Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Gjykimi i Islamit mbi magjinë dhe fallin

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Gjykimi i Islamit mbi fallin dhe magjinë
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Hamdi i përket vetëm Allahut, Falësit të mëkateve dhe Atij që e pranon shumë pendimin. Selamet dhe salavatet e Tij qofshin mbi profetin tonë Muhamedin ﷺ, vula e të gjithë profetëve dhe të dërguarve, dhe mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Si rezultat i rritjes së numrit të magjistarëve dhe të fallxhorëve në kohët e fundit, të cilët pretendojnë se janë në gjendje të shërojnë njerëzit por që në të vërtetë kurojnë nëpërmjet magjisë, duke pasur parasysh përhapjen e tyre në disa vende Islame dhe mënyrën se si ata shfrytëzojnë disa njerëz mendjelehtë dhe injorantë, e pashë të nevojshme që të sqarojë rrezikun e madh që këta njerëz i shkaktojnë Islamit dhe muslimanëve sepse kjo vepër shkakton që njerëzit të lidhen me dikë tjetër përveç Allahut dhe po ashtu kundërshtohen urdhrat e Tij dhe urdhrat e të dërguarit të Tij ﷺ.

Lejohet kurimi dhe përdorimi i ilaçeve për të gjitha llojet e sëmundjeve, muslimanit i lejohet të vizitojë mjekun internist, kirurgun apo neurologun e të tjerë për diagnozë, si dhe i lejohet të përdorë ilaçet të cilat  janë të lejuara sipas sheriatit. Kjo marrje e shkaqeve të zakonshme nuk bie në kundërshtim me mbështetjen tek Allahu sepse Allahu e ka dërguar sëmundjen dhe në të njëjtën kohë ka dërguar edhe ilaçin e asaj. E dinë atë ilaç ata që e dinë dhe pjesa tjetër nuk e dinë, por Allahu nuk ka vendosur ilaçin në diçka që ka ndaluar.

Prandaj nuk i lejohet të sëmurit që të kërkojë ndihmë nga fallxhorët të cilët pretendojnë se e dinë të fshehurën. Gjithashtu i ndalohet që të besojë në atë që thonë ata sepse ajo që thonë ata është vetëm përpjekje që t’ia qëllojnë njohjes së të fshehtës me ndihmën e xhinëve, dhe u kërkojnë ndihmë xhinëve në realizimin e qëllimeve të tyre në fallin dhe magjinë e tyre. Gjykimi mbi këta njerëz të cilët pretendojnë se e dinë të fshehurën është kufri (dalja nga feja) dhe devijimi.

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:

“Kush shkon tek magjistari apo fallxhori dhe i beson fjalëve të tij, e ka mohuar atë që i është zbritur shpallur Muhamedit.” (Ebu Daudi).

 Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë:

“Kush shkon tek fallxhori ose tek parashikuesi i së ardhmes dhe i beson fjalëve të tij, e ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit.” (Hakimi).

“Kush shkon tek parashikuesi i së ardhmes ose tek fallxhori dhe e pyet për diçka, atij nuk i pranohet namazi për 40 ditë.” (Muslimi).

Imran bin Husejn -radijAllahu anhu- ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:

“Nuk është prej nesh ai që beson në ogure (besëtytni), apo ai që i kërkon dikujt tjetër ta bëjë këtë për të, nuk është prej nesh ai që hedh fall, apo ai që i kërkon dikujt tjetër të bëjë fall për të, nuk është prej nesh ai që bën magji, ose kërkon që të bëhet magji për të. Kush shkon tek fallxhori dhe i beson fjalëve të tij, e ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit.” (El-Bezar).

Transmetimet gjithashtu tregojnë edhe kufrin e fallxhorëve dhe të magjistarëve pasi që ata pretendojnë se e dinë të fshehtën dhe ky pretendim është një akt i qartë i kufrit. Këta individë nuk mund të arrijnë qëllimet e tyre pa ndihmën e xhinëve të cilët ata i adhurojnë karshi Allahut. Ata që u besojnë atyre në pretendimin e tyre se ata e dinë të fshehurën, janë njësojë si ata, dhe profeti ﷺ distancohet prej të gjithë këtyre.

Muslimanit nuk i lejohet që të nënshtrojë veten ndaj asaj që supozohet të jetë shërim sikurse shkrirja e plumbit dhe shkrimi i fjalëve të pakuptueshme të shoqëruara me vizatime dhe vija dhe trillime tjera sepse të gjitha këto janë vetëm fall, magji dhe mashtrim i njerëzve. Ai që e pranon atë që ata bëjnë, në fakt e ndihmon gënjeshtrën dhe kufrin e tyre siç thotë Allahu në lidhje me dy engjëjt (Harutin dhe Marutin):

وَمَا يُعَلِّمَانِ مِنْ أَحَدٍ حَتَّىٰ يَقُولَآ إِنَّمَا نَحْنُ فِتْنَةٌۭ فَلَا تَكْفُرْ ۖ فَيَتَعَلَّمُونَ مِنْهُمَا مَا يُفَرِّقُونَ بِهِۦ بَيْنَ ٱلْمَرْءِ وَزَوْجِهِۦ ۚ وَمَا هُم بِضَآرِّينَ بِهِۦ مِنْ أَحَدٍ إِلَّا بِإِذْنِ ٱللَّهِ ۚ وَيَتَعَلَّمُونَ مَا يَضُرُّهُمْ وَلَا يَنفَعُهُمْ ۚ وَلَقَدْ عَلِمُوا۟ لَمَنِ ٱشْتَرَىٰهُ مَا لَهُۥ فِى ٱلْـَٔاخِرَةِ مِنْ خَلَـٰقٍۢ ۚ وَلَبِئْسَ مَا شَرَوْا۟ بِهِۦٓ أَنفُسَهُمْ ۚ لَوْ كَانُوا۟ يَعْلَمُونَ

”Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magjinë, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në sprovë, andaj ti mos u bë mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” El-Bekare, 2:102

Ky ajet dëshmon se magjia është një vepër e kufrit dhe se magjistarët e ndajnë burrin nga gruaja e tij. Ky ajet gjithashtu tregon se magjia vetvetiu nuk mund të ndikojë por vetëm me lejen e Allahut sepse Ai e ka krijuar të mirën dhe të keqen.

Për fat të keq dëmi i magjistarëve të cilët kanë trashëguar njohuritë e tyre nga idhujtarët është rritur dhe ata kanë arritur t’i mashtrojnë njerëzit mendjelehtë. Ajeti gjithashtu dëshmon se ata të cilët e mësojnë magjinë në fakt mësojnë gjëra që i dëmtojnë ata dhe nuk u bëjnë dobi, dhe se ata nuk do të kenë hise në shpërblimin e Allahut në ditën e ringjalljes. Kjo është me të vërtetë një paralajmërim i tmerrshëm që tregon një humbje të madhe në këtë jetë dhe në jetën tjetë, dhe se këta individë kanë shitur veten për një çmim të lirë. Kjo është arsyeja pse Allahu ka folur me përçmim kundër këtyre njerëzve kur Ai thotë:

وَلَبِئْسَ مَا شَرَوْا۟ بِهِۦٓ أَنفُسَهُمْ ۚ لَوْ كَانُوا۟ يَعْلَمُونَ

”Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!” El-Bekare, 2:102

Allahu u ka ligjësuar mënyra robërve të Tij me të cilat ata mund të mbrohen kundër magjisë para se të ndodhë ajo. Ai gjithashtu nga mëshira e Tij, mirësia, dhe për të përmbushur të mirat e Tij, ka sqaruar se si ata mund të shërojnë veten e tyre pasi të ndodhë ajo. Këto që vijojnë janë disa nga mënyrat me të cilat ata mund të mbrohen kundër magjisë para se të ndodhë ajo, po ashtu ta largojnë magjinë në mënyra të lejuara Islame pas ndikimit të saj në njerëzit. Një nga mënyrat më të rëndësishme për t’u mbrojtur kundër magjisë para se të ndodhë ajo është që të mbrosh veten tënde me Kuran dhe me lutjet profetike sikurse leximi i ajetit Kursi, ku Allahu thotë:

ٱللَّهُ لَآ إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلْحَىُّ ٱلْقَيُّومُ ۚ لَا تَأْخُذُهُۥ سِنَةٌۭ وَلَا نَوْمٌۭ ۚ لَّهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۗ مَن ذَا ٱلَّذِى يَشْفَعُ عِندَهُۥٓ إِلَّا بِإِذْنِهِۦ ۚ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ ۖ وَلَا يُحِيطُونَ بِشَىْءٍۢ مِّنْ عِلْمِهِۦٓ إِلَّا بِمَا شَآءَ ۚ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ ۖ وَلَا يَـُٔودُهُۥ حِفْظُهُمَا ۚ وَهُوَ ٱلْعَلِىُّ ٱلْعَظِيمُ

“Ai është i Përjetshmi (i Cili nuk vdes kurrë) dhe është Mbajtësi (Mbikëqyrësi) i çdo gjëje që ekziston. Atë nuk e kap as kotje dhe as gjumë. Gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pos me lejen e Tij? (Allahu) Ai di se çfarë u ndodh krijesave të Tij në këtë botë, dhe çfarë do t’u ndodhë atyre në botën tjetër, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi i Tij shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe kujdesi i Tij ndaj të dyjave nuk i vjen rëndë. Ai është i Larti, Madhështori!” El-Bekare, 2:255

Ky ajet duhet të lexohet pas çdo namazi farz, pas lutjeve të mbrëmjes dhe mëngjesit dhe para rënies në gjumë. Ky ajet është ajeti më madhështorë në Kuran. Gjithashtu duhet lexuar tre suret e fundit të Kuranit, nga një herë pas çdo namazi farz (pas namazit të drekës, ikindisë, jacisë), si dhe tre herë pas faljes së sabahut dhe pas namazit të akshamit:

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ اللَّهُ الصَّمَدُ لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ 

“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (as i krahasueshëm) me Atë! El-Ikhlas, 112:1-4

قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ مِن شَرِّ مَا خَلَقَ وَمِن شَرِّ غَاسِقٍ إِذَا وَقَبَ وَمِن شَرِّ النَّفَّاثَاتِ فِي الْعُقَدِ وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ

Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit që të më mbrojë nga sherri i gjithçkaje që Ai ka krijuar dhe nga sherri i natës kur kaplon terri, dhe nga sherri i falltarëve që fryjnë në nyje (duke bërë magji), dhe nga sherri i smirëziut kur vepron me smirë.” El-Felek, 113:1-5

قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاسِ مَلِكِ النَّاس إِلَٰهِ النَّاسِ مِن شَرِّ الْوَسْوَاسِ الْخَنَّاسِ الَّذِي يُوَسْوِسُ فِي صُدُورِ النَّاسِ مِنَ الْجِنَّةِ وَالنَّاسِ

Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve (qoftë ai djall) prej xhinëve apo njerëzve!” En-Nas, 114:1-6

Përveç kësaj duhet lexuar dy ajetet e fundit të sures El-Bekare ku Allahu (më i Larti) thotë:

آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَ ۚ كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ وَمَلَائِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ لَا نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِّن رُّسُلِهِ ۚ وَقَالُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۖ غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ الْمَصِيرُ لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا ۚ لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا اكْتَسَبَتْ ۗ رَبَّنَا لَا تُؤَاخِذْنَا إِن نَّسِينَا أَوْ أَخْطَأْنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تَحْمِلْ عَلَيْنَا إِصْرًا كَمَا حَمَلْتَهُ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِنَا ۚ رَبَّنَا وَلَا تُحَمِّلْنَا مَا لَا طَاقَةَ لَنَا بِهِ ۖ وَاعْفُ عَنَّا وَاغْفِرْ لَنَا وَارْحَمْنَا ۚ أَنتَ مَوْلَانَا فَانصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِرِينَ

”I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij e po ashtu edhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhrin. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë! Dhe te Ti do të kthehemi!” Allahu nuk obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij. Secili merr shpërblim për atë (të mirë) që ka vepruar dhe (po kështu) secili merr dënim për atë (të keqe) që ka vepruar. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je Mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër kuvarëve (mohuesve)!” El-Bekare, 2:285-286

Profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që gjatë natës e lexon ajetin Kursi, do të jetë i mbrojtur nga Allahu, dhe shejtani nuk do t’i afrohet (tërë natën).”

Transmeton Bukhariu.

Ai ﷺ gjithashtu ka thënë:

 “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures El-Bekare në një natë, i mjaftojnë atij për atë natë.”

Transmeton Bukhariu, Muslimi.

Do të thotë se këto dy ajete i mjaftojnë si mbrojtje nga çdo e keqe.

Duhet gjithashtu t’i kushtohet rëndësi shtesë që për çdo ditë dhe natë, ose në qoftë se shkon në një vend të ri (gjatë udhëtimit) pavarësisht nëse je në tokë, deti apo ajër që të kërkosh mbrojtje tek Allahu me emrat e Tij të përsosur, nga e keqja që Ai ka krijuar. Në bazë të fjalëve të profetit ﷺ:

“Ai që mbërrin një vend dhe thotë tre herë:

أَعُوذُ بِكَلِمَاتِ الله التامَّاتِ من شَرِّ مَا خَلَقَ

“Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga e keqja që ka krijuar.”

Nuk do t’i bëj dëm asgjë derisa të largohet nga ai vend.”

Transmeton Ahmedi, Nesai, Ibn Sunnij, Tirmidhi, Ibn Maxheh.

Profeti ﷺ na ka nxitur që të themi në çdo në mëngjes dhe në mbrëmje këtë lutje nga tre herë:

 بِسْمِ اللهِ الَّذِي لاَ يَضُرُّ مَعَ اسْمِهِ شَيء في الأرْضِ وَلاَ في السَّمَاءِ وَهُوَ السَّمِيعُ العَلِيمُ

“Me emrin e Allahut, me emrin e të Cilit asgjë nuk mund të dëmtojë as në tokë e as në qiell dhe Ai dëgjon çdo gjë dhe është Gjithëdijshmi.”

Ai ﷺ ka thënë kush e thotë këtë lutje tre herë në mëngjes dhe në mbrëmje, nuk i bëhet dëm asgjë.

Transmeton Tirmidhi i cili tha: “Hadithi është i mirë dhe autentik.

Lutjet dhe Kurani janë ndër shkaqet më të forta për ruajtjen nga dëmi i magjisë dhe të këqijave të tjera nëse kujdesesh dhe i thua vazhdimisht me besim, sinqeritet, bindje të sigurt në fjalët e Allahut dhe me mbështetje tek Ai.

Gjithashtu këto lutje janë arma me e fortë kundër largimit të magjisë pasi ajo të ketë ndodhur, përveç ibadetit ndaj Allahut dhe t’i lutesh Atij që të ta largoj të keqen dhe dëmin nga ti.

Ka edhe lutje të përgjithshme të sakta të cilat i ka thënë profeti ﷺ në mënyrë për të larguar magjinë dhe sëmundjet, sikurse lutjen të cilin ai e përdori mbi një prej shokëve të tij:

اَللَّهُمَّ رَبَّ النَّاسِ أَذْهِبْ الْبَاْسَ وَ اشْفِ أَنْتَ الشَّافيِ لاَ شِفاَءَ إِلاَّ شِفاّؤُكَ شِفاَءَ لاَ يُغاَدِرُ سَقَماً

“O Allah! Zoti i njerëzve, largoje të keqen; shëro sepse vetëm Ti je Shëruesi, shërim i cili nuk lë ndonjë pasojë.”

Kjo duhet të thuhet tre herë.

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Dhe lutjen me të cilën Xhibrili i bëri rukje të dërguarit ﷺ:

باسْمِ اللهِ أَرْقِيكَ، مِن كُلِّ شيءٍ يُؤْذِيكَ، مِن شَرِّ كُلِّ نَفْسٍ، أَوْ عَيْنِ حَاسِدٍ، اللَّهُ يَشْفِيكَ باسْمِ اللهِ أَرْقِيكَ

“Me emrin e Allahut të bëj rukje ndaj çdo gjëje që të lëndon dhe ndaj të keqës së çdo shpirti dhe çdo syri ziliqar, Allahu të shëroftë. Me emrin e Allahut, të bëj rukje.”

Kjo lutje duhet të thuhet tre herë.

Transmeton Muslimi.

Prej trajtimeve që përdorën kundër magjisë pasi që ajo të ndodhë, e që është gjithashtu një ilaç i dobishëm për burrin i cili nuk mundet të bëjë marrëdhënie intime me gruan e tij, është që të merren shtatë gjethe të njoma nga pema e sidrit (pema lotus), të shtypën, të vendosen në një enë me ujë, dhe të lexohen suret dhe ajetet e mëposhtme mbi enën;

Ajeti-Kursi, suret el-Ikhlas, el-Felek, en-Nas dhe ajetet që flasin për magjinë:

 وَأَوْحَيْنَا إِلَىٰ مُوسَىٰ أَنْ أَلْقِ عَصَاكَ ۖ فَإِذَا هِيَ تَلْقَفُ مَا يَأْفِكُونَ فَوَقَعَ الْحَقُّ وَبَطَلَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ فَغُلِبُوا هُنَالِكَ وَانقَلَبُوا صَاغِرِينَ

“Atëherë Ne i kumtuam Musait: “Hidhe shkopin tënd!” Dhe ai filloi të gëlltiste gjithçka që trilluan ata. Në këtë mënyrë doli në shesh e vërteta dhe dështoi ajo që kishin bërë ata. Kështu, Faraoni dhe njerëzit e tij u mundën dhe u kthyen të poshtëruar.” Al-A’raf, 7:117-119

وَقَالَ فِرْعَوْنُ ائْتُونِي بِكُلِّ سَاحِرٍ عَلِيمٍ فَلَمَّا جَاءَ السَّحَرَةُ قَالَ لَهُم مُّوسَىٰ أَلْقُوا مَا أَنتُم مُّلْقُونَ فَلَمَّا أَلْقَوْا قَالَ مُوسَىٰ مَا جِئْتُم بِهِ السِّحْرُ ۖ إِنَّ اللَّهَ سَيُبْطِلُهُ ۖ إِنَّ اللَّهَ لَا يُصْلِحُ عَمَلَ الْمُفْسِدِينَ وَيُحِقُّ اللَّهُ الْحَقَّ بِكَلِمَاتِهِ وَلَوْ كَرِهَ الْمُجْرِمُونَ فَمَا آمَنَ لِمُوسَىٰ إِلَّا ذُرِّيَّةٌ مِّن قَوْمِهِ عَلَىٰ خَوْفٍ مِّن فِرْعَوْنَ وَمَلَئِهِمْ أَن يَفْتِنَهُمْ ۚ وَإِنَّ فِرْعَوْنَ لَعَالٍ فِي الْأَرْضِ وَإِنَّهُ لَمِنَ الْمُسْرِفِينَ

Faraoni tha: “M’i sillni të gjithë magjistarët e shkathët!” Pasi erdhën magjistarët, Musai u tha: “Hidhni ç’keni për të hedhur!” Kur ata i hodhën, Musai tha: “Kjo që keni sjellë ju është magji dhe vërtet, Allahu do ta shkatërrojë atë sepse Allahu nuk e përkrah veprën e mufsidunëve (keqbërësve, të korruptuarve, të prishurve). Allahu, me fjalën e Tij e forcon të vërtetën, edhe sikur ta urrejnë keqbërësit këtë!” Junus, 10:79-82

قَالُوا يَا مُوسَىٰ إِمَّا أَن تُلْقِيَ وَإِمَّا أَن نَّكُونَ أَوَّلَ مَنْ أَلْقَىٰ قَالَ بَلْ أَلْقُوا ۖ فَإِذَا حِبَالُهُمْ وَعِصِيُّهُمْ يُخَيَّلُ إِلَيْهِ مِن سِحْرِهِمْ أَنَّهَا تَسْعَىٰ فَأَوْجَسَ فِي نَفْسِهِ خِيفَةً مُّوسَىٰ قُلْنَا لَا تَخَفْ إِنَّكَ أَنتَ الْأَعْلَىٰ وَأَلْقِ مَا فِي يَمِينِكَ تَلْقَفْ مَا صَنَعُوا ۖ إِنَّمَا صَنَعُوا كَيْدُ سَاحِرٍ ۖ وَلَا يُفْلِحُ السَّاحِرُ حَيْثُ أَتَىٰ فَأُلْقِيَ السَّحَرَةُ سُجَّدًا قَالُوا آمَنَّا بِرَبِّ هَارُونَ وَمُوسَىٰ 

Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”.  Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet (si gjarpërinj) për shkak të magjisë së tyre. Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete. Ne i thamë: “Mos u frikëso se në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata sepse ajo që kanë bërë ata është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet.” Ta-Ha, 20:64-69

Pasi t’i lexon këto mbi enën me ujë, ai duhet të pijë prej saj tre herë dhe të lahet me pjesën e mbetur. Në këtë mënyrë do t’i largohet ajo që e ka goditur (në dashtë Allahu), nëse është e nevojshme nuk ka të keqe që të përsëris këtë dy herë apo më shumë derisa të shërohet.

Ndër mënyrat më të mira për të larguar magjinë është përpjekja për të gjetur vendndodhjen e magjisë qoftë e groposur në tokë, e fshehur në mal, në det apo diku tjetër sepse nëse zbulohet vendndodhja e saj, e nxjerr atë dhe e prish atë dhe kështu zhduket efekti i saj. Këto janë disa nga mënyrat me të cilat mbrohemi nga magjia dhe me të cilat shërohemi prej magjisë. Allahu është Ai që jep sukses.

Shërimi i magjisë me anë të magjisë është i ndaluar, si për shembull: magjistari ther kurban për xhinët ose ther në emër të tyre apo duke bërë lloje të tjera adhurimi. Megjithatë, kjo është e ndaluar sepse kjo është nga veprat në të cilat nxit shejtani, madje është shirk i madh, prandaj është detyrë t’i ruheni kësaj vepre. Po ashtu nuk lejohet kurimi i të sëmurit nëpërmjet fallxhorëve apo shortarëve, dhe nuk lejohet veprimi i asaj që ata urdhërojnë për shkak se ata janë kufarë, gënjeshtarë, mashtrues dhe mëkatarë që pretendojnë se e dinë të fshehurën dhe i hutojnë njerëzit. Profeti ﷺ  na ka tërhequr vërejtjen që të mos shkojmë tek ta, që të mos i pyesim ata apo që t’u besojmë atyre siç u përmend në fillim të këtij libri.

Njëherë profeti ﷺ u pyet në lidhje me en-Nushrah (prishja e magjisë me anë të magjisë), veprim të cilin e bënin idhujtarët para ardhjes së profetit, dhe ai u përgjigj:

“Ajo është prej veprave të shejtanit.” Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi me zinxhir të mirë.

Ndërsa prishja e magjisë me rukje, dhikre dhe lutje të transmetuara, apo me ilaçe të lejuara lejohet dhe nuk përbën problem sikurse e kemi qartësuar më sipër. Këtë gjë që sapo e sqaruam e kanë shprehur qartë shumë dijetarë sikurse edhe alameh  Ibn Kajimi dhe shejkh Abdurr-Rrahman ibn Hasen në Fet’hul Mexhid, si dhe dijetarë të tjerë.

E lus Allahun t’i japë sukses muslimanëve që të shpëtojnë nga çdo e keqe, t’i ruajë ata në fenë e tyre dhe t’i bëjë ta kuptojnë fenë, dhe t’i ruajë Ata nga çdo gjë që bie në kundërshtim me sheriatin.

Dhe selamet dhe salavatet e Allahut qofshin mbi robin dhe të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Shpërndaje: