Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Disa këshilla të dobishme në lidhje me Coronavirusin nga shejkh Abdurr-Rrezak el-Bedr

Shejkh Abdurr-Razzak bin Abdil-Muhsin el-Abbad

Burimi:

فيروس-كورونا-الجديد-فيروس-الصين“>https://ar.islamway.net/article/80439/%D9%81%D9%8A%D8%B1%D9%88%D8%B3-%D9%83%D9%88%D8%B1%D9%88%D9%86%D8%A7-%D8%A7%D9%84%D8%AC%D8%AF%D9%8A%D8%AF-%D9%81%D9%8A%D8%B1%D9%88%D8%B3-%D8%A7%D9%84%D8%B5%D9%8A%D9%86

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Çdo gjë ndodh me dëshirën e Allahut

Këto ditë në bisedat dhe uljet ndërmjet njerëzve po flitet shumë për një sëmundje së cilës njerëzit i frikësohen shumë dhe tmerrohen nga përhapja e saj dhe infektimi me të. Disa janë konfuzë, disa bëjnë shaka, disa sqarojnë dhe janë dashamirës ndërsa të tjerë kanë axhenda të tjera. Pavarësisht nga kjo, është obligim për muslimanin që në çdo gjendje dhe në çdo kohë, në çdo  fatkeqësi e bela, t’i përmbahet fesë së Allahut (xhele ue ala) dhe t’i trajtojë dhe t’i diskutojë temat përkatëse në bazë të dispozitave të përcaktuara sheriatike duke iu frikësuar Allahut (xhele ue ala) dhe duke qenë i bindur se Ai e shikon atë. Më poshtë vijojnë gjashtë pika të rëndësishme që luajnë një rol të madh në situatën aktuale:

1 – Pika e parë: Pavarësisht se çfarë i ndodhë muslimanit, ai e ka obligim t’i përmbahet fesë së Allahut (xhele ue ala), t’i mbështetet Atij duke besuar se gjithçka është në dorën e Tij:

مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ إِلَّا بِإِذْنِ اللَّهِ وَمَن يُؤْمِن بِاللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ وَاللَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

“Asnjë fatkeqësi nuk bie mbi ju veçse me lejen e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.” 64:11

Gjithçka është në dorën e Allahut; ajo që Ai dëshiron ajo do të ndodhë dhe ajo që Ai nuk dëshiron, nuk do të ndodhë – dhe nuk të mbron vetëm se Ai:

قُلْ أَفَرَأَيْتُم مَّا تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّهِ إِنْ أَرَادَنِيَ اللَّهُ بِضُرٍّ هَلْ هُنَّ كَاشِفَاتُ ضُرِّهِ أَوْ أَرَادَنِي بِرَحْمَةٍ هَلْ هُنَّ مُمْسِكَاتُ رَحْمَتِهِ

“Thuaju: ”Më thoni pra, për idhujt që i luteni përveç Allahut, nëse Allahu më godet mua me ndonjë të keqe, a mund ta largojnë ata atë të keqe?! Po nëse Ai dëshiron të më mëshirojë, a mund ta pengojnë ata mëshirën e Tij?! 33:17

إِنْ أَرَادَنِيَ اللَّهُ بِضُرٍّ هَلْ هُنَّ كَاشِفَاتُ ضُرِّهِ أَوْ أَرَادَنِي بِرَحْمَةٍ هَلْ هُنَّ مُمْسِكَاتُ رَحْمَتِهِ

“Nëse Allahu dëshiron të më godasë mua me ndonjë të keqe, a do të mund ata ta largonin këtë të keqe? Dhe nëse Ai dëshiron të më dhurojë ndonjë mirësi, a do të mund ata ta pengonin mëshirën e Tij?” 39:38

مَا يَفْتَحِ اللَّهُ لِلنَّاسِ مِن رَّحْمَةٍ فَلَا مُمْسِكَ لَهَا وَمَا يُمْسِكْ فَلَا مُرْسِلَ لَهُ مِن بَعْدِهِ

“Atë mirësi që Allahu ua dhuron njerëzve nga mëshira e Tij nuk ka kush që mund ta pengojë dhe atë që Ai e ndalë nuk mund t’ia japë askush përveç Tij…” 35:2

Dhe në hadith:

Dije se sikur të gjithë njerëzit të mblidhen për të të bërë mirë, nuk do të munden të bëjnë më shumë se çfarë ka caktuar Allahu për ty. Dhe sikur të gjithë njerëzit të mblidhen për të të bërë dëm, nuk do të munden të bëjnë më shumë se çfarë ka caktuar Allahu për ty. Tashmë penat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”

Transmeton Ahmedi (1/307) dhe et-Tirmidhi (2516) i cili tha: ”Hadithi është i mirë dhe autentik.”

Dhe në hadithin tjetër: “Allahu shkroi përcaktimet e krijesave 50,000 vite para se të krijonte qiejt dhe tokën.”

Transmeton Muslimi (2653).

Në hadithin tjetër: “Gjëja e parë që Allahu krijoi ishte pena dhe Ai i tha: ”Shkruaj!” Pena tha: “Çfarë të shkruaj?” Ai i tha: ”Shkruaj përcaktimin e gjithçkaje deri në ditën e gjykimit!

Transmeton Ebu Daudi (4700) dhe et-Tirmidhi (2155). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami´” (2017).

Prandaj çdo musliman është i obliguar që çështjen e tij t’ia dorëzojë vetëm Allahut, duke shpresuar, duke qenë i bindur dhe duke qenë i mbështetur plotësisht vetëm tek Ai. Muslimani nuk duhet të shpresojë që mirëqenia, shërimi dhe siguria e tij të vijë nga dikush tjetër përveç Zotit (tebarake ue te ala). Fatkeqësitë dhe belatë e bëjnë atë që të kërkojë shpëtimin vetëm se tek Allahu dhe njëkohësisht e bëjnë atë që t’i përmbahet akoma dhe më shumë fesë së Allahut.

. وَمَن يَعْتَصِم بِاللّهِ فَقَدْ هُدِيَ إِلَى صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ

“Dhe kush i përmbahet fesë së Allahut, ai padyshim është i udhëzuar në rrugën e drejtë.” 3:101

Jeto sipas Islamit

2 – Çdo musliman është i obliguar që t’i bindet urdhrave të Allahut dhe t’i largohet ndalesave të Tij. Profeti ﷺ në porosinë e tij i tha Ibn Abbasit (radijAllahu anhuma):

“Ruaje Allahun (duke iu bindur), dhe Ai do të ruajë ty! Ruaje Allahun dhe ke për ta gjetur përpara (në ndihmën tënde)!”2

Zbatimi i urdhrave të Allahut dhe largimi nga ndalesat e Tij është sebep për të fituar sigurinë dhe mbrojtjen e Allahut si në këtë botë ashtu dhe në ahiret, sepse besimtarin nëse e godet ndonjë fatkeqësi apo nëse dëmtohet me diçka, ai ngrihet në gradë tek Allahu. Profeti ynë ﷺ ka thënë për këtë:

“Për tu çuditur është gjendja e besimtarit dhe në të vërtetë e gjithë çështja e tij është vetëm se hajr (mirësi). Dhe kjo nuk ndodh vetëm se për besimtarin. Nëse ai përjeton diçka të mirë, ai falënderon Allahun dhe kjo gjë është e mirë për të. Dhe nëse ai përjeton diçka të keqe, ai duron dhe kjo gjë është e mirë për të.

Transmeton Muslimi (2999).

Pra besimtari si në mirësi e në rehati ashtu dhe në vështirësi nuk përjeton vetëm se hajr, prandaj i dërguari i Allahut ﷺ tha: Kjo nuk ndodh vetëm se për besimtarin.

Praktikoje mjekimin Islam

3 – Me të vërtetë Sheriati Islam ka ardhur me marrjen e shkaqeve dhe përdorimin e ilaçeve. Ndërsa mjekimi nuk bie në kundërshtim me mbështetjen tek Allahu (subhanehu ue te ala). Sheriati Islam gjithashtu na tregon për dy lloje të ilaçeve:

Njëri lloj i mjekimit dhe i trajtimit, është ai që ka për qëllim parandalimin e sëmundjeve dhe lloji tjetër është ai që mjekon dhe trajton sëmundjen pasi ajo të jetë shfaqur. Kushdo që lexon “et-Tib en-Nebeui” të Ibn-ul-Kajimit (rahimehullah) e kupton se çfarë ilaçi të mrekullueshëm ofron legjislacioni Islam. Si mjekim parandalues mund të përmendim hadithin ku profeti ﷺ ka thënë:

“Kush ha shtatë hurma axhuah në mëngjes, atë ditë nuk do të dëmtohet nga helmimi apo magjia.”

Transmeton el-Bukhari (5445) dhe Muslimi (2047).

Në hadithin e transmetuar nga Uthman ibn Afani radijAllahu anhu, i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Nuk ka rob që thotë tri herë në mëngjes dhe në mbrëmje:

بِسْمِ اللهِ الَّذِي لاَ يَضُرُّ مَعَ اسْمِهِ شَيء في الأرْضِ وَلاَ في السَّمَاءِ وَهُوَ السَّمِيعُ العَلِيمُ

Kërkoj ndihmë me emrin e Allahut, me përmendjen e të Cilit nuk të dëmton asgjë në tokë dhe as në qiell! Dhe Ai është Dëgjuesi dhe i Gjithëdituri.”

asgjë nuk mund ta dëmtojë atë.”

Njëkohësisht profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që lexon natën dy ajetet e fundit të sures “el-Bekare”, këto do të mjaftojnë për të.”

D.m.th do të mjaftojnë kundër gjithçkaje të keqe dhe të dëmshme.

Në hadithin e transmetuar nga Abdullah bin Khubejb (radijAllahu anhu), ai thotë:

“Ne dolëm në një natë me shi dhe tepër të errët për të kërkuar profetinﷺ që të na printe në namaz. Kur u takova me të, ai tha: “Thuaj”. Unë nuk thashë asgjë.” Ai   tha: “Thuaj.” Unë nuk thashë asgjë. Ai tha: “Thuaj.” Unë i thashë: “O i dërguar i Allahut! Çfarë të them?” Ai tha: ” Thuaj: Allahu është Një (suren Ikhlas), suren Felek dhe Nas, tre herë në mëngjes e tre herë në mbrëmje, kjo do të mjaftojë si mbrojtje nga gjithçka.”

Dhe ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Abdullah ibn Umeri se profeti ﷺ nuk i braktiste këto lutje kur fillonte mbrëmja dhe mëngjesi:

اللهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الْعَافِيَةَ فِي الدُّنْيَا والآخِرَةِ اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الْعَفْوَ والْعَافِيَةَ في دِيني ودُنْيَايَ وأَهْلِي وَمَالِي اللَّهُمَّ اسْتُرْ عَوْرَاتِي وآمِنْ رَوْعَاتِي اللَّهُمَّ احْفَظنِي بَيْنَ يَدَيَّ وَمِنْ خَلْفِي وَعَنْ يَمِيني وَعَنْ شِمَالِي وَمِنْ فَوْقِي وَأَعُوذُ بِعَظَمَتِكَ أَنْ أُغْتَالَ مِنْ تَحْتِي

“O Allah! Të lutem Ty që të më japësh mirëqënie si në dynja ashtu dhe në Ahiret. O Allah! Të lutem Ty që të më falësh dhe të më japësh mirëqenie në fenë time dhe në dynjanë time, në familjen time dhe në pasurinë time. O Allah! Mi mbulo mangësitë e rrëshqitjet e mia dhe më jep siguri nga gjërat e frikshme. O Allah! Më mbro nga përpara, nga mbrapa, nga e djathta, nga e majta dhe nga lart. Unë kërkoj mbrojtje nga Ti me Madhështinë Tënde nga ndëshkimi që mund të më vijë nga poshtë meje1.” 

Kjo është një lutje e dobishme dhe gjithëpërfshirëse me anë të së cilës robi kërkon mbrojtje të plotë në çdo aspekt.

Sa i përket ilaçeve me qëllimin e trajtimit, janë transmetuar këshilla dhe udhëzime të shkëlqyera nga profeti ﷺ. Mund t’i referoheni librit të Ibn-ul-Kajimit (rahimehullah) “Zad-ul-Ma’ad”.

Mos përhap thashetheme të kota

4 – Muslimani është i obliguar të mos kërcejë në valën e thashethemeve të rreme. Në raste si kjo disa njerëz zakonisht përhapin thashetheme të cilat nuk janë të vërteta dhe nuk kanë asnjë bazë. Ata në këtë mënyrë shpërndajnë frikë, tmerr dhe dëshpërim të pabazë midis njerëzve. Prandaj muslimani nuk duhet të përfshihet në të tilla gjëra pasi kjo bie ndesh me besimin e vërtetë, sigurinë dhe mbështetjen e plotë tek Allahu (xhele ue ala).

Duro dhe bëji hamd Allahut

5 – Muslimani i cili goditet me një fatkeqësi qoftë në shëndetin e tij, në familjen e tij, në fëmijët e tij, në pasurinë apo tregtinë e tij, apo të ngjashme me këto, nëse duron dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, kjo do të jetë për të ngritje në gradë tek Allahu (xhela ue ala).

Allahu (te ala) ka thënë:

وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوفْ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الأَمَوَالِ وَالأنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ الَّذِينَ إِذَا أَصَابَتْهُم مُّصِيبَةٌ قَالُواْ إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعونَ أُولَئِكَ عَلَيْهِمْ صَلَوَاتٌ مِّن رَّبِّهِمْ وَرَحْمَةٌ وَأُولَئِكَ هُمُ الْمُهْتَدُونَ

“Sigurisht që Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!El-Bekare, 2:155-157

Allahu (tebarak ue te ala) e sprovon robin e Tij për ta dëgjuar atë duke iu lutur Atij, duke iu përulur Atij, duke duruar dhe duke qenë i kënaqur me atë që Allahu ka caktuar për të. Allahu (subhaneh) e sheh fatkeqësinë e robit të Tij kur e sprovon atë dhe Ai di gjithçka kështu që nuk mund t’i fshihet asgjë madje as një shikim me bisht të syrit dhe as ajo që fshihet në kraharorë. Çdo rob të Tij do ta shpërblejë sipas asaj që robi i Tij ka pasur për qëllim dhe nijet. Për këtë arsye i godituri me ndonjë fatkeqësi qoftë kjo sëmundje apo humbje e pasurisë duhet të presë shpërblimin e Allahut dhe të jetë i durueshëm dhe i përmbajtur për të fituar shpërblimin e durimtarëve, ndërsa ai që nuk është sprovuar me fatkeqësi, duhet të falënderojë Allahun në mënyrë që të fitojë shpërblimin e mirënjohësve.

Fatkeqësia më e madhe është ajo fetare

6 – Fatkeqësia më e madhe është ajo fetare. Kjo fatkeqësi është më madhe se çdo fatkeqësi e kësaj bote dhe botës tjetër dhe kjo është humbja përfundimtare. Kur muslimani i goditur me fatkeqësi në shëndetin e tij apo pasurinë e tij e kujton këtë gjë, ai e falënderon Allahun që e ka ruajtur të sigurt dhe të shëndoshë në fenë e tij.

El Bejhaki ka transmetuar në ’’Shuab el-Iman’’ se El-Kadi Shurejh (rahimehullah) ka thënë:

“Kur goditem me ndonjë fatkeqësi e falënderoj Allahun për këtë fatkeqësi katër herë:

1 – E falënderoj për shkak se kjo fatkeqësi mund të ishte më e madhe se kaq.

2 – E falënderoj që më dhuroi durim që ta përballoj.

3 – E falënderoj që më dha sukses të them: “Të Allahut jemi  dhe tek Ai do të kthehemi” duke shpresuar marrjen e shpërblimit.

4 – E falënderoj që nuk lejoi që kjo fatkeqësi të ishte në fenë time.”

E lus Allahun që të na ruajë të gjithëve dhe të na sigurojë në fe dhe në dynja, në familjet tona dhe pasuritë tona. Vërtet Ai është Dëgjuesi që u përgjigjet lutjeve tona.


1 Uaki ka thënë: “Kjo do të thotë, me rrëshqitje të dheut.”

2 Hadithi i plotë është:

“Ibn Abbasi -radijAllahu anhu- ka thënë: Një ditë, ndërsa isha mbrapa të të dërguarit të Allahut ﷺ më tha: 

“Ruaje Allahun (duke iu bindur), dhe Ai do të ruajë ty! Ruaje Allahun dhe ke për ta gjetur përpara (në ndihmën tënde)! Kur të lypësh, lypi vetëm Allahut, e kur të kërkosh ndihmë, kërko vetëm nga Allahu! Dije se sikur të gjithë njerëzit të mblidhen për të të bërë mirë, nuk do të munden të bëjnë më shumë se çfarë ka caktuar Allahu për ty. Dhe sikur të gjithë njerëzit të mblidhen për të të bërë dëm, nuk do të munden të bëjnë më shumë se çfarë ka caktuar Allahu për ty. Tashmë penat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”

Tirmidhi (2516) i cili thotë hadith është hasen sahih.

 

Shpërndaje: