Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 221-223
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Profeti ﷺ ka thënë:
“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, aroma e agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se sa aroma e miskut.”
Aroma e agjëruesit është një erë e keqe që del nga stomaku i zbrazët për shkak të agjërimit. Njerëzit në këtë botë ndiejnë shqetësim nga kjo erë. Nga ana tjetër ajo është me e dashur tek Allahut sesa era e miskut sepse ajo erë vjen nga bindja ndaj Tij dhe kërkimi i kënaqësisë së Tij. E njëjta gjë është edhe me dëshmorin i cili do të vijë në ditën e gjykimit duke i rrjedhur gjaku ndërsa i vjen era misk. Kjo është prova e dijetarëve të cilët e konsiderojnë të urryer ose jo të rekomanduar përdorimin e sivakut nga agjëruesi. Dijetari i parë që ne e dimë të ketë argumentuar në këtë mënyrë ishte A’ta bin Eni Rebah. E njëjta gjë është transmetuar nga Ebu Hurejra, por nuk është konfirmuar. Mirëpom në këtë çështje ka mosmarrëveshje tek dijetarët.
Kur themi se aroma e agjëruesit është më e dashur tek Allahu se sa aroma e miskut ka dy domethënie:
E para: Fakti se agjërimi është një gjë e fshehtë mes robit dhe Zotit të tij në jetën e kësaj bote, dhe se Allahu e shpall këtë në publik për krijesat tjera në ditën e gjykimit. Qëllimi i kësaj është që agjëruesit të njihen në mesin e të gjithë njerëzve të tjerë. Kjo do t’u jepet si shpërblim sepse ata fshehën agjërimin e tyre në këtë jetë.
Mekhul ka thënë: “Banorët e xhenetit do të ndjejnë një erë të mirë e do të thonë: “O Zot! Ne nuk kemi nuhatur ndonjë aromë më të këndshme se kjo prej që kemi hyrë në xhenet.” Atëherë do u thuhet: “Kjo është aroma që del nga gojët e agjëruesve.”
Është e mundur që aroma e agjëruesve të jetë e këndshme edhe në jetën e kësaj bote, ndërsa nuk perceptohet nga të tjerët deri në jetën e ahiretit. Kjo mund të bëhet në dy mënyra:
- Kjo perceptohet nga shqisat. Abdullah bin Ghalib ishte një prej adhuruesve të mëdhenj që e kalonte tërë kohën e tij me namaz dhe agjërim. Pasi që ishte varrosur ndihej era e miskut që dilte nga varri i tij. Ai është parë në një ëndërr dhe u pyet (gjatë ëndrrës) në lidhje me erën që del nga varri i tij.
Ai tha: “Kjo është aroma e leximit dhe agjërimit.”
- Aroma që perceptohet nga shpirtrat dhe zemrat. Kjo kërkon që besimtarët të fitojnë dashurin për agjëruesit e sinqertë.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Zekerija ﷺ u tha bijve të Izraelit: “Unë ju urdhëroj të agjëroni. Shembulli i agjëruesit është sikur i atij personi i cili me vete ka një qese misku në mesin e shumë njerëzve, të gjithë ata janë të ngazëllyer në miskun tij. Aroma e agjëruesit është sigurisht më e këndshme tek Allahu se sa aroma e miskut.” 1
Pasi që të sinqertët e adhuruan Zotin edhe në fshehtësi, Allahu ua zbuloi këtë sekret atyre përpara robërve të Tij. Ky publikim dhe kjo shfaqje e kësaj vepre është shpërblim për një adhurim i cili është kryer në fshehtësi.
Jusuf bin el-Esbat ka thënë: “Allahu (te ala) i shpalli njërit prej profetëve të Tij:
“Thuaju popullit tënd që ata të fshehin adhurimin që ma bëjnë Mua, e më pas unë do t’ua shfaqë atë adhurim të tjerëve.”
E dyta: Ai që e adhuron Allahun, i bindet Atij dhe kërkon kënaqësinë e Tij në këtë jetë qoftë edhe nëse njerëzit në këtë botë i konsiderojnë si veprime apo gjëra të urryera, le ta dijë se ato nuk janë të urryera tek Allahu. Në të vërtetë, Allahu i do ato veprime sepse ato janë rezultat i bindjes ndaj Tij dhe kërkimit të kënaqësisë së Tij.
Disa nga selefët kanë thënë: “Allahu i kishte premtuar Musait ﷺ se do të flet me të pas tridhjetë netëve. Ai kishte agjëruar tridhjetë ditë dhe më pas mendoi se era e gojës së tij ishte jo e mirë andaj edhe nuk deshi që të flet me Zotin e vet në atë gjendje dhe filloi të përdor një siuak. Pasi arriti në vendin e takimit me Allahun, Allahu i tha: “O Musa! A nuk e din se aroma e agjëruesit tek Ne është më e këndshme se misku? Kthehu prapa dhe agjëro edhe dhjetë ditë.” Në këtë mënyrë gjaku i dëshmorit është si aroma e miskut në ditën e gjykimit ndërsa pluhuri i muxhahidëve është era e njerëzve të xhenetit.”
1 Ebu Daudi, et-Tajalisi (5/159), et-Tirmidhi (2863), el-Hakim (1/117) dhe Ahmedi (931).