Imam Ismail Ibn Kethir ed-Dimeshkij (v. 774)
Burimi: Tefsir el-Kuran el-Adhim (1/339)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُواْ النِّسَاء فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّىَ يَطْهُرْنَ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمُ اللّهُ إِنَّ اللّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ
“Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” Surja el-Bekare, 2:222
Dijetarët janë unanim se nëse gruas i mbaron cikli i saj menstrual, nuk i lejohet burrit të saj të ketë marrëdhënie intime me të, derisa ajo të pastrohet duke marrë gusl ose të bëjë tejemum nëse ka arsye. Vetëm Ebu Hanife (rahimehullah) thotë se që në momentin që gruas i mbaron cikli i saj menstrual dhe që sipas tij, periudha maksimale e ciklit menstrual të gruas zgjat dhjetë ditë, është e lejuar kryerja e marrëdhënies intime me të nga ana e burrit të saj dhe se ajo nuk ka nevojë të marrë gusl dhe Allahu e di më mirë.
Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) ka thënë:
حَتَّىَ يَطْهُرْنَ
“…derisa të pastrohen…”
Kjo do të thotë, derisa gjaku i tyre të pushojë.
فَإِذَا تَطَهَّرْنَ
“… Dhe kur të jenë pastruar …”
D.m.th. me ujë. Të njëjtën gjë kanë thënë Muxhahid, Ikrimeh, el-Hasan, Mukatil bin Hajjan, el-Lejth bin Sa’d dhe të tjerët.