Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Dhjetë ditët e Dhul-Hixhes

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/17194
Përgatiti dhe shkurtoi: www.perlatmuslimane.com

Kur jemi tek dhjetë ditët e Dhul-Hixhes dhe kemi të bëjmë me agjërimin e këtyre ditëve, në realitet këto janë nëntë ditë të cilat duhet agjëruar, ngase dita e dhjetë e Dhul-Hixhes është dita e Kurban-Bajramit. Kjo është me konsensus të dijetarëve Islam. Dita e fundit e këtyre nëntë ditëve, është dita e Arafatit.

Agjërimi i këtyre ditëve është veprim i rekomandueshëm dhe një prej adhurimeve të lavdëruar. Transmetohet se i dërguari i Allahut ﷺ i agjëronte këto ditë dhe thoshte:

“Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira të jenë më të dashura tek Allahu sesa gjatë këtyre dhjetë ditëve (të para të Dhul-Hixhes).”

Sahabët thanë: “O i dërguar i Allahut, as lufta në rrugë të Allahut?”

Ai ﷺ tha: “As lufta në rrugë të Allahut, përveç atij i cili del në luftë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.”

Transmeton Bukhari (969).

Në këto dhjetë ditë është e preferuar përmendja e Allahut sa më shumë, bërja tekbir, leximi i Kuranit, dhënia e sadakasë etj. Këto janë veprime që janë të preferuara në dhjetë ditët, ndërsa agjërimi siç edhe e theksuam nuk është i ligjësuar deri në ditën e dhjetë, por deri në ditën e nëntë.

Tri ditët pas bajramit quhen ditët e teshrikut. Pra, e kam fjalën për ditën e njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë dhe trembëdhjetë të Dhul-Hixhes, për të cilat i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Ditët e Teshrikut, janë ditë të ngrënies dhe pirjes, janë ditë të përmendjes së Allahut azze ue xhel.”

Ndryshe, këto quhen edhe ditët e bajramit. Pra Kurban Bajrami ka katër ditë, për dallim nga Fitër-Bajrami i cili ka vetëm një ditë. 

Gjithashtu nuk ka të keqe në rast se agjërohen vetëm disa ditë nga këto nëntë ditë në të cilat është i preferuar agjërimi. Por duhet ditur se agjërimi i ditës së Arafatit është më specifik ndaj ditëve të tjera. 

I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: 

“Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj që Allahu të mi fal mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.”

Nuk ka dyshim se kjo është një ditë e madhe, dhe është e preferuar për ata të cilët nuk janë në haxh që të agjërojnë.

Shpërndaje: