Imam Muhammed bin Ali esh-Shaukani (v. 1250)
Burimi: Fet’h-ul-Kadir (1/359)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
وَلاَ يَحِلُّ لَهُنَّ أَن يَكْتُمْنَ مَا خَلَقَ اللّهُ فِي أَرْحَامِهِنَّ إِن كُنَّ يُؤْمِنَّ بِاللّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ
“Dhe nuk është e ligjshme për to që të fshehin çfarë ka krijuar Allahu në mitrat e tyre, nëse ato besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit.” 2:228
Është thënë se është për qëllim cikli menstrual. Një tjetër mendim thotë se është shtatzënia. Mendimi i tretë thotë të dyja së bashku.
Arsyeja e ndalimit të fshehjes së asaj që ka në mitër është se shkakton që në disa situata bashkëshorti të dëmtohet dhe t’i merren nga të drejtat e tij. Sepse nëse ajo duke gënjyer thotë se i ka ardhur cikli i saj menstrual, i merret e drejta e tij që ta kthejë atë (nëse e ka shkurorëzuar më parë). Dhe nëse ajo duke gënjyer thotë se asaj nuk i ka ardhur cikli i saj menstrual, ai duhet të vazhdojë ta furnizojë atë, gjë që e dëmton atë.
E njëjta vlen edhe për shtatzëninë. Ndoshta ajo e fsheh atë prej tij në mënyrë që ai të mos e kthej atë (pas ndarjes). Ndoshta ajo pretendon se është shtatzënë vetëm për t’u furnizuar. Kjo dhe motive të ngjashme bëjnë që burri të dëmtohet.
إِن كُنَّ يُؤْمِنَّ بِاللّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ
“… nëse ato besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit.”
Ky është një kërcënim serioz ndaj grave që fshehin atë që është në mitrat e tyre. Ajeti dëshmon se ajo që e bën këtë nuk e meriton të quhet “besimtare”.