Imam Ali bin Ala-id-Din bin Ebil-´Izz el-Hanefi (v. 792)
Burimi: “Sherhul-‘Akidetit-Tahauijjeh”, 2/485-487
Përgatiti: www.perlat-muslimane.com
Kur jemi tek dëshmia ndaj dikujt se a është ai jobesimtarë, dhe se a do të dënohet personi i tillë me Xhehenem, themi se, këtë gjë ne nuk e bëjmë në asnjë mënyrë. Veprimi i tillë konsiderohet padrejtësia më e madhe ndaj dikujt, pra, që të dëshmohet për dikë në fjalë se Allahu nuk do ia falë atij mëkatet, se Allahu nuk do ta mëshiroj, se Allahu do ta fus atë në Xhehenem përgjithmonë etj. Këto gjykime i takojnë atij jobesimtarit pas vdekjes.
Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij, në kapitullin mbi “Edukatën” nënkapitullin “Ndalimi i padrejtësisë”, nga Ebu Hurajra radijallahu anhu, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
كان رجلان في بني إسرائيل متواخيين فكان أحدهما يذنب والآخر مجتهد في العبادة فكان لا يزال المجتهد يرى الآخر على الذنب فيقول أقصر فوجده يوما على ذنب فقال له أقصر فقال خلني وربي أبعثت علي رقيبا فقال والله لا يغفر الله لك أو لا يدخلك الله الجنة فقبض أرواحهما فاجتمعا عند رب العالمين فقال لهذا المجتهد أكنت بي عالما أو كنت على ما في يدي قادرا وقال للمذنب اذهب فادخل الجنة برحمتي وقال للآخر اذهبوا به إلى النار
“Ishin dy njerëz nga beni israilët, të afërt e vëllezër me njëri tjetrin. Njëri prej tyre ishte mëkatar i vazhdueshëm, kurse tjetri i përkushtuar ndaj adhurimeve. Çdoherë kur adhuruesi i përkushtuar e shihte mëkatarin duke bërë mëkate, i thoshte të ndalohej. Një herë prej herësh, kur e pa atë dukë mëkatuar, i tha atij “Ndalohu nga mëkati!” Kurse ai ia ktheu: “Më lej rehat, mos u merr me mua dhe Zotin tim! A mos je dërguar mbikëqyrës imi?!” Ai ia ktheu: “Pasha Allahun, Allahu nuk do të të fal ty.” Ose: “Pasha Allahun, Allahu nuk do të të fus në Xhenet.” Pasi që vdiqën, ata dolën para Allahut, dhe Ai i tha adhuruesit: “A ke ditur atë që Unë e kam në dorën time, apo a ke ditur atë që Unë do të veproj?!” Ndërsa mëkatarit i tha: “Shko e futu në Xhenet me mëshirën Time!” Ndërsa në lidhje me tjetrin i tha (engjëjve): “Futeni në Zjarr”.”[1]
Ka mundësi që njeri për të cilin po gjykohet, ka mundësi të ketë gjykuar nga mendja e tij gabimisht, e të cilit mund t’i falet kjo, ose ndoshta mund të mos i ketë arritur e vërteta e mbështetur në argumentet e Kuranit dhe Sunnetit; ndërsa në anën tjetër të ketë iman të madh dhe vepra të mira, të cilat ia sjellin atij mëshirën e Allahut, sikurse Allahu e mëshiroi personin i cili kërkoi nga bijtë e tij që ta djegin pas vdekjes [2].
Pastaj, nëse fjala e tillë është kufr (mosbesim), themi se ajo është kufr ndërsa ai që e ka thënë atë fjalë (apo e ka bërë atë vepër (v.p.)) ka bërë kufr pas plotësimit të disa kushteve dhe largimit të pengesave që e pengojnë këtë gjë. Gjithashtu, kjo nuk mund të ndodhë përveç nëse personi i tillë bëhet munafik-zindik (dyfytyrësh-i dalë nga feja). Përndryshe, nuk mund të paramendohet se një njeri i cili e shfaq islamin të konsiderohet kafir (jobesimtarë), përveç nëse është munafik-zindik (dyfytyrësh-i dalë nga feja). Këtë gjë e dëshmon edhe Kurani.
Allahu i ndan njerëzit (për nga çështja e besimit) në tre grupe: 1) Jobesimtarë. Qofshin ata nga pasuesit e librave të mëhershme apo pasues të feve të tjera. Këta janë ata të cilët nuk e shqiptojnë fare shehadetin. 2) Besimtarë për nga ana e jashtme dhe nga ana e brendshme. Dhe 3) Ata të cilët e kanë pranuar islamin për nga ana e jashtme (ashtu shfaqen) ndërsa për nga ana e brendshme nuk e kanë pranuar. Që të tria kategoritë janë përmendur në fillim të sures el-Bekarah. Secili njeri i cili ka bërë kufr me ndonjë gjë, kurse në anën tjetër shqipton shehadetin, ai nuk është tjetër përveçse zindik dhe zindiku është mynafik.
Nëse ti bën tekfir mbi personin i cili shpik diçka në fe që nuk është prej saj, atëherë ti detyrohesh të bësh tekfir mbi personin i cili parimisht nuk është munafik, por në realitet ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të cilët e besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij edhe pse ai është mëkatarë. Siç transmetohet hadithi në Sahihun e Buhariut nga Umeri radijallahu anhu se, një njeri i cili quhej Abdullah ndërsa llagapin e kishte Hamar, e kishte zakon që ta bënte të qesh të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem. Ndërsa, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem e kishte dënuar me rrahje për shkak të pirjes së alkoolit. Dhe, një ditë prej ditësh, kur përsëri e sollën atë për të njëjtin veprim, njëri që ishte prezent tha: “Allahu e mallkoftë! Sa shpesh që po sillet për të njëjtin veprim!” Në atë rast, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem tha:
لا تلعنه ، فإنه يحب الله و رسوله
“Mos e mallko atë, ngase ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”
______________________________________________________________________
[1] Ebu Davudi (4901) dhe zinxhiri i tij është i mirë (hasen).
[2] Buhariu (3481) dhe (7506) dhe Muslimi (2756).
[3] Buhariu (6870).