“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Arsyeja pse shejtani frikësohej nga Umeri

Imam Is’hak bin Ibrahim bin Muflih el-Makdisi el-Hanbeli 

Burimi: Masaibul-Insan min Makaidish-Shejtan, fq. 215-216

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

إِيهٍ ابْنَ الْخَطَّابِ ، وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ مَا لَقِيَكَ الشَّيْطَانُ قَطُّ سَالِكًا فَجًّا إِلا سَلَكَ غَيْرَ فَجِّكَ

“O Umer! Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, kur ti ecën në një rrugë, shejtani merr një rrugë tjetër.” 1

El-Kalabadi në “Bahrul-Feuaid” thotë: “Është e mundur që shejtani të kishte frikë nga Umeri dhe jo nga Profeti (salAllahu alejhi ue selem), ngase frika ndaj Profetit (salAllahu alejhi ue selem) nënkupton njërën nga këto dy gjëra: 

– respektin ndaj Profetit (salAllahu alejhi ue selem) në këtë rast, që është virtyt në vete, mirëpo shejtani është larg nga të gjitha virtytet,

– kishte frikë prej tij për shkak se mund ta ndëshkonte, kurse Profeti (salAllahu alejhi ue selem) nuk nxitohej për ta ndëshkuar shejtanin, për shkak se ai gjithnjë e ka neglizhuar atë dhe nuk i kushtonte rëndësi të madhe e as nuk kishte frikë nga fitnet e joshjet e tij.

Ndërsa, Umeri (radijAllahu anhu) kishte frikë se shejtani do t’i bënte fitne dhe do ta joshte atë, prandaj ai kishte inat kundër shejtanit. Kjo është arsyeja pse shejtani merrte rrugë tjetër nga ajo në të cilën ishte Umeri, pra për t’u ruajtur e larguar prej Umerit. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e injoroi shejtanin duke  e anashkaluar, nënçmuar dhe  duke e konsideruar si  asgjë.”

Ebu Hazim ka thënë: “Kush është shejtani që t’i frikësohemi atij?! Allahu nuk i ka sjell dobi atyre që i janë bindur atij dhe nuk i ka lënduar ata që e kanë sfiduar atë. Kur shejtani iu shfaq Amir bin Kajsit në formë të një gjarpri në vendin ku ai bënte sexhde, ai e largoi atë dhe i tha: “Betohem në Allahun se unë do të bëja sexhde mbi ty sikur ti të mos ishte i papastër.”

Pos kësaj, kjo dëshmon se thirrja e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) është universale dhe vlen për të gjithë, si: për xhinët, njerëzit dhe shejtanët, që janë përgjegjës për veprimet e tyre.

Ulja e shejtanit dhe dëgjimi i tij ndaj Profetit (salAllahu alejhi ue selem), e lëndoi shumë atë (shejtanin). Ulja e xhinëve dhe dëgjimi i tyre ndaj Profetit (salAllahu alejhi ue selem), dëshmon përsosmërinë e thirrjes dhe se thirrja e tij është universale. Ikja e shejtanit nga Umeri, dëshmon për përsosmërinë e Umerit.


1 Bukhariu dhe Muslimi

Shpërndaje: