Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Çfarë do të thotë: “Ndarja e drejtësisë mes grave”?

Imam Muhamed bin Isma’il es-San’ani 

Burimi: Bedhlul-Meuxhud,  fq. 278-279
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlat-muslimane.com

Allahu (tabarak ue te ala) ka thënë:

وَلَن تَسْتَطِيعُواْ أَن تَعْدِلُواْ بَيْنَ النِّسَاء وَلَوْ حَرَصْتُمْ

“Ju nuk do të mund të silleni drejt midis grave tuaja, edhe sikur të dëshironi.” 4:129

Transmeton Ibnul-Mundhiri se, Abdullah Ibn Mesudi (radijAllahu anhuma) i cili këtë ajet e kishte interpretuar duke thënë: “Ky ajet e ka për qëllim pasjen e marrëdhënieve intime.

Kjo dëshmon se burri duhet të ketë marrëdhënie intime me të gjitha gratë e tij. Ndërsa është e pamundur që burri të ketë marrëdhënie intime me të gjitha gratë në mënyrë të barabartë. Dhe për këtë Allahu nuk e merr  në përgjegjësi robin. Por, kjo nuk do të thotë se burri mund të lë anash nga marrëdhëniet seksuale ndonjërën nga gratë e tij. Profeti ﷺ i ndante netët në mes të grave të tij dhe arsyetohej tek Allahu duke thënë:

اللهم هذه قسمتي فيما أملك فلا تلمني فيما تملك ولا أملك

“O Allahu im, kjo është ndarja ime sipas asaj që kam mundësi, andaj mos më merr në përgjegjësi për atë që vetëm ti e ke në dorë dhe unë nuk mundem ta bëj.” [1]

Transmetohet nga të katërtit[1] dhe kjo është autentik sipas Ibn Hibanit.

Ky hadith ka për qëllim “dashurinë”. Profeti ﷺ e donte Aishen më shumë se gratë e tjera. Është e njohur përgjithësisht se, sa më shumë të ketë marrëdhënie intime mes qiftit, aq më e madhe aq më e madhe është dashuria mes tyre. Megjithëkëtë, profeti ﷺ kishte marrëdhënie intime me të gjitha gratë e tij. Ndonjëherë ai bënte marrëdhënie me të gjitha gratë e tij në të njëjtën natë dhe vetëm me një gusël. Ndonjëherë ai pastrohej tek secila grua pasi kishte marrëdhënie intime me to. Askush nuk mund t’i jepte të drejtat grave të tij, ashtu siç bënte i dërguari i Allahut ﷺ.

Kështu ishin edhe shokët e tij, të cilët ishin më se të drejtë me gratë e tyre. Ibn Ebi Shejbe, ‘Abd bin Humejd dhe Ibnul-Mundhir transmetuan se Muxhahidi ka thënë: “Ata -sahabët- rekomandonin të qenit i njëjtë ndaj të gjitha grave. Kur parfumoheshin për një grua e bënin të njëjtën gjë edhe për gruan e dytë.”

Gjithashtu, ata të tre transmetuan se Xhabir bin Zejd ka thënë: “Unë kisha dy gra dhe i puthja që të dyja në mënyrë të barabartë.”
Transmeton Ibn Ebi Shejbe se Muhamed bin Sirini në lidhje me burrin i cili ka dy gra kishte thënë: “Është e urryer që burri të pastrohet vetëm tek njëra grua e jo edhe tek tjetra.”


[1] Tirmidhi (1140), Ebu Davudi (2134), Nesai (8891), Ibn Maxheh (1971), Ahmedi (6/144) dhe Darimiu (2253). Ibn Ebi Hatim ka thënë: “Mursel”. (El-‘Ilel (1279)).

Shpërndaje: