Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Dallimi mes muxhizes dhe kerametit- Es-Sa’di

Imam Abdurr-Rrahman bin Nasir Es-Sa’di (v. 1376)
Et-Tenbihat Latife Fima Ehteuat Alejhi El-Uasitijeh, fq.124
Pëektheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ibn Tejmijeh tha: “Një nga parimet e Ehli Sunetit dhe Xhematit është besimi në ekzistencën e kerameteve – ngjarje të jashtëzakonshme, jashtë rregullit të zakonshëm – të cilat Allahu ua jep eulijave të Tij. Këto keramate shfaqen në forma të ndryshme: si dhënie e dijes së veçantë, si fuqi e jashtëzakonshme, si ndihmë hyjnore, apo si ngjarje që kanë pasoja dhe efekte reale, ashtu siç kanë ndodhur në umetet e mëparshme – ndër to edhe ato që përmenden në suren El-Kehf dhe po ashtu në këtë umet, që nga sahabët, tebiinët dhe brezat që i pasuan ata, e deri në ditën e kiametit.”

Janë të shumta tekstet nga Kurani dhe Suneti që tregojnë për ndodhinë e këtyre kerameteve, qoftë tek popujt e mëparshëm, qoftë tek brezat e mëvonshëm. Këto janë keramate të cilat Allahu ua ka dhënë eulijave të Tij për shkak të pasimit të sinqertë që ata u kanë bërë të dërguarve të Tij. Dhe vërtet, nga pohimi i këtyre kerameteve përfitohen tre rregulla themelore:

1-Më e madhja prej këtyre rregullave është se kerametet janë dëshmi e qartë e fuqisë së përsosur të Allahut dhe se çdo gjë ndodh sipas dëshirës së Tij. Allahu, ashtu siç ka vendosur rrugë dhe shkaqe të të cilat kërkojnë mjete dhe veprime për realizimin e tyre, qoftë nga ana sheriatike apo nga ana universale (kaderije), po ashtu Ai krijon edhe shkaqe të tjera të cilat mendja e njeriut nuk mund t’i perceptojë, dhe të cilat as puna e tij dhe as përpjekjet e tij nuk mund t’i arrijnë.

Dhe muxhizet (mrekullitë) që Allahu ua ka dhënë të dërguarve të Tij, kerametet që ua ka dhënë eulijave të Tij, si dhe ndëshkimet e jashtëzakonshme që Ai ua ka dërguar armiqve të Tij, ngjarje që janë jashtë natyrës së zakonshme të gjërave, siç është ndëshkimi i popullit të Nuhut me përmbytjen e madhe – tregojnë qartë se e gjithë çështja i përket Allahut, caktimit të Tij, gjykimit të Tij dhe vullnetit të Tij, dhe se njëkohësisht Allahu ka rrugë dhe shkaqe të tjera për të cilat askush prej njerëzve nuk ka dijeni dhe të cilat askush përveç Tij nuk mund t’i posedojë. Prej kësaj kategorie është edhe ndodhia e banorëve të shpellës të cilët Allahu i vuri në gjumë për një periudhë kohore tepër të gjatë dhe krijoi shkaqe të ndryshme që ata ta ruanin fenë e tyre, ndërkohë që trupat e tyre mbetën të paprekur, ashtu siç na ka lajmëruar Allahu në Kuran për ngjarjen e tyre.

“Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. Ali Imran, 3-37

Po ashtu kur ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalin e saj, Isain, dhe po ashtu kur ai foli që në djep, në këtë ka keramet që iu dha Merjemes dhe muxhize që iu dha Isait -alejhi selam-.

Në të njëjtën mënyrë në rastin e Ibrahimit -alejhi selam- dhe gruas së tij, Sarës, e cila ishte në moshë të shtyrë dhe nuk mund të mbetej shtatzënë, Allahu u dhuroi atyre fëmijë. Po ashtu edhe në rastin e Zekerijas -alejhi selam- kur Allahu i dhuroi atij fëmijë, Jahjan, ndonëse Zekerija ishte i moshuar dhe gruaja e tij nuk mund të mbetej shtatzënë. Edhe në këtë rast kemi muxhize që i është dhënë një të dërguari dhe keramet që i është dhënë gruas së tij.

Vetë autori (Ibn Tejmijeh) është zgjeruar gjerësisht në këtë çështje në librin e tij: “Dallimi mes eulijave (miqve) të Rrahmanit dhe eulijave (miqve) të shejtanit”, ku ka përmendur raste dhe ndodhi të shumta që lidhen me këtë temë.

2 – Ndodhia e këtyre kerameteve tek eulijatë e Allahut, në realitet nuk është gjë tjetër vetëm se pasojë e muxhizeve të profetëve, pasi këto keramete janë begati që vijnë si pasojë e pasimit të profetëve dhe mirësitë që fitohen si rezultat i pasimit të profetëve janë të shumta dhe prej këtyre mirësive janë dhe kerametet.

Këto keramete që Allahu u dhuron eulijave të Tij janë një lajm i mirë dhe përgëzim i shpejtë (myzhde) që Allahu u jep atyre që në këtë botë, ashtu siç thotë i Lartësuari:

“Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën.” Junus, 10:64

Dhe siç kanë thënë disa prej mufesirëve, këtu përfshihet çdo shenjë që tregon se ata janë eulijatë të Allahut dhe se do të kenë përfundim të mirë. Në këtë kategori hyjnë edhe kerametet që Ai u dhuron atyre. Këto keramate do të ndodhin vazhdimisht dhe do të jenë prezente në çdo kohë. Njerëzit i kanë parë këto gjëra të jashtëzakonshme dhe këto fenomene të shumta në natyrë të cilat askush nuk mund t’i mohojë përveç zindikëve në mesin e filozofëve. Kjo nuk duhet të çuditë pasi është vetëm një aspekt i mohimit dhe i përgënjeshtrimit të Zotit të gjithësisë, si dhe i gjykimit dhe vendimit që Ai ka caktuar.

Gjithashtu një grup i ehlul-kelamit i mohoi ndodhinë e kerameteve duke menduar gabimisht se po të pohojnë praninë e tyre, kjo do të zhvlerësonte muxhizet e të dërguarve të Allahut. Ky është një mendim i kotë dhe i pavlefshëm, pavlefshmërinë e të cilit e ka treguar qartë autori, Ibn Tejmijeh në librin e tij “En-Nubuat”, dhe po ashtu edhe në libra të tjerë përveç këtij.

Pra Ehlus-Sunneh Uel-Xhemah i pranojnë kerametet që Allahu u jep eulijave të Tij duke i pohuar ato qoftë në mënyrë të përgjithshme, qoftë në mënyrë të detajuar ashtu siç na janë transmetuar nga ai që nuk gabon, nga i dërguari i Allahut -alejhi salatu ue selam-, duke pohuar ndodhinë e tyre ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë.

Por në mesin e njerëzve kanë hyrë çështje të shpikura, gënjeshtra dhe mashtrime me të cilat njerëzit e thjeshtë janë mashtruar dhe manipuluar duke menduar se këto janë prej kerameteve. Në të vërtetë, ato janë vetëm mashtrime dhe gjëra të pavërteta.

Ndërsa njerëzit e sunnetit janë ata që janë më larg besimit në këto mashtrime, gënjeshtra dhe shpifje, dhe ata i njohin rrugët dhe mënyrat përmes të cilave bëhet e qartë e vërteta dhe shpifjet e mashtruesve.

Shpërndaje: