Imam Zejnudin bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Et-Takhuifu minen-Nar, fq. 186-187
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu (‘Azze ue Xhel) ka thënë:
كَلَّا لَيُنبَذَنَّ فِي الْحُطَمَةِ {4} وَمَا أَدْرَاكَ مَا الْحُطَمَةُ {5} نَارُ اللَّهِ الْمُوقَدَةُ {6} الَّتِي تَطَّلِعُ عَلَى الْأَفْئِدَةِ
“Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në torturën shkatërruese. E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura shkatërruese? Ajo është zjarri i Allahut i ndezur fort, i cili depërton deri në zemrën e njeriut.” 1
Muhamed bin Ka’b el-Kurajdhij ka thënë: “Zjarri do ta hajë tërë trupin e njeriut, deri sa t’i afrohet zemrës. E kur t’i afrohet zemrës, i krijohet një trup i ri.”
Thabit el-Bunani ka thënë: “Zjarri do t’i djegë ata deri tek zemrat e tyre, ndërsa ata janë të gjallë. Kështu do të dënohen.” Pastaj, filloi të qajë.
Allahu (‘Azze ue Xhel) ka thënë:
وَمَا أَدْرَاكَ مَا سَقَرُ {27} لَا تُبْقِي وَلَا تَذَرُ {28} لَوَّاحَةٌ لِّلْبَشَرِ
“E si mund ta dish ti tamam se çfarë është Sekari (zjarri përvëlues)? Ai nuk lë gjë dhe nuk kursen asgjë, lëkurat i shkrumbon.” 2
Në lidhje me këto ajete, Ibn Burdeh ka thënë: “Ky zjarr ha gjithçka, kockat, mishin dhe trurin.”
Es-Sudi ka thënë: “Zjarri nuk do të lerë asnjë pjesë nga lëkurat e tyre, e ndëshkimi i tyre nuk do të përfundojë me kaq.”
Ebu Sinani: “Zjarri nuk do ta ndalojë ndëshkimin e tyre, ngase ata do të krijohen prapë.”
Ebu Razin, në lidhje me fjalët e Allahut: “Ai nuk lë gjë dhe nuk kursen asgjë, lëkurat i shkrumbon”, thotë: “Ajo do t’i djegë fytyrat e të dënuarve dhe do t’i bëjë ato më të zeza se nata.”
Allahu (Azze ue Xhel) ka thënë:
كَلَّا إِنَّهَا لَظَى {15} نَزَّاعَةً لِّلشَّوَى
“Por jo, (fajtori do të hidhet në zjarr)! Ai është zjarr flakërues, që e shkul (dhe e djeg)krejtësisht skalpin e kokës.” 3
Katade ka thënë: “Ajo djeg gjithçka dhe do të mbetet vetëm zemra.”
Ibn Zejd ka thënë: “Ajo i thyen kockat e tyre. Pastaj, atyre u jepet një formë tjetër dhe lëkura të reja.”
Muxhahid ka thënë: “Ky zjarr do djegë lëkurën.” Dhe në një transmetim tjetër, thotë: “Ai do djeg mishin, por jo kockat.”
1 El-Humezah 104:4-7
2 El-Muddethir 74:27-29
3 El-Mearixh 70:15-16