Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Burimi: el-Xheuab es-Sahih (1/190-191)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Sikurse Umer bin el-Khatabi (radijAllahu anhu) i obligoi taksapaguesit jomuslimanë të përmbushin kushtet e muslimanëve, ai gjithashtu urdhëroi zëvendësit e tij, dhe kalifët pasardhës dhe të tjerët që t’i trajtojnë mirë. Kjo është drejtësia e urdhëruar nga Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ. Para vdekjes së tij, Umer bin el-Khatabi (radijAllahu anhu) tha:
“Unë e urdhëroj pasardhësin tim që t’i përmbahet besës së Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ, dhe të përmbushë marrëveshjen me ta, që armiqtë e tyre të luftohen dhe që ata të mos obligohen më shumë se sa kanë mundësi të bëjnë.” 1
Ky është zbatim i fjalëve të profetit ﷺ kur tha:
“Ai që shtyp një banor kafir, ose ia merr të drejtën e tij, ose e urdhëron me diçka që ai nuk mund ta bëjë ose merr diçka prej tij kundër vullnetit të tij, unë do të argumentohem kundër tij në ditën e gjykimit.” 2
Kështu Umeri i trajtoi të krishterët që i paguanin taksën e mbrojtjes atij. Kur Umer bin el-Khatabi (radijAllahu anhu) e çliroi Shamin dhe ata u detyruan që të paguajnë taksën e mbrojtjes, një numër shumë i madh nasara (të krishterë) hyrën në Islam. Njerëzit e thjeshtë, bujqër dhe shoqëria ishin të krishterë. Asnjë musliman nuk ishte bujk. Në atë kohë, muslimanët kishin një xhami të vetme në Damask, sepse ishin pak. Më pas, shumica e banorëve të Shamit u bënë muslimanë. Ata u konvertuan vullnetarisht në Islam sepse është e ndaluar të detyrosh personin kafir që paguan taksat që të hyjë në Islam.
Allahu (te ala) tha:
“S’ka detyrim në fe sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon adhurimin e tagutit dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” El-Bekare, 2:256
Ebu Ubejdi transmetoi se Ibn-uz-Zubejri tha:
“Profeti ﷺ i shkroi jemenasve: “Ai jehudi ose nasrani (i krishterë) që hyn në Islam u përket besimtarëve; ajo që është në favor të tyre është në favor të tij dhe ajo që është në dëm të tyre është në dëm të tij. E kush mbetet jehudi apo nasrani (i krishterë) nuk duhet të sprovohet për fenë e tij. Por ai duhet të paguajë taksën e mbrojtjes.” 4
1 Bukhari (3700).
2 Ebu Daudi (3/437). Es-Sakhaui tha:
“Zinxhiri i tij i tregimit është në rregull.” (el-Makasid el-Hasanah, fq. 392)
4 Kitab-ul-Amual, fq. 27 dhe el-Bejhaki (9/194).