Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Sherh Usul-ith-Theletheh fq, 199-201
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Janë tre parime kryesore që çdo njeri duhet t’i dijë dhe të jetë i vetëdijshëm për to: Që robi të ketë dije për Zotin, fenë dhe profetin e tij. Kur flasim për njohjen e profetit ﷺ, ajo përfshin pesë çështje:
1 – Njohja e prejardhjes së tij.
Ai ﷺ i përkiste prejardhjes më fisnike, nga familja Hashim e fisit Kurejsh, pjesë e arabëve. Ai ishte Muhamedi, djali i Abdullahut, i biri i Abdul-Mutalibit, i biri i Hashimit, dhe kështu me radhë deri në fund të prejardhjes së tij.
2 – Mosha që ai ﷺ arriti.
Ai ﷺ jetoi 63 vite.
3 – Vendi i lindjes, i emigrimit dhe njohja e jetës së tij profetike ﷺ.
Ai ﷺ lindi në Mekë dhe emigroi në Medinë. Jeta e tij si profet zgjati 23 vite. Shpallja filloi t’i vinte në moshën 40 vjeçare, në muajin Ramazan. Jetoi 53 vite në Mekë dhe më pas 10 vite në Medinë, ku edhe vdiq në muajin Rebiul-Euel, në vitin e 11 pas Hixhretit.
4 – Me çfarë u bë profet dhe i dërguar?
Ai ﷺ u bë profet pasi Allahu i zbriti shpalljen. Ajetet e para ishin:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi gjithçka, e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” El-Alak, 96:1-5
Ai ﷺ u bë i dërguar me fjalët e Allahut kur atij iu shpall:
“O ti i mbështjellë (o Muhamed)! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje, petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)! Mos jep gjë me synimin që të marrësh më shumë dhe për hir të Zotit tënd duro!” El-Muddethir, 74:1-7
Ai ﷺ u ngrit, paralajmëroi dhe përcolli mesazhin me të cilin Allahu -azze ue xhel- e kishte obliguar.
5 – Përse u dërgua ai dhe cili ishte mesazhi tij?
Ai ﷺ u dërgua për të thirrur në njësimin e Allahut -te ala- dhe në zbatimin e ligjeve të Tij – që përfshijnë urdhrat dhe ndalesat. U dërgua si mëshirë për të gjitha krijesat, për t’i nxjerrë nga politeizmi dhe errësira e rëndë e injorancës, drejt adhurimit të sinqertë dhe të pastër ndaj Allahut, drejt dritës së besimit dhe dijes – në mënyrë që të fitojnë mëshirën dhe kënaqësinë e Tij, e të shpëtojnë nga dënimi dhe zemërimi i Tij.