Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Sherh Sahih el-Bukhari (2/514)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Imam Bukhari ka thënë:
Ebu Kurejb na tregoi: Ebu Usameh na tregoi, nga Burejd, nga Ebu Burdeh, nga Ebu Musa, nga profeti ﷺ i cili ka thënë:
”Shembulli i juaj dhe shembulli i ithtarëve të dy librave është si shembulli i atij që merr disa punëtorë me mëditje, dhe u thotë: “Kush do punojë për mua nga mëngjesi deri në mesditë për një kirat (një pjesë të dinarit)?” Punuan jehudët. Pastaj tha: “Kush do punojë për mua nga mesdita deri në ikindi për një kirat?” Punuan nasarat. Pastaj tha: “Kush do punojë për mua nga ikindia deri në perëndim për dy kirate?” Ju jeni ata. U zemëruan jehudët dhe nasarat, dhe thanë: “Si është e mundur që ne të punojmë më shumë e të paguhemi më pak?” Ai u thotë: ”Mos u është mangësuar e drejta e juaj?” Ata thonë: ”Jo.” Pastaj ai u thotë: ”Kjo është mirësia ime të cilën ia jap atij që dua.” Transmeton Bukhari (2268).
Hadithi dëshmon se nuk është për t’u fajësuar nëse disa punëtorëve i jep pagë më të lartë sesa të tjerëve përderisa secilit i jepet e drejta e tij, edhe nëse ata e kryejnë të njëjtën punë. Nëse punëson dy persona dhe të dy bëjnë punën e tyre dhe u jep të dyve pagat e tyre dhe njërit prej tyre i jep edhe më shumë, nuk duhet të fajësohesh për këtë. Shtesa e fundit është thjesht një mirësi, diçka për të cilën nuk duhet të fajësohesh. Ndërsa është e padrejtë që t’i jepet njërit e drejta e tij dhe jo tjetrit.