Imam Muhamed El-Amin Esh-Shenkiti (v. 1393)
Edua-ul-Bejan (2/420)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ajo që vërteton atë që përmenda më parë rreth disa prej sufive të njohur për mirësi, drejtësi dhe përkushtim në fe, janë fjalët e Shejkh Ebul-Kasim El-Xhunejd bin Muhamed El-Khazaz El-Kauariri -rahimehullah-, i cili ka thënë:
“Drejtimi ynë është i bazuar në Kuran dhe sunnet.”
Kjo është transmetuar nga Ibn Kethiri, Ibn Hallikani dhe të tjerë që kanë shkruar për jetën e tij. Fjala e tij është e saktë: urdhrat dhe ndalesat në fe nuk mund të vijnë nga askush tjetër përveç të dërguarit ﷺ.
Duke u bazuar në këtë, bëhet e qartë se veprimet e Khidrit ﷺ – si prishja e anijes, vrasja e djaloshit dhe deklarata e tij:
“Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim.” El-Kehf, 18:82
janë dëshmi të qarta për profetësinë e tij. Sipas komentuesit të njohur Fakhr Er-Rrazi, shumica e dijetarëve kanë këtë mendim.
Këtë e përforcon edhe sjellja e butë dhe e përulur e Musait ﷺ ndaj Khidrit ﷺ, kur Musai ﷺ i tha:
“A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” El-Kehf, 18:66
“(Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” El-Kehf, 18:69
Ndërsa Khidri ﷺ i tha:
“E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë?” El-Kehf, 18:68
Këto elemente tregojnë qartë se Khidri ﷺ ishte i ndriçuar me dije që buronte nga shpallja hyjnore, dhe se ai nuk ishte thjesht një njeri i drejtë por ishte profet.