Faqja “Perlat Muslimane” është plotësisht e pastër nga sektarizmi fraksionar i devijuar nga rruga e drejtë e profetit Muhammed ﷺ dhe e distancuar nga të gjitha llojet e grupacioneve të shpikura apo të ideologjive të huaja të gabuara, të cilat bien në kundërshtim me brezat e parë të besimtarëve dhe dijetarëve të mëdhenj edukatorë.

Profeti Muhammed ﷺ ka thënë: 

”Njerëzit më të mirë janë brezi imë. Pastaj, ata që vijnë pas tyre. Pastaj, ata që vijnë pas tyre.” [Bukhari dhe Muslimi].

Faqja jonë është e bazuar tërësisht në Kuran dhe Sunnet sipas kuptimit të brezave të kaluar (Es-Selefus Salih), pikat kryesore në të cilat ne thërrasim janë:

SË PARI: TESFIJEH (Pastrim)

Që do të thotë: Pastrimin e besimit islam nga idetë, mendimet, rrymat, sektet, grupacionet dhe ideologjitë që janë përhapur në mesin e muslimanëve, në mënyrë që të gjithë të bashkohen në atë rrugë dhe metodologji rreth së cilës u bashkuan brezat e parë të muslimanëve.

Si rrjedhim, ne synojmë që të asgjësojmë dhe neutralizojmë mëkatet më të mëdha që bëhen ndaj Allahut të Lartmadhëruar sikurse janë:

IDHUJTARIA: që është adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut (shirku).

MOHIMI: që është mohimi dhe kundërshtimi i Allahut dhe i ligjeve të Islamit, (kufri).

BIDATET: Që janë shpikjet në fenë e Allahut pa argument fetar, qofshin ato prej besimeve, fjalëve apo veprave.

Faqja jonë nga ana tjetër synon gjithashtu edhe pastrimin nga pasimi i verbër i grupacioneve dhe i individëve të ndryshëm, ashtu sikundër kemi si pikësynim edhe pastrimin e trupit dhe shpirtit nga mëkatet e mëdhaja dhe të vogla për të bërë të mundur realizimin e qëllimit të krijimit që është: adhurimi i Allahut të Lartmadhëruar NJË të VETËM dhe largimi nga çdo gjë që e kundërshton këtë gjë, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartmadhëruar në Kuranin fisnik:

“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Gjithashtu Allahu i Lartësuar ka thënë: 

 ”Të gjithë kapuni fortë pas litarit të Allahut dhe mos u përçani.” [Al-Imran 3:103]

SË DYTI: Ne synojmë TERBIJEH (Edukimin)

Që do të thotë edukimin e muslimanëve, këshillimin dhe nxitjen e tyre për t’u pajisur dhe zbukuruar me moralet e larta të Islamit dhe virtytet fisnike që ka urdhëruar dhe porositur i dërguari i Allahut – profeti Muhammed ﷺ gjatë jetës së tij.

Vetëm duke realizuar këto qëllime dhe synime, muslimanët do të jenë në gjendje – nëse do Allahu – të arrijnë kënaqësinë e Allahut të Lartmadhëruar në të dy botët, sepse përndryshe ne përkujtojmë dhe këshillojmë vetët tona dhe të gjithë muslimanët me fjalën e Allahut të Lartmadhëruar, i Cili ka thënë në Kuranin madhështor:

”Dhe kush i kundërvihet të dërguarit, pasi që i është bërë e qartë atij e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë atë në rrugën që ai vetë e ka zgjedhur (në dunja) dhe pastaj e fusim atë në Xhehenem, e sa përfundim i keq është ai.” [An-Nisa’ 4:115]

Besimtarët e përmendur në këtë ajet janë profeti Muhammed ﷺ, sahabët (radijAllahu anhum) të cilët – siç e përmendëm më sipër –  janë brezi i parë i Selef-us-Salih. Kjo është ajo në të cilën ne thërrasim, ftojmë, këshillojmë, nxisim dhe urdhërojmë vetët tona, muslimanët dhe të gjithë njerëzit.

Artikujt në faqen tonë përkthehen vazhdimisht nga librat arabe, audio-kasetat dhe intervistat me dijetarët. Këto pastaj publikohen në faqe pa bërë censurime, montime apo manipulime. Disa shtesa mund të bëhen në formën e fusnotave ose të ngjashme, por kjo është diçka që sqarohet.

Përkthyesi nga gjuha suedeze, angleze dhe arabe “Valdet Gashi”, i cili gjithashtu është duke studiuar gjuhën arabe në Kairo dhe ndër kohë merr pjes në ligjëratat e dijetarit të nderuar shejkh Ebu Abdul-A’la Khalid Uthman el-Misri.