Dr. Abdul-Aziz bin Ahmed el-Humejdi
Burimi: Bara’at-ul-A’immeh el-Arba’ah min Masa’il-il-Mutakal-limin el-Mubtada’ah, fq. 58-61
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Së pesti, thuhet në librin ”El-Fikh el-Ekber”:
”Allahu (te ala) flet pa zë dhe pa gërma. Vërtetë gërmat janë të krijuara.” 1
Kjo kundërshton besimin e Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit në lidhje me të folurit e Allahut (te ala). Sepse Ehl-us-Sunneti besojnë se Allahu flet me germa dhe zë. Ky besimi është transmetuar nga selefët para Ebu Hanifes, në kohën e Ebu Hanifes dhe pas Ebu Hanifes. Besimi është pohuar nga Kurani dhe sunneti. Të mohosh që Allahu flet me germa dhe zë, i përket besimit të pasuesve të bidateve.
Xhehmitë dhe Mutezilitë mohojnë të folurit e Allahut dhe besojnë se Kurani është një krijesë prej krijesave që është krijuar nga Allahu.
Kulabijjeh dhe Esharitë pohojnë të folurit e Allahut në formën e një gjëje shpirtërore që qëndron në qenien e Tij përgjithmonë. Përveç kësaj, ata pohojnë se Kurani në formën e germave është thjesht një shprehje ose një ritregim i domethënies që qëndron në qenien Tij.
Imam Ebu Hanife nuk ka të bëjë fare me asnjë prej këtyre sekteve. Ai tha atë që selefët dhe imamët e thanë kur ata pohuan të folurit e Allahut dhe se Kurani në aspektin e kuptimeve të tij dhe germave është fjala e Allahut.
Imam et-Tahaui (rahimehullah) tha kur ai përmendi besimin e Ebu Hanifes dhe dy shokëve të tij:
“Kurani është fjala e Allahut. Kurani filloi nga Allahu me fjalë, gjë që nuk duhet imagjinuar. Ai ia zbriti atë profetit të Tij në formën e shpalljes. Besimtarët i besuan atij. Ata ishin të bindur se është fjala e vërtetë dhe e pa krijuar e Allahut ndryshe nga fjalët e krijesave.” 2
Lidhur me fjalët e tij:
“Vërtetë germat janë të krijuara”
atëherë ky është edhe një bidat tjetër. Ky bidat buron nga Xhehmitë që kanë për qëllim që të arrijnë në atë se Kurani është i krijuar. Imamët e refuzuan këtë dhe zbuluan manipulimin dhe mashtrimin e Xhehmive.
Shejkhul-Islam Ibnu Tejmijeh ka thënë:
“I është thënë Imam Ahmed bin Hanbelit: “Kështu dhe kështu ka thënë: “Kur Allahu i kishte krijuar germat të gjithë zbritën në sexhde përveç shkronjës ELIF, e cila tha: “Unë nuk bie në sexhde derisa unë të urdhërohem për ta bërë këtë.” Ai tha: “Kjo është kufër.” Ai qortoi besimin se germat janë të krijuara për shkak se nëse natyra e germave janë krijuar kjo do të thotë se Kurani në gjuhën arabe dhe Teurati në gjuhën hebraike janë të krijuar gjithashtu. Një besim i tillë është i pavlefshëm dhe devijues nga besimi i selefëve dhe i imamëve.” 3
Imam esh-Shafi’i (rahimehullah) ka thënë:
“Ne nuk themi se germat janë të krijuara. Jehudët u shkatërruan për shkak të kësaj. Ai që thotë se një germë është shpikur thotë se Kurani është krijuar. “
Kështu imamët e qortuan këtë besim që shpie në besimin se Kurani është krijuar. Përveç kësaj selefët nuk flisnin aq shumë për këtë temë në dy shekujt e parë. Shejkh-ul-Islam sqaroi se të folurit rreth asaj se a përbëhet fjala e Allahut nga germat dhe zëri apo jo, u shfaq së pari në shekullin e dytë.
Ai (rahimehullah) ka thënë:
“Të folurit në lidhje me atë se a përbëhet Kurani nga germat dhe zëri apo jo është një gjë e re që ka ndodhur rreth vitit 200 dhe është përhapur në vitin e 300. Kur Ebu Said bin Kul-lab dhe më vonë edhe Ebul-Hasan el-Esh’ariu do të debatonin me Mutezilitë në lidhje me cilësitë e Allahut dhe se a është Kurani i pa krijuar, ata besuan se besimi do të mbetej i plotë nëse nuk besonin se Kurani është i përjetshëm dhe se ai mund të jetë i përjetshëm vetëm nëse qëndron si kuptim që qëndron në qenien e Allahut sikurse është edhe dija e Allahut. Pastaj ata shtuan gjithashtu se Allahu nuk flet me zë ose gjuhë.” 4
Si rezultat, Ebu Hanife gjithashtu pastrohet nga ky bidat. Kështu dyshimi se libri ”el-Fikh el-Ekbar” i përket Ebu Hanifes, është akoma dhe më i madh.
1 El-Fikh el-Ekber, fq. 302
2 Et-Tahauijjeh, (45-49).
3 Mexhmu-ul-Fataua (12/41).
4 Mexhmu-ul-Fataua (12/579).