Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Fikhul-Ibadat, fq. 449-450.
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Është kusht që kurbani të theret në vendin e personit ku ai jeton. I dërguari i Allahut ﷺ sakrifikonte kafshët e tij në qytetin e tij dhe në mesin e shokëve të tij. Kafshët u dërguan në vendin e faljes ku edhe i therën. Kështu vepronte për t’i treguar njerëzve mënyrën e kryerjes së këtij adhurimi ndaj Allahut -azze ue xhel-. Dërgimi i parave për të therë kurban në vende të largëta, do thotë të çrrënjoset ky adhurim dhe të humbet në mesin e muslimanëve. Nëse njerëzit dërgojnë kurbanet e tyre në vende të tjera, mënyra se si prehet nuk do jetë e qartë dhe banorët e vendit do jenë të privuar padrejtësisht nga therja e kurbanit me duart e tyre sepse ky veprim është një nga adhurimet ndaj Allahut.
Përveç kësaj, ka edhe gjëra të tjera:
1 – Therja e kafshës nga kasapi, ndërsa prej sunnetit është që kafshën ta therësh vet. Profeti ﷺ kështu vepronte.
2 – Privimi nga të ngrënit e mishit të kurbanit, ndërsa e kundërta e kësaj është sunnet. Profeti ﷺ urdhëroi të hamë nga mishi i tij. Ngjashëm, Allahu urdhëroi këtë kur Ai tha:
“Pastaj hani prej tyre dhe ushqeni me të edhe nevojtarin e të varfrin.” 22:28
Me anë të këtij ajeti urdhërohemi të hamë nga mishi i kurbanit për t’u afruar më afër Allahut. Kur profeti ﷺ
sakrifikoi njëqind deve gjatë Haxhit Lamtumirës, ai theri personalisht 63 prej tyre. Pastaj i tha Aliut -radijAllahu anhu- që t’i therë të tjerat dhe të shpërndajë mishin e tyre. Por para se gjithash, ai urdhëroi të marrin një pjesë të mishit nga çdo deve dhe të vihet në një enë. Pasi u përgatit mishi, profeti ﷺ piu edhe supën e saj. Kjo dëshmon se ne duhet t’i japim rëndësi të ngrënit prej mishit të kurbanit.
Është e lejueshme që dikush tjetër të therë kafshën e kurbanit, me kusht që therja të bëhet në shtëpinë e tij, ose të paktën në vendbanimin e tij, të cilën ai e dëshmon dhe ha prej saj. Në këtë mënyrë, rituali fetar do të jetë i qartë.
Përveç kësaj, ne e dimë se qëllimi i therjes nuk është vetëm mishi. Allahu -azze ue xhel- ka thënë:
“Tek Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por tek Ai arrin përkushtimi juaj.” 22:37
Profeti ﷺ ka thënë për atë i cili theri para namazit të Bajramit:
“Ky është vetëm mish që ai i ka dhënë familjes së tij.”
Transmeton Bukhari (5560) dhe Muslimi (1961).
Ai i tha Ebu Burdas -radijAllahu anhu-:
“Qengji juaj është vetëm mish.”
Transmeton Bukhari (5556) dhe Muslimi (1961).
Pra, profeti ﷺ bëri dallim mes kurbanit dhe mishit. Përveç kësaj, dijetarët thonë se në qoftë se ju do dhuroni mishin e njëqind deveve të prera, ajo nuk do zëvendësojë mishin e një qengji kurban. Kjo dëshmon se kurbani është një vepër me të cilën njeriu afrohet tek Allahut, e më pas vjen në rend shfrytëzimi i mishit.