Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Gjykimi që gratë të shkojnë në banja publike

Imam Xhemal-ud-Din bin el-Xheuzi (v. 597)

Ahkam-un-Nisa, fq. 26-30

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ebuz-Zubejr transmeton nga Xhabiri -radija Allahu anhu-, i cili tregoi se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Kush beson në Allahun dhe në ditën e fundit të mos hyjë në hamam pa një mbulesë rreth këllqeve, kush beson në Allahun dhe në ditën e fundit të mos lejoi gratë e tij të hynë në hamam, kush beson në Allahun dhe në ditën e fundit mos të ulet në tryezën ku shërbehet alkool.

Kur Umer bin Abdul-Azizi e dëgjoi këtë hadith gjatë kalifatit të tij, ai dërgoi një lajmëtar tek Ebu Bekr bin Hazma për ta pyetur Muhammed bin Thebit në lidhje me këtë hadith. Lajmëtari pasi e pyeti, ia ktheu një letër Umerit i cili nga ai çast i ndalojë gratë që t’i vizitojnë banjat-publike.

Selim ka thënë se gratë nga Himsi e vizituan Aishen -radija Allahu anha-.

Aishah u tha atyre: ”Siç duket, ju i vizitoni banjat-publike!”

Ato thanë: ”Po.”

Atëherë ajo tha:

”Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë: 

“Gruaja që zhvesh rrobat e saj jashtë shtëpisë së burrit të saj, vetëm se ka thyer premtimin e saj ndaj Allahut azze ue xhel.”

Mahreh e cila ishte gruaja e Uehb el-Kinaniut ka thënë:

”Hymë tek Aishah -radija Allahu anha- dhe ajo na tha: Siç duket ju jeni gra që vizitoni banjat-publike?”

Ne thamë: “Po.”

Me të dëgjuar këtë, Aishah e thirri një robëreshë që na dëboi nga aty dhunshëm.”

Disa nga kolegët tanë prej Hanbelive i kanë ndaluar që të vizitojnë banjat-publike nëse nuk kanë ndonjë sëmundje e cila mund të shërohet vetëm në to.

E njëjta vlen edhe në rast se gruaja ka nevojë për t’u larë pas periudhës menstruale ose pas nifasit, ose kur është koha shumë e ftohtë dhe është vendi i vetëm në të cilin ka ujë të nxehtë dhe arsye të tjera ngjashme.

Kjo është e vështirë për gratë e sotme të cilat janë mësuar dhe edukuar në banjë-publike. Megjithatë kjo nuk është e vështirë për arabët që nuk e din se çfarë është banja-publike.

Ka dy arsye për këtë gjykim të ashpër:

E para: Kjo do të thotë të hysh në një shtëpi të huaj e cila paraqet një rrezik në vetvete.

E dyta: Kjo do të thotë të shfaqësh pjesët e ndaluara të trupit ndërsa nuk ka asnjë garanci se dikush nuk mund të sheh.
Në rast se rreziku nuk ekziston dhe askush nuk mund t’i shohë pjesët e ndaluara të trupit dhe ka nevojë për banjë-publike atëherë konsiderohet e lejuar pa asnjë të keqe.

E në rast se nuk ka nevojë kjo konsiderohet vepër e urryer duke u bazuar në atë që kemi përmendur më herët. Gratë injorante në përgjithësi nuk kanë turp që të tregojnë auretin e tyre para nënave të tyre, motrat dhe vajzave të tyre.

Në vend të kësaj ato thonë: ”Këto janë të afërmet tona!”

Pra femra duhet ta dijë se kur ajo t’i ketë mbushur shtatë vjet asaj nuk i lejohet t’ia shfaq auretin e saj nënës, motrës apo dikujt tjetër.

Shpërndaje: