Alameh Abdul-Muhsin bin Hamad el-Abbad el-Bedr
Burimi: El-Ibrah fi Shehr-is-Saum – Mësime nga muaji i agjërimit
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kjo botë është një vend i sprovimit dhe testimit
Allahu ka krijuar robërit e Tij që ta adhurojnë vetëm Atë. Ai tha në Librin e Tij fisnik:
”Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56
Ai dërgoi të dërguarit e Tij në mënyrë që ata t’ua tregojnë robërve rrugën e adhurimit:
”Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni adhurimin e tagutit!” En-Nahl 16:36
Ai e bëri jetën e tyre të kësaj bote një vend për sprova dhe testim, se cili prej tyre është më vepërmiri:
”Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë.” El-Mulk 67:2
Pastaj Ai tha:
”Ai është i Gjithëfuqishmi, gjithnjë Falësi i Madh.” El-Mulk 67:2
Ai e tha këtë për të sqaruar se disa prej atyre që testohen bëjnë vepra të mira dhe Ai i shpërblen, dhe ky shpërblim ndërlidhet me emrin e tij el-Ghafur (Falësi). Nga ana tjetër, Ai gjithashtu tregoi se ata që nuk bëjnë vepra të mira në jetën e tyre meritojnë të ndëshkohen, siç nënkupton emri i Tij El-Aziz (i Plotfuqishmi). Sikurse thotë Allahu:
“Tregoju robërve të Mi se Unë, vërtetë jam gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëploti. Dhe se ndëshkimi Im, ai me të vërtetë është ndëshkim i dhembshëm.”
El-Hixhr 15:49-50
Stinë e ahiretit
Në të njëjtën mënyrë sikurse Allahu ka zgjedhur disa njerëz dhe vende ndaj njerëzve dhe vende të tjera, Ai ka zgjedhur disa kohëra ndaj kohërave të tjerave. Prej kësaj përzgjedhje është muaji i bekuar i Ramazanit që është më i mirë se të gjithë muajt e tjerë. Ai është veçuar nga të gjithë muajt e tjerë dhe është zgjedhur të jetë muaji në të cilin është detyrim për njerëzit që të agjërojnë:
”Dhe, Zoti yt krijon ç’të dojë dhe Ai zgjedh.” El-Kasas 28:68
Allahu e ka ngritur këtë muaj dhe e ka bërë që të jetë një nga sezonet e ahiretit. Në të robërit konkurrojnë për të adhuruar Allahun për të arritur fitoren dhe afërsinë ndaj Allahut. Ata e kërkojnë afërsinë e Allahut me anë të agjërimit gjatë ditës dhe namazin gjatë natës, dhe leximin e Librit të Tij madhështorë. Këtij Libri nuk mundet ti afrohet asnjë e kotë, as duke mangësuar e as duke shtuar në të. Ai është shpallur nga i Gjithëurti, të Cilit i përket tërë hamdi dhe lavdërimi. Ata e kërkojnë afërsinë e Allahut edhe nëpërmjet tij (kuranit) dhe po ashtu nëpërmjet të gjitha ibadeteve të tjera. Por, ndërsa ata e bëjnë këtë, ata njëkohësisht qëndrojnë larg mosbindjes dhe mëkateve:
“Ata shpresojnë për një tregti me fitim (të sigurt), që kurrë nuk do të shuhet. Që Ai (Allahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është gjithnjë Falës i Madh” El-Fatir 35:29-30
Shtimi i mirësive
Pasi që Allahu obligoi robërit që të agjërojnë Ramazanin, i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) i nxiti ata që ta pasojnë Ramazanin me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit. Ai e bëri këtë në mënyrë që shpërblimi i tyre të jetë shumë i madh dhe sikurse ta kenë agjëruar tërë vitin. Ebu Ejub el-Ansari (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Agjërimi i Ramazanit dhe pasimi i tij me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit është si të agjërosh tërë vitin.”
Hafidh el-Mundhiri ka thënë:
“Transmetohet nga Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe Tabarani cili shtoi dhe tha:
I thashë: “Çdo ditë shpërblehet me dhjetë?” Ai tha: “Po.” Transmetuesit e tij janë transmetues autentik.”
Një vit nuk mund të jetë më i gjatë se 360 ditë. Nëse gjashtë ditë të Sheualit i shtohen çdo Ramazani, dhe për çdo ditë shpërblehet me dhjetë (sepse vepra e mirë shumëzohet me dhjetë shpërblime) i konsiderohet muslimanit që të ketë agjëruar një vit të tërë. Prandaj, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha:
“Është si të agjërosh tërë vitin.”
Kjo është një mirësi madhështore nga Allahu. I tërë hamdi dhe lavdërimi i takon Allahut, begatitë e të Cilit janë të panumërta.
Nga një mirësi në një tjetër
Prej mirësive të Allahut për robërit e Tij është se Ai ua lehtëson shkaqet atyre për t’u ngritë gradët. Përveç kësaj, Ai u jep atyre një lidhje të vazhdueshme dhe të fortë me adhurimin e Allahut. Pasi të përfundojnë ditët dhe netët e Ramazanit, robërit i janë afruar Zotit të tyre, menjëherë pas kësaj fillojnë muajt e Haxhit, ku njerëzit udhëtojnë tek shtëpia e shenjtë e Allahut. Dita e Fitrit e cila është dita e parë e Sheualit, është dita e parë e muajve të Haxhit. Allahu (te ala) ka thënë për to:
“Haxhi është në muajt e caktuar, e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira, Allahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e vërtetë furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time.” El-Bekare 2:197
Kur të kalojnë ditët e muajit të ramazanit, në të cilin zbriti Kurani i bekuar, në muajin në të cilin hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, shejtanët lidhen me zinxhirë. Allahu ka thënë në lidhje me këto ditë në hadith kudsij:
“Të gjitha veprat e mira që njerëzit i bëjnë shumëzohen me dhjetë. I vetmi përjashtim është agjërimi. Ai është i Imi dhe Unë jam që shpërblejë për të.”
Kur këto ditë të përfundojnë, ato pasohen nga ditët e haxhit. I dërguari (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë në lidhje me këto ditë:
“Ai që e bën haxhin dhe qëndron larg gjërave që e cenojnë haxhin si dhe nga fjalët e këqija, kthehet sikurse në ditën kur nëna e tij e lindi atë.”
Transmetuar nga Bukhari, Muslimi dhe të tjerët.
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë gjithashtu:
“Koha mes dy umreve shlyen mëkatet mes tyre, ndërsa një haxhi i pranuar shpërblehet vetëm me xhenet.”
Transmetuar nga Bukhari, Muslimi dhe të tjerët.
Sa e përfundon muslimani një sezon të ahiretit vjen një tjetër, që të jetë vazhdimisht në lidhje me adhurimin e Zotit të vet, krijuesit të vet, i cili e ka krijuar nga asgjëja dhe i dha begati të shumta.
Mësimet nga muaji i agjërimit
Ky muaj i bekuar, i cili është një sezon i ahiretit, i dha lamtumirë umeti Islam disa ditë më parë. Lum për atë që Allahu i ka dhënë sukses të bëj vepra të mira dhe ia ka pranuar ato. I mjeri ai që i kalon këto ditë pa gjetur ndonjë vepër të mirë në Ditën e Gjykimit, sa fatkeqësi e madhe është nëse ai i kalon këto ditë duke e kënaqur shejtanin dhe duke ecur me mëkatarët, Allahu na ruajt!
Ky muaj madhështorë i cili kaloi, ka dobi dhe mësime të shumta, që i japin shpirtit një dashuri ndaj së mirës dhe adhurim të vazhdueshëm ndaj Allahut. Nga ana tjetër, shpirti fiton urrejtje ndaj mëkateve dhe largohet nga gjërat gjë shkaktojnë hidhërimin e Allahut (azze ue xhel).
Me këtë do të përpiqem që të përmend disa prej këtyre mësimeve dhe këshillave, me të cilat muslimani e kalon Ramazanin dhe që jenë një kujtesë e mirë për të gjatë këtyre ditëve të bekuara.
Prandaj them, ndërsa unë i lutem Allahut për sukses dhe saktësi:
Së pari:
Nëse ditët e Ramazanit kalojnë kah muslimani, ato janë një nga rastet e jetës, e ky rast mund t’i vij edhe një herë tjetër a po më shumë, apo mund t’i vij vdekja para kësaj. Është e rëndësishme që ky rast të shfrytëzohet me adhurim dhe largim nga mëkatet. Çfarë është edhe më e rëndësishme, është që vazhdimisht të praktikohen këto çështje. Prej shpërblimit të veprave të mira është që ato të pasohen me vepra të tjera të mira. Në mënyrë të ngjashme ndëshkohen mëkatarët nëse ato pasohen me mëkate të tjera. Nëse një musliman i sinqertë me veten, e përjeton këtë muaj të bekuar, ai duhet të preokupohet me adhurimin e Zotit të tij që e krijoi atë për ta adhuruar, dhe i ka dhuruar begatitë e Tij të shumta të dukshme si dhe të fshehura. Prandaj shpirti i tij kënaqet me vepra të mira, zemra e tij lëvizë nga ahireti, i cili është jeta e përjetshme. Atë ditë njeriu do të ketë dobi vetëm nga veprat që ka bërë:
“Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të pastër (prej shirkut, politeizmit, dhe prej hipokrizisë).” Esh-Shuara 26:88-89
Nëse shpirti mësohet që të veprojë ibadete gjatë këtyre ditëve të bekuara duke shpresuar shpërblimin e Allahut, dhe shmanget prej mëkateve duke pasur frikë ndëshkimin e Allahut. Pra dobinë që ai e përfiton nga ajo dhe mësimet që duhet të jenë me të pas tij, është që ai të shoqërohet me ibadetet dhe të largohet nga ndalesat, sepse Allahu duhet të adhurohet gjithmonë nga robërit:
”Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).” El-Hixhr 15:99
”O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” Al-Imran, 3:102
Nuk i përket muslimanit, që ka shijuar ëmbëlsinë e ibadetit gjatë muajit të agjërimit, që ta zëvendësoj atë me të hidhurit e mëkateve. Pasi e ka hidhëruar armikun e tij në muajin e agjërimit, nuk është e lejuar për të që ta gëzojë atë në muajin Sheual apo në muajt e tjerë. Nuk është cilësi e muslimanit të sinqertë me veten, që t’u thotë lamtumirë veprave të mira dhe muajit të agjërimit, për ti zëvendësuar ato me të këqija. I Adhuruari në Ramazan dhe në të gjithë muajt e tjerë është i Gjallë dhe nuk vdes. Ai është që u jep jetë krijesave, dhe Ai nuk fle. Tek Ai ngjiten veprat e ditës para veprave të natës dhe veprat e natës para veprave të ditës:
“S’ka dyshim se Allahu nuk bën pa drejtë as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe Vetë Ai i jep shpërblim të madh.” En-Nisa’ 4:40
E dyta
Agjërimi është një sekret mes robit dhe Zotit të tij. Askush tjetër përveç Allahut (subhanehu ue te ala) nuk e di realitetin e tij të vërtetë. Në hadith autentik thuhet:
“Të gjitha veprat e mira që njerëzit i kryejnë shumëfishohen me dhjetë shpërblime, përveç agjërimit, ai është i Imi dhe Unë jam që e shpërblejë për të. Në të robi e braktis epshin e tij, ushqimin dhe pijen e tij për Mua.”
Sepse robi mund të fshihet dhe të mbyllet në shtëpinë e tij për të ngrënë dhe pirë dhe pastaj të dalë dhe të thotë se ai është agjërueshëm. Askush tjetër përveç Allahut (tebareke ue te ala) nuk e di të vërtetën. E vetmja gjë që e bën atë që të mos e bëjë këtë është se ai e di se Allahu e sheh dhe e mbikëqyrë atë. Për këtë njeriu lavdërohet. Mësimi i gjithë kësaj është që ta dish se Atij të Cilit duhet ti frikësohesh nëse e prishë dhe e cenon agjërimin, atëherë është Ai të Cilit duhet ti frikësohesh nga mangësimi i namazit, zekatit, haxhit dhe të gjitha veprave të tjera obligative. Ai që ka urdhëruar agjërimin është Ai që ka obliguar namazin. Namazi është shtylla më e madhe e Islamit pas shahadetit. Namazi ka pozitë madhështore, dhe është lidhje e vazhdueshme e përditshme mes robit dhe Zotit të tij. Allahu e obligoi të dërguarin e Tij (salAllahu alejhi ue selem) gjatë miraxhit. Nëse një musliman e vëren se është një mëkat i madh për të prishur agjërimin, ai duhet të kuptojë se është mëkat edhe më i madh për ta lënë dhe mangësuar namazin. Kjo është një nga përfitimet më fisnike dhe mësimet më të mëdha nga të cilat përfiton muslimani nga muaji i agjërimit.
E treta
Xhamitë e mbushura me njerëz në Ramazan është diçka që e zgjerojnë gjoksin dhe i gëzojnë shpirtrat e mirë. Megjithatë, ajo që më tej e zgjeron gjoksin, dhe i gëzon shpirtrat e mirë edhe më shumë, është që ato të jenë të mbushura në vazhdimësi. Kështu përfiton një musliman që gjithmonë përpiqet që gjithmonë ti përmbahet këtij veprimi të mirë në mënyrë që ai të jetë një nga ata shtatë personat që do të futen nën hijen e arshit të Allahut në Ditën kur vetëm hija e tij ekziston. Një prej tyre është njeriu zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë, sikurse është transmetuar hadithin autentik nga i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem).
E katërta
Në Ramazan është e detyrueshme që ti shmangemi ushqimit, pijeve dhe çdo gjë tjetër që e prishë agjërimin. Sa u përket mëkateve, është e detyrueshme për t’iu shmangur gjatë gjithë jetës. Në Ramazan muslimani u shmanget si gjërave të lejueshme ashtu edhe atyre të ndaluara. Sa u përket gjërave të ndaluara, ai është i detyruar që t’u shmanget gjatë gjithë jetës. Ditët në të cilat u shmangemi gjërave të lejueshme dhe të ndaluara mbaruan, ndërsa ditët në të cilat u shmangemi vetëm gjërave të ndaluara vazhdojnë tërë jetën. Në aspektin gjuhësor agjërim do të thotë të përmbahesh ndaj diçkaje. Në aspektin fetarë agjërimi do të thotë agjërimi që të përmbahesh ndaj ushqimit, pijeve dhe çdo gjë tjetër që e prish agjërimin. Kjo vazhdon nga agimi deri në perëndim të diellit.
Kuptimi fetar është një pjesë e kuptimit gjuhësor. Sikurse kuptimi gjuhësor aplikohet mbi atë fetar, ajo përbëhet edhe nga ajo, edhe nga kuptimet e tjera. Ajo përfshinë të përmbajturit ndaj mëkateve. Ti ndalosh sytë, gjuhën, veshët, duart, këmbët dhe organet gjenitale larg nga ndalesa konsiderohet të jetë agjërim në aspektin gjuhësorë. Allahu e ka nderuar njeriun me këto begati të nevojshme dhe të pazëvendësueshme. Por, sikurse Allahu e ka nderuar atë me to, Ai e ka urdhëruar atë gjithashtu që ti përdorë ato në një mënyrë me të cilën Ai kënaqet, dhe e ka ndaluar atë që ti përdor ato në një mënyrë që e hidhëron Atë. Prej mënyrave më të mëdha për të falënderuar Allahun për këto begati, është që ti përdorësh ato sikurse Ai dëshiron. Pra njeriu duhet ti përdor ato në gjërat që është urdhëruar dhe ti shmang ato nga gjërat e ndaluara.
Pra është ligjësuar që syri të përdoret për të parë atë të lejuarën dhe për t’u ndaluar të shikohet në atë të ndaluarën, e ky është agjërimi i tij. Kjo është diçka që duhet të zgjasë tërë jetën.
Është ligjësuar që veshi të përdoret për të dëgjuar të lejuarën dhe për t’u ndaluar nga dëgjimi i të ndaluarës, e ky është agjërimi i tij. Po ashtu, kjo është diçka që duhet të zgjasë tërë jetën.
Është ligjësuar që dora të përdoret për të dhënë dhe për të marrë atë që është e lejuar, dhe është e ndaluar të përdoret për të marrë gjërat e ndaluara. Ky është agjërimi i saj që duhet të zgjasë tërë jetën.
Është ligjësuar që këmba duhet të përdoret për të ecur në çdo vend të mirë, dhe është e lejuar për të shkuar në të lejuarën dhe e ndaluar për të shkuar në të ndaluarën. Ky është agjërimi i saj, dhe duhet të vazhdojë gjatë tërë jetës.
Është ligjësuar që organi gjenital të përdoret në mënyrë të lejuar dhe e ndaluar ta përdorur atë në atë që është e ndaluar. Ky është agjërimi i tij, që duhet të zgjasë tërë jetën.
Ata që e falënderojë Allahun për këto begati, duke i përdorur ato në një mënyrë të ligjësuar, Allahu u ka premtuar se do ti shpërblejë me një shpërblim të madh. Nga ana tjetër, Ai i ka kërcënuar ata që i i kanë shfrenuar këto organe. Ai jo vetëm që ka thënë se aktet e ngjashme hidhërojnë Allahun, por edhe kënaqin shejtanin që është armiku i përbetuar i Allahut dhe i robërve të Tij të sinqertë. Allahu i ka kërcënuar ata me dënimin e Tij. Ai ka thënë se këto pjesë të trupit do të pyetën për të (robin) dhe ai (robi) për to në Ditën e Gjykimit. Ai (te ala) ka thënë:
“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” El-Isra 17:36
“Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” Ja-Sin 36:65
“E ditën kur armiqtë e Allahut tubohen për në zjarr dhe ata janë të rrethuar. E derisa afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar. Ata lëkurave të tyre u thonë: “Përse dëshmuat kundër nesh?” Ato thonë: “Allahu që çdo sendi ia ka dhënë të folurit na dha edhe neve, e Ai është që ju krijoi juve herën e parë dhe vetëm te Ai ktheheni.” Fusilet 41:19-21
Kur profeti (salAllahu alejhi ue selem) e urdhëroi Muadh bin Xhebelin që të ruaj gjuhën e tij, Muadhi e pyeti:
“O i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), a do të japim llogari për atë që kemi folur?”
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) iu përgjigj:
“Nëna të mos pastë1, o Muadh. Çfarë është ajo që i bën njerëzit të hidhet në zjarr me fytyrat e tyre së pari – ose me hundët e tyre së pari – nëse jo ajo që kanë korrë gjuhët e tyre?”
Transmetuar nga Tirmidhiu.
Përveç kësaj, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Ai që më garanton mua atë që ai ka ndërmjet nofullave të tij dhe këmbëve të tij; Unë ia garantoj atij xhenetin.”
Transmetuar nga Buhari nga hadithi i Sehl bin Sa’dit (radijAllahu anhu). Po ashtu, është transmetuar nga Tirmidhi nga hadithi i Ebu Hurejres me formulimin në vijim:
Imam Ibn-ul-Ethir (rahimehullah) ka thënë:
“Është sikurse ai lutet për të vdekur për shkak se ai ka bërë ose thënë diçka të keqe … Përndryshe, ajo u përket disa fjalëve të urta që arabët i thonë pa pasur për qëllim atë. Nuk është për qëllim lutja me këtë. Shembuj të kësaj janë të thuash: “Duart tuaja tu mbulofshin me rërë” dhe “Allahu të luftoftë.” (en-Nihajeh (1/214))
“Atë që e ruan Allahu, ai kujdeset për atë që ai ka mes nofullave të tij dhe këmbëve të tij, hyn në xhenet.”
Tirmidhi e konsideroi hadithin të jetë i mirë.
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Ai që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit le të flas mirë ose të heshtë.”
Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi nga Ebu Hurejra. Ata transmetuan gjithashtu nga Ebu Musa (radijAllahu anhu) i cili ka transmetuar se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët e tjerë janë të sigurt.”
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“I falimentuari i umetit është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim dhe zekat, dhe e ka përgojuar njërin, e ka akuzuar në mënyrë të gabuar tjetrin, ia ka vjedhur pasurinë e tjetrit, e ka vrarë tjetrin dhe e ka rrahur tjetrin. Secili do të marr nga veprat e tij të mira. Pasi ti merren të gjitha veprat e tij të mira dhe para se ai të sillet para drejtësisë, merren nga veprat e tyre të këqija dhe hidhen mbi të. Pastaj ai hidhet në zjarr.”
Transmetuar nga Muslimi.
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Xheneti është i mbuluar nga vështirësitë dhe zjarri është i mbuluar nga epshet.”
Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu).
Allahu e ka obliguar robin që të ruaj gjuhën e tij, organin gjenital të tij, të dëgjuarit, të parit, duart e tij dhe këmbët e tij nga çdo gjë e ndaluar. Ky është kuptimi i agjërimin në aspektin gjuhësor. Kjo vlen deri në vdekje. Kjo kryhet nga bindja ndaj Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe për ti shpëtuar hidhërimit dhe dënimit të Tij.
Kur një musliman e kupton se është në Ramazan, ai përmbahet nga ajo që Allahu ia ka lejuar, sepse Allahu e ka ndaluar atë gjatë Ramazanit. Prandaj qëllimi është që të kuptojmë se Allahu e ka ndaluar të ndaluarën gjatë tërë jetës dhe si rezultat ai obligohet që ti shmanget asaj përgjithmonë. Kjo duhet të bëhet nga frika e dënimit të Allahut të cilën Ai e ka përgatitur për atë që kundërshton urdhrin e Tij dhe ka bërë atë që Ai e ka ndaluar.
Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tregoi në hadithin kudsij se Zoti i tij kishte thënë se agjëruesi përjeton dy gëzime; Një herë, kur ai bën iftar, dhe herën e dytë është kur ai takohet me Zotin e tij.
Ai që e mbron gjuhën e tij nga fjalët e këqija dhe nga gënjeshtra, organin e tij seksual nga ajo që Allahu e ka ndaluar, duart e tij nga marrja e asaj që Allahu e ka ndaluar, dëgjimin e tij nga ajo që është e ndaluar për të dëgjuar, shikim e tij nga ajo që është e ndaluar për të parë, dhe nëse përdorë këto pjesë të trupit në atë që Allahu e ka lejuar, kujdeset për to dhe i ruan ato derisa Allahu t’ia marr jetën e tij, atëherë ai do të bëjë iftar me lumturinë të cilën Allahu ia ka premtuar atij që i bindet Atij.
Hera e parë që ata do ta përjetojnë këtë, kur besimtarët janë duke e lënë këtë jetë për jetën e përtejme, e cila është shpjeguar nga i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem). Gjatë momentin të fundit të kësaj jete, engjëjt u vijnë atyre me fytyrë të shndritshme si dielli. Me vete ata e kanë një qefin dhe aromë nga xheneti. Para tyre do të jetë engjëlli i vdekjes. Ai do të thotë: “O ti shpirt i mirë! Dil tek falja dhe mëshira e Allahut. “Ai do të rrjedhë si rrjedh një pikë nga ena.
Kjo është shenja e të mirëve që hasin, ata që përpiqen për ti bërë të lumtur shpirtrat e tyre dhe përpiqen për ti liruar ata nga ajo që shpie në shkatërrim. Kur një njeri e pyeti proetin (salAllahu alejhi ue selem) për Ditën e Gjykimit, se dhe kurdo të ndodhë ajo, ai e drejtoi në atë që është më e rëndësishme se për të ditur se kur është Dita e Gjykimit, përkatësisht përgatitjen për Ditën e Gjykimit me vepra të mira. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) i tha njeriut që e pyeti kur Dita e Gjykimit do të ndodhë:
“Çfarë ke përgatitur për të?”
Këtu ai tregoi se njeriu përgatitet në këtë jetë për jetën e përtejme. Allahu (te ala) ka thënë:
“Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e vërtetë furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time.” El-Bekare 2:197
Të gjitha udhëtimet kanë përgatitje të nevojshme udhëtimi, ndërsa ushqimi për udhëtimin në botën tjetër është devotshmëria, veprat e mirë dhe pasimi i metodologjisë së drejtë me të cilën erdhi i dërguari i Tij fisnik (salAllahu alejhi ue selem).
Fjala mbyllëse
E përfundoj këtë ligjëratë me disa fjalë, që vlen veçmas për ne, që Allahu na ka nderuar që të qëndrojnë në Dar-ul-Hixhrah (Medine) dhe kryeqyteti i parë i muslimanëve.
Ky Ramazan i bekuar është një muaj në të cilin Allahu e ka nderuar dhe e ka veçuar me veçori që nuk gjenden në muajt e tjerë. Disa ditë më parë, ne dhe pjesa tjetër e umetit Islam ia dhamë atij lamtumirën. Ne shpresojmë që të gjithë ti përkasin atyre që fituan kënaqësinë e Zotit (xhele xhelaluh). Nëse kjo është një kohë e shkëlqyer dhe një periudhë e shenjtë që na ka braktisur ne dhe muslimanët e gjithë botës, ne duhet të dimë se – elhamdulilah – jetojmë në një qytet të shenjtë. Allahu na ka bërë të përjetojmë Ramazanin në një periudhë të nderuar dhe në një qytet të nderuar.
Në qoftë se periudhës së nderuar po i vjen fundi, qyteti i nderuar ende mbetet. Ne e kemi përpara nesh xhaminë e profetit (salAllahu alejhi ue selem) që është një nga tregjet e ahiretit. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) na tregoi se një namaz në xhaminë e tij është një mijë herë më i mirë se në të gjitha xhamitë tjera përveç xhamisë së shenjtëtë të Mekes (qabes). Kjo është një mirësi e madhe nga Allahu. Një namaz në këtë xhami të bekuar, në xhamin e të dërguarit fisnik (salAllahu alejhi ue selem) është një mijë herë më mirë se në të gjitha xhamitë tjera, përveç xhamisë së shenjtë (qabes). Njerëzit që preokupohen me tregti të kësaj bote përpiqen që të përjetojnë sezone fitimprurëse. Ata u ekspozohen rreziqeve, duke kaluar shkretëtirën dhe lëvizin nga një vend në një tjetër me tregëtinë (mallin) e tyre, nëse ata e mësojnë se do të fitojnë një monedhë në tregti. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Në këtë qytet të bukur, një namaz në xhaminë e njeriut më të mirë (salAllahu alejhi ue selem) nuk korrespondon me vetëm një, dy, tre, dhjetë apo edhe njëqind namaze. Në fakt është një mijë herë më i mirë se në të gjitha xhamitë me përjashtim të xhamisë së shenjtë. I madh është Allahu në lavdinë e Tij! Sa e madhe që është mirësia e Tij dhe sa e gjerë që është bujaria dhe shpërblimi i Tij! Hamdi dhe lavdërimi i qoftë Allahut për dhuratat e Tij.
Por ashtu sikurse begatitë dhe mirësitë e Allahut ndaj nesh në Tajiben (Medinen) e bukur janë të mëdha dhe kolosale, ne nuk duhet të harrojmë se këto mirësi korrespondojnë me një përgjegjësi që është aq sa ato. Sikurse që veprat e mira shpërblehen me një shpërblim të madh në këtë qytet, duhet të dini se mëkatet në këtë qytet nuk janë sikurse mëkatet në qytetet e tjera të cilat nuk kanë vlerë si ky qytet. Ai që mëkaton larg nga Haremi (Meka) nuk është sikurse ai që mëkaton në Harem. Ai që mëkaton në Lindje dhe në Perëndim nuk është si ai që e bën atë në Mekën fisnike dhe në Medinën e ndriçuar. Dallimi në mes të dyjave është shumë i madh. El-Madina e ndriçuar është vendi më madhështor dhe më i shenjtë në tokë pas Mekës fisnike. El-Madina pra vjen pas Mekës në vlera. Pastaj vjen xhamia el-Aksa.
Ky qytet i bekuar është qyteti i shpalljes. Nga ky qytet u përhap drita në gjitha qoshet e botës. Qyteti është një qendër, dhe ishte kryeqyteti i parë i muslimanëve në kohën e të dërguarit, pasi ai kishte emigruar këtu. Po ashtu ai ishte kryeqytet në kohën e Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe gjatë një pjese të epokës së Aliut – Allahu qoftë i kënaqur me ata të gjithë.
Këtu është varri i të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem), i Ebu Bekrit, i Umerit, i Uthmanit dhe shumë sahabëve të tjerë – Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Në këtë tokë zbriti Xhibrili (alejhis selam) nga Allahu tek Muhammedi (salAllahu alejhi ue selem) me shpallje. Në këtë vend është universiteti i parë Islam dhe prej studentëve të tij më të shkëlqyer ishin Ebu Bekr es-Sidiki, Umer el-Faruki, Uthman Dhun-Nurejn dhe Aliu kushëriri dhe dhëndri i profetit (salAllahu alejhi ue selem), dhe kalifi i katërt – Allahu qoftë i kënaqur me ta dhe me të gjithë sahabët e tjerë. Në këtë tokë kanë ecur elita dhe më të mirët pas profetëve, domethënë sahabët e të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem) – Allahu qoftë i kënaqur me ata të gjithë.
Pasi që Allahu na ka bërë neve që të mbetemi në këtë qytet, kemi çdo të drejtë që të furnizojmë veten me vepra të mira që do të na sjellin dobi pas vdekjes, dhe që ne ti shmangemi çdo gjëje që shpie në hidhërimin e Allahut (azze ue xhel).
E lus Allahun (te ala) që të pranojë agjërimin dhe namazin tonë gjatë natës, të na furnizojë me një qëndrim të bukur dhe një sjellje të bukur në këtë qytet të bukur dhe të na bëjë që të kemi një fund të bukur.
Unë gjithashtu shpresoj që Allahu (subhaneh) ti bëjë të gjithë muslimanët që ti kthehen Librit të Tij dhe Sunnetit të dërguarit të Tij (salAlahu alejhi ue selem) në mënyrë që ata të arrijnë lumturinë në këtë jetë dhe në jetën e përtejme.
Me të vërtetë Ai është që dëgjon dhe i përgjigjet lutjeve. Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi robin, të dërguarin, mikun e Tij të ngushtë dhe krijimin më të mirë Muhammed bin Abdil-lah, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimin e tij deri në Ditën e Gjykimit.