Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Gjykimi i kompensimit të agjërimit të Ramazanit për atë që ka vdekur dhe që ka qenë i justifikuar

Shejkh Muhammed ibn Ali el-Ferkus

Burimi: https://ferkous.com/home/?q=fatwa

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Një vajzë e sëmurë nuk mundi të agjërojë 2 muaj Ramazani radhazi dhe nuk ishte në gjendje t’i kompensonte për shkak të sëmundjes nga e cila dhe vdiq. Çfarë duhet të bëjnë kujdestarët e saj? Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigja: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij të cilin Ai e dërgoi si mëshirë për gjithë botërat, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi vëllezërit e tij deri në ditën e gjykimit, dhe pastaj:

Kushdo që vdes dhe ka ditë agjërimi për të kompensuar nga muaji i Ramazanit, kujdestari i tij duhet të ushqejë një të varfër për çdo ditë në sasi të barasvlershme sa gjysmë sa’a dhe nuk i lejohet të agjërojë për të (për të vdekurin) sepse agjërimi farz i Ramazanit në këtë rast është sikurse namazi. Ashtu sikurse askush nuk mund ta kryejë faljen e namazit për atë që ka vdekur, ashtu dhe agjërimin nuk mund ta kryejë askush për atë që ka vdekur përveçse nëse ai agjërim është për shkak të zotimit që ka bërë i vdekuri pasi në rast se i vdekuri ka patur detyrim për të agjëruar për shkak të një zotimi që ka bërë, atëherë duhet që kujdestari i tij (ueliu) të agjërojë në vend të tij për shkak të hadithit të transmetuar nga Aishah (radijAllahu anha) e cila thotë se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Kush vdes dhe ka patur ditë për të agjëruar, të agjërojë për të kujdestari i tij.” 1

Dhe ky hadith, dhe pse është gjithëpërfshirës, dispozita  e tij vlen vetëm në rastin e zotimit për të agjëruar pasi në këtë rast zotimi është detyrim sikurse borxhi, dhe në këtë rast kujdestarit i pranohet agjërimi në vend të të vdekurit ashtu sikurse kujdestari bën shlyerjen e borxhit për të vdekurin. Ky është mendimi i Aishes, i Ibn Abbasit (radijAllahu anhum), dhe kjo është ajo që është transmetuar prej Seid ibn Xhubejrit, Ahmed ibn Hanbelit dhe të tjerëve përveç këtyre, Allahu i mëshiroftë. Dhe këtë mendim ka patur Ibn Kajim el-Xheuzijeh.2

Dhe e përforcojnë këtë mendim dy hadithet që vijojnë më poshtë:

1-Hadithi i transmetuar nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) ku thotë:

”Erdhi një burrë tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: O i dërguari i Allahut, nëna ime vdiq dhe ajo ishte zotuar për të agjëruar një muaj, a të agjëroj unë në vend të saj? I dërguari i Allahut i tha: Nëse ajo do të kishte borxh për të shlyer, a do ta shlyeje ti borxhin për të? Burri i tha: Po. I dërguari i Allahut i tha: Borxhi që ka ndaj Allahut është më parësor për t’u shlyer.” 3

2-Dhe gjithashtu në hadithin tjetër të transmetuar prej Ibn Abbasit se Sead ibn Ubadeh (radijAllahu anhu) e pyeti të dërguarin e Allahut dhe i tha:

“Nëna ime vdiq dhe ka zotim pa shlyer? I dërguari i Allahut i tha: Kryeje ti zotimin në vend të saj.”4

Pra është i saktë agjërimi në vend të të vdekurit kur ai ishte zotuar për të agjëruar për shkak të këtyre haditheve, ndërsa dispozita e mosagjërimit në mënyrë absolute për dikë tjetër (përveç rastit të zotimit), përfshihet në thënien e Ibn Umerit (radijAllahu anhuma) ku thotë:

”Askush nuk duhet të agjërojë për dikë tjetër.”5

Dhe dija e plotë i takon Allahut të Lartësuar.


1 Bukhari (1952), Muslimi (1147).

2 Në “Ilam el-Muekiin” 4/382 dhe në “Tehdhib es-Sunen” 7/38.

3 Bukhari (1952), Muslimi (1948).

4 Bukhari (2761), Muslimi (1638).

5 Maliku në “Mueta” 1/303, el-Bejhaki (8215), e ka saktësuar isnadin Ibn Haxheri në “Talkhis el-Khabir” 2/454.

Shpërndaje: