Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Derisa të bashkohemi në lidhje me shikimin e hënës së re

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Tamam-ul-Minneh, fq. 398
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

I dërguari i Allahut ka thënë:

Agjëroni kur e shihni atë (hënën) dhe ndërpriteni agjërimin kur ta shihni atë, e nëse keni pengesë nga retë atëherë plotësoni muajin Sha’ban tridhjetë ditë.” Bukhari (1907) dhe Muslimi (1080).

Unë nuk e di se çfarë e shtyu autorin të zgjidhte një mendim të çuditshëm dhe të injoronte përgjithësimin e këtij hadithi autentik, sidomos duke pasur parasysh shumicën që pasojnë këtë hadith. Këtë e tha autori vetë. Këtë mendim gjithashtu kanë dijetarët e tillë si Shejkh-ul-Islam Ibn Tejmijeh1, esh-Sheukani2 dhe Sidik Hasan Khan3 dhe ky është mendimi i vetëm i vërtetë.

Kjo nuk kundërshtohet nga hadithi i Ibn Abbasit -radijAllahu anhuma- për shkak të disa arsyeve siç e ka përmendur esh-Sheukani. Ndoshta arsyeja më e fortë që hadithi i Ibn Abbasit ka për qëllim personin që agjëron sipas shikimit të hënës në vendin e tij dhe pastaj gjatë Ramazanit e mëson se në vendin ku ka ardhur filluan të agjëronin një ditë më parë. Ky duhet të vazhdojë të agjërojë sipas agjërimit të vendit të tij dhe të plotësojë 30 ditë. Kështu paqartësia largohet, ndërsa hadithi i Ebu Hurejrës dhe i të tjerëve mbeten të përgjithshme dhe përfshijnë të gjithë ata që mësojnë se hëna e re është parë pavarësisht nga vendi, kontinenti apo distanca. Kështu tha Ibnu Tejmijeh5. Sot kjo është e lehtë por kërkon që vendet Islamike të kujdesen pak për ta bërë atë një realitet.

Derisa vendet Islamike të bien dakord për këtë, unë mendoj se të gjithë njerëzit duhet të agjërojnë me vendet e tyre përkatëse dhe se njerëzit në një vend të mos ndahen ku një grup agjëron me një vend dhe një grup tjetër agjëron me një vend tjetër. Kjo vetëm se shkakton një mosmarrëveshje më të madhe mes një populli. Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në disa vende arabe qysh prej kohësh.


1 Mexhmu-ul-Fataua (25).

2 Nejl-ul-Autar.

3 er-Raudhah en-Nadijjeh (1/224).

4 Muslimi transmetoi se Ummul Fadl e dërgoi robin e saj Kurejbin te Muauijeh në Sham. Kurejbi thotë: Shkova në Sham (Damask) dhe e kreva punën e saj, Ramazani filloi ndërsa unë isha atje dhe e pashë hënën e re natën e së premtes, pastaj erdha në Medine në fund të muajit. Abdullah ibn Abbasi më pyeti në lidhje me hënën e re dhe më tha: Kur e patë hënën? I thashë: E pashë natën e së premtes. Më tha ti e ke parë? I thashë Po, madje e panë edhe të tjerët dhe filluan agjërimin, dhe gjithashtu edhe Muauijeh. Ai më tha: Mirëpo ne e kemi parë natën e së shtunës dhe vazhdojmë të agjërojmë derisa të plotësojmë 30 ditë ose të shohim hënën e re. I thashë: A nuk të mjafton shikimi i hënës së re nga Muauijeh dhe se ai filloi agjërimin? Tha: Jo, Kështu na ka urdhëruar i dërguari i Allahut 4.” Muslimi (1087).

5 Mexhmu-ul-Fataua (25/107).

Shpërndaje: