Shejkh Ali bin Nasir el-Fakihi
Burimi: Parathënia e librit ”Kitabul-Imameh”, fq. 119
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Mehdiu për të cilin i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) na dha myzhde se do të vij para kiametit për ta mbushur tokën me drejtësi pasi të jetë mbushur me padrejtësi dhe ligësi, kjo ende nuk ka ndodhur. Ndërsa Mehdiu imagjinar i Shiave gjendet në një shpellë edhe tani; siç thonë ata! Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) ka treguar se i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Nëse do të kishte mbetur vetëm një ditë nga kjo botë, Allahu do ta kishte zgjatur atë ditë derisa ta dërgonte një njeri nga umeti im (në një transmetim thuhet: nga familja ime), emri i të cilit është sikurse emri im dhe emri i babait të cilit është sikurse emri i babait tim. Ai do ta mbushë tokën me drejtësi dhe mirësi ashtu siç ishte e mbushur me padrejtësi dhe ligësi.”
Hadithi është autentik sipas Ibnu Tejmijes në “Minhexhus-Sunneh”. Imam Albani ka thënë në “Mishkatul-Mesabih” se zinxhiri i tij i transmetimit është i mirë!
Ky hadith dëshmon qartë se Mehdiu i shpikur i Shiave nuk është fare i njëjti me Mehdiun për të cilin i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) na paralajmëroi. Sepse i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “…emri i të cilit është sikurse emri im dhe emri i babait të cilit është sikurse emri i babait tim…”
I dërguari (salAllahu alejhi ue selem) quhej Muhamed dhe emri i babait të tij ishte Abdullah. Mehdiu i Shiave gjithashtu quhet Muhamed por i ati i tij quhet Hasan. Kështu që, bie pretendimi i Shiave Imamije se i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) përgëzoi për ardhjen e Mehdiut të tyre. Ai përgëzoi për një Mehdi i cili nuk ekziston ende dhe i cili do të vijë në fund të kohës para se të ndodh kiameti, shtatë vjet para se të zbres Isai (alejhis-selam).