Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Uelid et-Tartushi (v. 520)
Burimi: Birrul-Ualidejn, fq. 22-35
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu (te ala) ka thënë:
وَوَصَّيْنَا الْإِنسَانَ بِوَالِدَيْهِ حَمَلَتْهُ أُمُّهُ وَهْنًا عَلَى وَهْنٍ وَفِصَالُهُ فِي عَامَيْنِ أَنِ اشْكُرْ لِي وَلِوَالِدَيْكَ إِلَيَّ الْمَصِيرُ وَإِن جَاهَدَاكَ عَلى أَن تُشْرِكَ بِي مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ فَلَا تُطِعْهُمَا وَصَاحِبْهُمَا فِي الدُّنْيَا مَعْرُوفًا
“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri.” 31:14-15
وَقَضَى رَبُّكَ أَلاَّ تَعْبُدُواْ إِلاَّ إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا إِمَّا يَبْلُغَنَّ عِندَكَ الْكِبَرَ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلاَهُمَا فَلاَ تَقُل لَّهُمَآ أُفٍّ وَلاَ تَنْهَرْهُمَا وَقُل لَّهُمَا قَوْلاً كَرِيمًا وَاخْفِضْ لَهُمَا جَنَاحَ الذُّلِّ مِنَ الرَّحْمَةِ وَقُل رَّبِّ ارْحَمْهُمَا كَمَا رَبَّيَانِي صَغِيرًا
“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni askënd e asgjë veç Atij, dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” 17:23-24
Ka transmetuar Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi se Abdullah bin Mes’udi (radijAllahu anhu) ka thënë: “E pyeta të dërguarin (salAllahu alejhi ue selem) se cilat vepra Allahu (Te ala) i do më së shumti, e ai u përgjigj: “Namazi në kohën e tij.” I thashë: “Pastaj cila?” Ai u përgjigj: “Respekti ndaj prindërve.” I thashë: “Pastaj cila?” Ai u përgjigj: “Lufta për hir të Allahut.” Po ta kisha pyetur ende, ai kishte vazhduar të përgjigjej.”
Ebu Hurejra ka thënë: “Një njeri erdhi dhe tha: “O i dërguari i Allahut! Kush ka të drejtë më së shumti për shoqërimin tim?” Ai u përgjigj: “Nëna jote.” Ai e pyeti: “Pastaj kush?” Ai u përgjigj: “Nëna jote.” Ai e pyeti: “Pastaj kush?” Ai u përgjigj: “Nëna jote.” Njeriu pyeti: “Pastaj kush?” Ai u përgjigj: “Babai yt.”
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ligjësoi që tre të katërtat e përkushtimit dhe bindjes të jenë ndaj nënës, ndërsa një e katërta ndaj babait.
Ai që diskuton jo siç duhet me babanë e vet dhe e trajton atë pa respekt në prani të gjyqtarëve e dijetarëve, duke e paditur atë për ndonjë gjë të caktuar, ai si i tillë është i pabindur ndaj tij.
Abdullah bin Amr ka thënë: “Një njeri erdhi tek i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) për të kërkuar lejen e tij që të shkonte në luftë. Ai tha: “A i ke prindërit gjallë?”
Ai u përgjigj: “Po.” Pastaj profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Lufto me ta atëherë (sillu mirë ndaj tyre)!”
Ibn Umeri (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë për të fjetur. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe e mbylli plotësisht hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpëtimi nga ky shkëmb vjen vetëm nëse e lusim Allahun e Madhërishëm për hir të veprave tona të mira që ta largojë atë.” Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë nuk u kam dhënë të hanë e as të pinë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve) para tyre. Një ditë më argëtoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time e nuk u erdha me kohë, prandaj ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla, por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t’i trazoj, por nuk doja që ta ushqejë familjen dhe shërbëtorët para tyre, prandaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty tek këmbët e mia klithnin të uritur, por unë u dhashë qumësht vetëm pasi u zgjuan prindërit. Ata e pinë qumështin të cilin ua kisha sjellë. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty e për askënd tjetër, atëherë na largo neve këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo edhe aq sa të mund të dilnin.” Buhariu (2215) dhe Muslimi (2743)
Ebu Hurejra ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Fëmija nuk mund t’i del haku babait të tij, përveç nëse e gjen atë të skllavëruar, e blen dhe e liron atë.” Muslimi (1510).
Ky është shpërblimi i tij sepse skllavi nuk është ekzistues edhe pse ai është i gjallë, ngase gjithë kohën e tij e shpenzon duke i shërbyer pronarit të vet. Përveç kësaj, ai është i privuar nga të drejtat e personit të lirë në lidhje me pronësinë, martesën, dëshminë, kujdestarinë, etj. Kur ai të lirohet, atëherë ka të drejtë për të gjitha këto. Prandaj, ai i cili e liron atë, e bëri të ekzistojë në të njëjtën mënyrë si fëmija që ishte joekzistues ndërsa këtë e arriti përmes babait të tij. Prandaj, lirimi është dhurata më e madhe që mund t’ia japësh një personi tjetër.
Ebu Bekrah ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“A t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha? Ata u përgjigjën: “Po, o i dërguari i Allahut.” Ai tha: “Të adhuruarit dikë përpos Allahut, mosbindja ndaj prindërve…” Profeti u ul pasi që ishte i shtrirë dhe tha: “të dëshmuarit rrejshëm, të dëshmuarit rrejshëm, të dëshmuarit rrejshëm…” Ebu Bakrah tha: “Ai përsëriti atë aq shumë sa që ne thamë se ai nuk e kishte mendjen të ndalej.” Buhariu (4/48) dhe Muslimi (87)
Esma bint Ebi Bekër (radijAllahu anhuma ka thënë: “Në kohën e profetit (salAllahu alejhi ue selem) nëna ime erdhi tek unë dhe ajo ishte pagane. Unë i thashë: “Nëna ime ka ardhur për të më vizituar mua dhe ajo dëshiron që të kontaktojë me mua.” Ai tha: “Kontakto me të.” Buhariu (2620) dhe Muslimi (1003)
Buhari transmeton se Xhubejr bin Mut’im ka treguar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Nuk do të hyjë në Xhenet ai që i shkëput lidhjet farefisnore.”
Enesi radijallahu anhu transmeton se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Ai që dëshiron furnizim më të madh dhe jetë më të gjatë, duhet t’i mbajë lidhjet farefisnore.” Buhariu (2067) dhe Muslimi (2557)
Ebu Ejub el-Ensari radijAllahu anhu ka treguar se një njeri kishte thënë: “O i dërguari i Allahut! Më trego në lidhje me një vepër e cila më fut mua në Xhenet.” Ai (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Adhuroje Allahun dhe mos i bëj shirk Atij, fale namazin, jepe zekatin dhe ruaji lidhjet farefisnore.” Buhariu (1396) dhe Muslimi (13)
Ebu Hurejra ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) e puthi Hasanin dhe Huseinin duke qenë i pranishëm el-Akra bin Habis. Pastaj el-Akra tha: “Unë i kam dhjetë fëmijë dhe kurrë nuk e kam puthur ndonjërin prej tyre.” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Ai i cili nuk mëshiron, nuk mëshirohet.” Buhariu (5997) dhe Muslimi (2318)
Ibn Umeri ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Sjellja më e mirë është lidhja e mirë me të dashurit e të atit pas vdekjes së tij.” Muslimi (2552)
Rrugës për në Mekë Ibn Umeri e takoi një beduin. Ai i dha atij gomarin mbi të cilin ishte hipur dhe çallmën e tij të cilën e kishte vënë mbi kokë. Iu tha Ibn Umerit: “Beduinët kënaqen me më pak se kaq.” Ibn Umeri tha: “Umeri e donte babanë e beduinit dhe gjyshi i tij ishte mik i Umerit. Kam dëgjuar profetin (salAllahu alejhi ue selem) të thotë: “Sjellja më e mirë është lidhja e mirë me të dashurit e të atit pas vdekjes së tij.” Muslimi (2552)
Ebut-Tufejl ka thënë: “E pashë se si një grua erdhi tek profeti (salAllahu alejhi ue selem), ai salAllahu alejhi ue selem hoqi rrobën e tij nga pjesa e epërme e trupit dhe e shtroi, në mënyrë që ajo të ulej mbi të. Unë pyeta se kush ishte kjo grua, ata më thanë: “Kjo është gruaja e cila më ka mëkuar.”
Ebu Umer en-Nexhafi ka thënë: “Një njeri erdhi tek profeti (salAllahu alejhi ue selem) dhe i tha: “O i dërguari i Allahut! Më trego në lidhje me një vepër që më afron tek Allahu.” Ai u përgjigj: “A ke baba dhe nënë?” Ai u përgjigj: “Po.” Atëherë profeti (salAllahu alejhi ue selem) i tha: “Është e mjaftueshme me ca vepra nëse njeriu është respektues ndaj prindërve.” Buhariu (5972)
Ebu Sa’id el-Hudrij ka treguar se një njeri shkoi tek Profeti salallahu alejhi ue selem për ta pyetur në lidhje me luftën. Profeti e pyeti: “A ke nënë?” Ai u përgjigj: “Po.” Ai salallahu alejhi ue selem tha: “Qëndro me të. Xheneti gjendet nën këmbët e saj.” Ahmedi (3/429), Nesaiu (6/11), Ibn Maxheh (2781), Abdurr-Rrezak (5/176) dhe Hakimi (2/104) i cili tha se është autentik dhe Dhehebiu u pajtua me të.
Një njeri erdhi tek Profeti salallahu alejhi ue selem për t’iu besatuar për emigrim, dhe i tha: “Nuk kam ardhur tek ti vetëm pasi i bëra prindërit e mi të qajnë.” Pastaj profeti salAllahu alejhi ue selem i tha: “Kthehu tek ata dhe bëji të qeshin, ashtusiç i ke bërë të qajnë.” Ebu Davudi (2530), Ahmedi (3/75), Hakimi (3/103) dhe Bejhekiu (3/26)
Ebu Davudi transmeton nga Ibn Umeri, i cili ka thënë: “Unë kam pasur një grua të cilën e kam dashur por Umeri e urrente. Ai më tha: “Ndahu prej saj!” Unë refuzova. Pastaj Umeri shkoi tek profeti salallahu alejhi ue selem dhe i tregoi atij se çfarë kishte ndodhur. Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Ndahu prej saj!” Ebu Davudi (5138), Tirmidhiu (1/223) i cili gjithashtu thotë se hadithi është i mirë dhe autentik dhe Hakimi (2/197) i cili thotë se hadithi është autentik, ndërsa Dhehebiu u pajtua me të.