Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Fëmija në safin e parë

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (. 1421)
El-Lika Esh-Shehri (78 B)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: A lejohet që imami të largojë një fëmijë nga safi nëse ai është më i vogël se shtatë vjeç?

Përgjigje: Nuk është e lejuar as për imamin e as për dikë tjetër që të largojë një fëmijë nga safi përveç nëse ai shkakton shqetësim, si për shembull bën zhurmë, sillet lart e poshtë mes safave apo bën diçka që prish qetësinë e namazit. Në raste të tilla lejohet që ai të nxirret nga safi dhe të njoftohet kujdestari i tij duke e këshilluar se me heshtjen ndaj këtij shqetësimi ai mëkaton. Përndryshe nuk lejohet të largohen fëmijët, ata duhet të qëndrojnë në vendet e tyre.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që arrin i pari në një vend, ka më shumë të drejtë për të.”

Transmeton Ebu Daudi (3071), Bejhaki (6/142) dhe Tabarani (2/76/1). Hadithi është i dobët sipas imam Albanit në Irua-ul-Ghalil (1554).

Në lidhje me fjalët e profetit :

“Le të qëndrojnë pas meje në saf ata që janë më të mençurit dhe më të pjekurit ndër ju, pastaj ata që vijnë pas tyre (në gradën e mençurisë dhe pjekjes), pastaj ata që pasojnë!”

Tansmeton Muslimi (432).1

Pra profeti ﷺ urdhëroi të pjekurit e të mençurit që të jenë më afër imamit por nuk ndaloi që të tjerët të qëndrojnë aty. Sikur të kishte thënë që askush përveç të pjekurve dhe të mençurve të mos qëndrojë pas tij, atëherë do të kishim larguar të vegjlit nga ai vend.

Por ai tha:

“Le të…”

Ky është një urdhër dhe jo ndalim. Ai urdhëroi të pjekurit dhe të mençurit që të qëndrojnë pas tij.

Përveç kësaj të vegjlit mund të ndikohen nga fakti që i largojnë. Ndoshta ata fillojnë të urrejnë personin që i largoi, xhaminë dhe xhematin. Kjo mund të ndikojë në ta në të ardhmen. Fëmijët nuk harrojnë. Mendo për shembull për veten tënde kur ishe i vogël dhe dikush të rrahu, ende nuk e ke harruar atë.


1 Hadithi i plotë Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- rrëfeu: I dërguari i Allahut ﷺ na prekte në shpatulla para namazit dhe na thoshte:

Qëndroni drejtë dhe mos qëndroni të shtrembër apo të çrregullt, që zemrat tuaja të mos përçahen. Le të qëndrojnë pas meje në saf ata që janë më të mençurit dhe më të pjekurit ndër ju, pastaj ata që vijnë pas tyre (në gradën e mençurisë dhe pjekjes), pastaj ata që pasojnë!”

Tansmeton Muslimi (432).

Shpërndaje: