Imam Ali bin Ala-id-Din bin Ebil-‘Izz El-Hanefi (v. 792)
Sherhul-Akidetit-Tahauijjeh, 2/485-487
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kur bëhet fjala për të dëshmuar nëse një person është kafir dhe nëse ai do të dënohet me xhehenem, ne nuk e bëjmë këtë kurrë. Të gjykuarit dikë në këtë mënyrë konsiderohet padrejtësia më e madhe ndaj dikujt. Pra se Allahu nuk do t’ia falë mëkatet, se nuk do ta mëshirojë ose se do ta fusë në xhehenem përgjithmonë, etj. Të tilla gjykime i takojnë vetëm Allahut pas vdekjes së personit.
Ebu Daudi transmeton në Sunenin e tij, në kapitullin “Edukata”, nënkapitullin “Ndalimi i padrejtësisë”:
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Ishin dy burra nga Beni Israilët, të afërt me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre bënte vazhdimisht mëkate, ndërsa tjetri ishte i përkushtuar në adhurim.
Sa herë që adhuruesi e shihte tjetrin duke mëkatuar, i thoshte: “Ndalohu!”
Një ditë e pa duke bërë mëkat dhe i tha përsëri: “Ndalohu nga ky mëkat!”
Ai ia ktheu: “Më lër rehat! A mos je dërguar mbikëqyrës mbi mua?”
Atëherë adhuruesi tha: “Pasha Allahun, Allahu nuk do të të falë.”
Ose i tha (nuk i kujtohet saktë transmetuesit): “Pasha Allahun, Allahu nuk do të të fusë në xhenet.”
Kur vdiqën dhe u paraqitën para Allahut, Allahu i tha adhuruesit: “A e dije ti atë që është në dorën Time, apo kishe pushtet mbi atë që veproj Unë?”
Ndërsa mëkatarit i tha: “Shko dhe hyr në xhenet me mëshirën Time.”
E për tjetrin tha: “Merreni dhe futeni në zjarr.”
Transmeton Ebu Daudi (4901).
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tha: “Ai tha një fjalë që ia shkatërroi dynjanë dhe ahiretin.”
Ka mundësi që personi për të cilin po gjykohet të ketë gabuar në gjykimin e tij, duke u mbështetur në mendimin e vet, dhe ky gabim të jetë i falshëm. Po ashtu është e mundur që e vërteta e mbështetur në argumentet e Kuranit dhe sunnetit të mos i ketë arritur atij. Ndërkohë, ai mund të ketë iman të madh dhe vepra të mira, të cilat bëhen shkak për mëshirën e Allahut ndaj tij, ashtu siç Allahu e mëshiroi njeriun që u la porosi bijve të tij që ta digjnin pas vdekjes.1
Nëse fjala ose veprimi është kufr, atëherë ai është kufr por personi që e ka thënë ose vepruar ka bërë kufr vetëm pasi plotësohen disa kushte dhe largohen pengesat që e pengojnë këtë gjë. Përndryshe nuk mund të konsiderohet kafir një njeri që shfaq Islamin përveç nëse është mynafik-zindik (dyfytyrësh, i dalë nga feja). Këtë e pohon edhe Kurani.
Allahu i ndan njerëzit në tre grupe:
1 – Kufarë – qofshin ata pasues të librave të mëhershëm apo të feve të tjera, këta janë ata të cilët nuk shqiptojnë shahadetin.
2 – Besimtarët e sinqertë – nga brenda dhe jashtë.
3 – Ata që shfaqin Islamin jashtë por nuk e kanë brenda.
Këto tre kategori përmenden në fillim të sures El-Bekarah.
Çdo person që ka bërë kufr (me dashje) por shqipton shahadetin, konsiderohet zindik dhe zindiku është mynafik.
Nëse ti bën tekfir mbi personin që shpik diçka në fe që nuk është prej saj, atëherë detyrimisht do të duhet të bësh tekfir edhe mbi një person i cili në parim nuk është mynafik por në realitet ai e do Allahun dhe të dërguarin e Tij, beson në Allahun dhe të dërguarin e Tij edhe pse është mëkatar.
Siç transmetohet hadithi në Sahihun e Bukharit nga Umeri -radijAllahu anhu- se një njeri i cili quhej Abdullah ndërsa llagapin e kishte Hamar, kishte zakon ta bënte të qeshte të dërguarin e Allahut ﷺ.
Ndërsa i dërguari i Allahut ﷺe kishte dënuar atë me rrahje për shkak të pirjes së alkoolit.
Një ditë kur e sollën përsëri për të njëjtin veprim, njëri prej të pranishmëve tha: “Allahu e mallkoftë! Sa shpesh që po sillet për të njëjtin veprim!”
I dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Mos e mallko atë sepse ai në të vërtetë e do Allahun dhe të dërguarin e Tij.”
Transmeton Bukhari (6870).
1Transmeton Bukhari (3481), (7506) dhe Muslimi (2756).