Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Uelid et-Tartushi (v. 20)
Burimi: Birrul-Validejn, fq. 37-40
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
1) Është transmetuar se Muhammed bin Talha es-Sexhxhad erdhi në ditën kur zhvillohej beteja e Devesë ndërsa njerëzit radhiteshin në rende duke u përgatitur për betejën. Talha, ez-Zubejri dhe Aisha ishin në grupin kundër Aliut. Muhamed bin Talha ishte në ushtrinë e babait të tij për shkak të bindjes ndaj tij, megjithatë ai me zemrën e tij ishte në anën e Aliut. Babai i tij i tha: “Ec përpara me flamur!” Ai e bëri këtë dhe vdiq. Pastaj kaloi Aliu radijallahu anhu pranë tij dhe tha: “Betohem në Zotin e Qabesë se ky është es-Sexhxhadi. Ai është vrarë për shkak se ishte i dëgjueshëm ndaj babait të tij.” Para se të ndodhte kjo Aliu ia kishte ndaluar ushtrisë së tij që ta mbysin atë, duke iu thënë: “Qëndroni larg nga njeriu me kapuç të zi!”, kishte për qëllim Muhamed bin Talhanë. Megjithatë, ai u mbyt nga Ka’b bin el-Mudlixh Esdi.
2) Lukmani i tha birit të tij: “Birimi im i dashur! Kushdo që kënaq prindërit e tij, ai e kënaq Mëshiruesin. Kushdo që zemëron prindërit e tij, ai e zemëron Mëshiruesin. Birimi im i dashur! Prindërit janë një nga portat e Xhenetit; nëse ata janë të kënaqur me ty, ti do të hysh në të dhe nëse ata janë të zemëruar, ti do të pengohesh nga hyrja në të.”
3) Kur Durrit i kishte vdekur babai, Umer bin Durr tha: “O Allah! Unë ia kam falur atij mospërmbushjen e obligimeve që ka pasur ndaj meje. E nga Ti kërkoj që ta falësh atë për mospërmbushjen e detyrave të tij ndaj Teje!”
E kishin pyetur se si ishte sjell i biri ndaj tij, e ai u përgjigj: “Çdoherë kur ecnim natën, ai ecte para meje (që të mos ballafaqohem me ndonjë pengesë) dhe kur ecnim gjatë ditës, ai ecte pas meje. Ai kurrë nuk ishte mbi mua me dhomë e kështu unë të isha në dhomën nën të.”
4) Është transmetuar se disa nga fëmijët e Zejd bin el-Huseinit kurrë nuk kanë ngrënë me nënën e tyre. Kur u pyetën në lidhje me arsyen e këtij veprimi, ata thanë:“Kemi frikë se mos dora jonë të merr atë që ka parë syri i saj më parë. Nëse ndodh kështu, atëherë ne do ishim të këqij ndaj saj.”
5) ‘Urveh bin Zubejr kur ishte në sexhde e kishte zakon të thoshte: “O Allah! Fale Zubejr bin ‘Avamin dhe Esma bint Ebi Bekr (nëna e Zubejrit)!”
6) Ebu Jusuf el-Ensari pas çdo namazi e kishte zakon të thoshte: “O Allah! Fali prindërit e mi dhe fale Ebu Hanifen!”
7) Asad bin Furat thoshte: “E lus Allahun që t’i falë prindërit e mi dhe Abdullah bin Zijadin! Ai është i pari nga i cili kam marr dije.”
8) Talk bin Habib ka qenë një nga adhuruesit e njohur. Ai gjithmonë e kishte zakon që t’ia puthte kokën nënës së tij. Për shkak të respektit që kishte për nënën e tij, nëse ajo ishte në katin e shtëpisë më poshtë katit në të cilin ishte ai, atëherë ai kurrë nuk ecte në të duke qenë se ajo ishte më poshtë.
9) Kur iu lexua Ibnul-Kasimit libri “El-Muvetta” e Imam Malikut, ndodhte që ai papritur të ngrihej në këmbë dhe të qëndronte ashtu për një kohë të gjatë dhe pastaj ulej. Kur u pyet në lidhje me arsyen e këtij veprimi, ai tha: “Nëna ime erdhi në dhomën time poshtë duke kërkuar nga unë që t’ia kryej një punë. Përderisa ajo qëndronte në këmbë, edhe unë u ngrita. Kur ajo shkoi, atëherë u ula përsëri.”
10) El-Fadl bin Jahja ishte njeriu më i përkushtuar ndaj babait të tij. Një kohë kur ata të dy ishin arrestuar dhe ishte koha për të marr abdes, babai i tij Jahja e kishte zakon të merrte abdes vetëm me ujë të ngrohtë, mirëpo rojet e burgut e kishin ndaluar që të sillej dru në burg gjatë netëve të ftohta (për ta ngrohur ujin). Kur Jahja kishte rënë në gjumë, el-Fadli mori një tas të mbushur me ujë dhe qëndroi ashtu duke e mbajtur afër një llambe në mënyrë që uji të ngrohej. Kështu qëndroi deri në agim.
11) Umer bin Abdil-lah bin Zubejr ka thënë: “Pasi që vdiq babai im, i kërkova Allahut që ta falë atë. Gjatë një viti të tërë u luta vetëm për të.”
12) Disa njerëz të urtë kanë thënë: “Ai që e respekton babanë e tij, do të jetojë më gjatë. Kushdo që respekton nënën e tij, do ta ketë në jetë atë që e kënaq. Ai që i shikon me ashpërsi prindërit e tij, kështu veçse ka qenë i keq ndaj tyre.”
13) Hajveh bin Shurejh ishte një nga imamët e myslimanëve. Ndonjëherë gjatë ligjëratave/mësimeve kur nëna e tij e thërriste: “Hajveh! Ushqeji pulat!”, ai ngrihej dhe e linte menjëherë ligjëratën të cilën ishte duke e ligjëruar.
14) Është transmetuar se si një nënë e thirri birin e saj, por ai e injoroi atë. Pastaj ajo iu lut Allahut kundër tij, kështu që ai u bë memec.
15) Dijetari i Fikhut dhe Usuli Fikhut Ebu Abdullah bin Muslim el-Ghazaui el-Maziri ma ka treguar këtë: “Kur kam vendosur të udhëtoj për në Jemen, nëna ime ndër të tjerash më urdhëroi me këto gjëra duke më thënë: “Pasha Allahun, unë kërkoj nga ti që të shikosh në hënën çdo natë kur ajo është në mes të qiellit. Atëherë unë do shikojë në të nga mallëngjimi që kam për ty. Me siguri shikimet tona do të bashkohen në mënyrë të tillë që sadopak ta largoj mallëngjimin.” Unë gjithnjë e kam përmbushur dëshirën e saj duke bërë siç më tha ajo.”
15) Kur Nasr bin Ebi Hafidh el-Makdisi braktisi Jerusalemin për të kërkuar dije tek el-Kazruni në Irak, el-Kazruni e pyeti atë: “A ke nënë?” Ai u përgjigj: “Po.” Ai e pyeti:“A ke kërkuar leje pre saj që të vish këtu?” Ai u përgjigj: “Jo.” El-Kazruni i tha:“Betohem në Allahun se unë nuk do të ta mësojë asnjë germë deri sa të kthehesh tek ajo dhe ta kënaqësh atë.” Nasr el-Makdisi ka thënë: “Pastaj unë u ktheva tek ajo dhe qëndrova me të derisa ajo vdiq. E më pas udhëtova për të kërkuar dije.” El-Karzuni ishte një Imam në dije dhe devotshmëri. Shumë nxënës kanë mësuar dije tek ai dhe pastaj janë bërë imamë nga të cilët njerëzit kanë pasur shumë dobi.