Alameh Zejd bin Muhamed El-Medkhali (v. 1435)
Aun-ul-Ehad Es-Samed Sherh El-Edeb El-Mufrad (1/191)
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com
Imam Bukhari -rahimehullah- ka thënë:
164 – Na ka treguar Ebu Ma’mar: Na ka treguar Abdul-Uarith: Na ka treguar Abdul-Aziz, nga Enesi -radijAllahu anhu- i cili ka thënë:
“Kur profeti Muhamed ﷺ erdhi në Medinë, nuk kishte shërbëtor. Ebu Talhah më mori për dore, më çoi te profeti ﷺ dhe tha: ‘O i dërguari i Allahut, Enesi është djalë i zgjuar dhe i mençur. Lëre të të shërbejë ty.’ Unë i shërbeva atij ﷺ si në udhëtim, ashtu edhe në shtëpi, që nga koha kur erdhi në Medinë e deri sa vdiq. Asnjëherë nuk më tha: “Pse e bëre këtë?” për diçka që bëra, dhe asnjëherë nuk më tha: “Pse nuk e bëre kështu?” për diçka që nuk bëra.”
Transmeton Bukhari (2768).
Shpjegimi
Ky hadith tregon virtytin e Enesit -radijAllahu anhu-, pasi atij iu dha nderi që t’i shërbente profetit Muhamed ﷺ për 8 deri në 10 vite. Ai i shërbeu vazhdimisht, si në udhëtim ashtu edhe në shtëpi derisa Allahu -azze ue xhel- ia mori jetën atij ﷺ.
Së pari, hadithi tregon mëshirën e profetit ﷺ ndaj krijesave në përgjithësi dhe ndaj atyre që jetonin me të, si shërbëtorët dhe gratë, në veçanti. Ai nuk i ngarkonte ata me detyra të rënda apo të vështira.
Së dyti, ky hadith është dëshmi e moralit të lartë. Moralet më të përsosura gjendeshin tek profeti Muhamed ﷺ, i cili është shembulli më i mirë i umetit. Ai ﷺ kurrë nuk e qortoi shërbëtorin e tij për mangësitë apo për gabimet në detyrat e tij. Njeriu, natyrshëm, herë vepron korrekt e herë gabon; prandaj durimi dhe toleranca janë prej cilësive kryesore të besimtarëve.
Profeti ﷺ kishte pozitën më të lartë, moralet më të bukura dhe besimin më të plotë.
Asnjëherë nuk më tha për diçka që bëra: “Pse e bëre këtë?” dhe asnjëherë nuk më tha: “Pse nuk e bëre kështu?” për diçka që nuk bëra.
Ai ﷺ është siç u përmend, shembulli i umetit. Prandaj njeriu duhet ta ndjekë shembullin e Tij ﷺ në sjelljen ndaj shërbëtorëve, punëtorëve dhe të gjithë atyre që janë nën përgjegjësinë e tij, duke treguar mëshirë dhe duke i trajtuar me dinjitet.