Burimi: “Komisioni i Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva”, fetvaja nr.: 1/15645
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Kur isha në moshën e adoleshencës, kam braktisur disa namaze dhe disa namaze i kam falur pa abdes. Gjithashtu, kam braktisur agjërimin e disa ditëve të Ramazanit pa asnjë arsye të justifikueshme. Duhet pasur parasysh se, unë nuk kam braktisur këto namaze dhe agjërimin duke mohuar obligueshmërinë e tyre, por kjo ka ndodhur për shkak të shokëve të mi jo të mirë. Mirëpo, tani jam penduar sinqerisht tek Allahu dhe kam vendosur që të mos kthehem në veprimet e tilla. Çfarë duhet të bëj, a duhet t’i kompensoj këto namaze dhe këtë agjërim, duke pasur parasysh se unë nuk e di se sa namaze nuk i kam falur dhe as nuk i di ditët të cilat nuk i kam agjëruar?”
Përgjigje: “Tani e tutje ti duhet të jesh i sinqertë në pendimin tënd, të jesh i kujdesshëm ndaj namazit dhe agjërimit të Ramazanit. Ndërsa nuk je i obliguar për kompensimin e këtyre namazeve dhe as këtij agjërimi të humbur. Ngase, fjala më e saktë e dijetarëve është se, ai që e lë namazin qëllimisht veçse ka bërë kufr të madh. I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
بين العبد وبين الكفر ترك الصلاة
“Ndërmjet robit dhe mosbesimit është lënia e namazit.”
Këtë hadith e transmeton Muslimi. Gjithashtu, ka edhe argumente të tjera që dëshmojnë këtë gjë. Ndërsa, pendimi i sinqertë është ai që i fshin mëkatet e mëhershme.”