“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Agjërimi më i vështirë është agjërimi i përjetshëm

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan 

Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/%205829

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Agjërimi përfshin largimin nga dy faktorë:

1 – Atë që Allahu e ka lejuar si ushqimin, pijet dhe marrëdhëniet seksuale me gruan. Agjëruesi i braktis të gjitha këto për t’iu nënshtruar Allahut (azze ue xhel). Ky është agjërimi që do të thotë të përmbahesh nga ajo që Allahu e ka lejuar. Prandaj, Allahu (xhela ue ala) ka thënë:

”Ai ka braktisur dëshirat e tij dhe ushqimin e tij, dhe pijen e tij për hir Timin.”

2 – Atë që Allahu e ka ndaluar. Ky agjërim është i përjetshëm dhe nuk është i veçantë në Ramazan apo ndonjë muaj tjetër. Pra ai vlen gjithmonë. Gjatë tij njeriu përmbahet nga ushqimet e ndaluara, pijet e ndaluara, gënjeshtrat, shikimet e ndaluara dhe të dëgjuarit e ndaluar.

Ai që e braktis ushqimin, pijet dhe marrëdhënie seksuale me gruan e tij pa braktisur përgojimin, thashethemet, fjalët e këqija, shikimin e grave të huaja në televizion dhe në internet, dhe dëgjimin e përgojimeve, thashethemeve, muzikës, këngëve dhe instrumenteve, atëherë ky ka agjëruar në formën e shmangies së gjërave të lejueshme dhe jo edhe gjërave të ndaluara. Ai nuk shpërblehet për agjërimin e tij. Në qoftë se gjërat që përndryshe janë të lejuara si ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet seksuale gjatë agjërimit veprohen gjatë agjërimit atëherë agjërimi anulohet. Ai duhet të kompensohet. Atë që Allahu e ka ndaluar si përgojimi, thashethemet, shikimet e ndaluara dhe të dëgjuarit e ndaluar nuk e anulojnë agjërimin dhe agjërimi nuk duhet të kompensohet – por ato e anulojnë shpërblimin. Agjëruesi nuk do të shpërblehet për agjërimin e tij. Ai vetëm se do të mundohet prej tij pa asnjë dobi.

Disa nga selefët kanë thënë:

”Agjërimi më i lehtë është të shmangurit nga ushqimi dhe pijet.”

Disa njerëzve nuk u vjen vështirë nga të ndaluarit nga ushqimi, pijet dhe nga vepra tjera të dukshme. Megjithatë, ata e kanë vështirë që të mos shpifin, mos merren me thashetheme, fyerje dhe gënjeshtra. Kjo është një fatkeqësi e madhe.

Profeti ka thënë:

”Allahu nuk ka nevojë që njeriu të braktis ushqimin dhe pijet nëse ai nuk braktis mëkatet, gënjeshtrën dhe vepron sipas saj.”

Qëllimi nuk është thjeshtë vetëm për t’iu shmangur gjërave të lejuara gjatë agjërimit. Përveç kësaj duhet shmangur gjithashtu asaj që Allahu (subhanehu ue te ala) përndryshe ka ndaluar.

Shpërndaje: