dhe që ajo të mos shkaktoj fitne, duke pasur kujdes mbulesën dhe mbulimin e trupit.

Dhe në fund të fundit, këto janë detyra të saja në çdo fushë të jetës dhe jo vetëm në tregti. Thotë Allahu (subhaneh):

“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” 33:33

Dhe thotë Allahu (subhaneh):

“Kur të kërkoni prej tyre (grave të profetit) diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe zemrat e tyre.” 33:53

Gjithashtu, thotë Allahu (subhaneh):

“O profet! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre.”33:59

Nga kjo kuptohet që, nëse ajo punon me tregti në mesin e grave nuk ka asgjë të keqe, siç është edhe e njëjta gjë me meshkujt. Siç është edhe çështje a punëve (hallall dhe haram), ku një femër mund të jetë mjeke për femra, infermiere për femra, mësuese. Apo, mashkulli të jetë mjek për meshkuj, të jetë infermier apo mësues etj, nuk ka asgjë të keqe.

Mirëpo, që femra të jetë mjeke për mashkullin apo anasjelltas, apo infermiere për meshkuj dhe anasjelltas etj., kjo është diçka që nuk e lejon sheriati, dhe në të gjendet sprovë dhe prishje e shkatërrim i moralit.

Edhe pse një punë mund të jetë hallall në parim, ajo gjithashtu duhet nga forma që nuk ia cenon femrës fenë dhe nderin e saj, nuk është rrezik për prishjen e meshkujve. Pra, secila gjini duhet të ketë punët e veta të ndara nga gjinia tjetër, dhe vetëm kështu mund të ruhet pastërtia e shoqërisë.

Përjashtim nga kjo bën, ajo çfarë është e patjetërsueshme. Siç është mungesa e një mjeke për femrat, bën të detyrueshme që ajo të mjekohet tek një mjek apo anasjelltas, por që gjithnjë duhet pasur kujdes sjelljen brenda kufijve islam duke qëndruar larg shkaqeve që sjellin fitne apo të veçuarit me të etj.

Në rastet e tilla, bëhet e detyrueshme që femra t’i kryej punët e një mashkulli apo edhe e kundërta. Shembull tjetër është edhe, nëse një femër në treg shet produkte, apo nëse ajo falet në xhami etj., por gjithnjë duke iu përmbajtur rregullave të njohura në sheriatin islam.

Shembuj të tillë, kemi nga vetë vepra e Profetit salallahu alejhi ue selem, ku ai u kishte mbajtur ligjëratë grave, apo se i këshillonte ato në fjalimet e tij, ashtu siç e kishte zakon të vepronte edhe me meshkujt.

Ai i përgjigjej pyetjeve të tyre, iu jepte atyre këshillat e duhura, i mësonte, por gjithnjë duke pasur kujdes nga të gjitha shkaqet e fitneve e nga përzierjet.

Shpërndaje: