“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Gruaja e mirë dhe qëndrimi i saj në lidhje me shejtanin

Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abbad 

Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 19-23

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Një tjetër cilësi që duhet ta ketë gruaja e mirë, është që ajo të largohet nga shejtani i mallkuar. Misioni i shejtanit në këtë jetë është shkatërrimi. Ai shkatërron fenë, moralin, marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, bashkëjetesën, vëllazërinë dhe gjithçka tjetër që përmban mirësi. Çdo ditë ai dërgon dërgues dhe ushtarë për të përmbushur detyrat me të cilat ai i ngarkon. Medito mbi hadithin që e transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Xhabir bin Abdilah (radijAllahu anhuma), se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

إن إبليس يضع عرشه على الماء ثم يبعث سراياه فأدناهم منه منزلة أعظمهم فتنة يجيء أحدهم فيقول : فعلت كذا و كذا فيقول : ما صنعت شيئا ثم يجيء أحدهم فيقول : ما تركته حتى فرقت بينه و بين امرأته فيدنيه منه و يقول : نعم أنت

“Me të vërtetë Iblisi e vendos fronin e tij mbi ujë, pastaj dërgon grupet e tij në drejtime të ndryshme. Ai që ka pozitën më të afërt tek ai, është ai që bën sprovën më të madhe. Kur njëri prej tyre vjen tek ai dhe i thotë se kam bërë këtë gjë dhe atë gjë, ai i thotë: “Ti nuk ke bërë asgjë.” Kur një tjetër vjen dhe thotë: “Unë nuk lash atë derisa e bëra që të ndahet nga gruaja e tij”, ai e merr atë pranë vetes dhe i thotë: “Sa i mirë je!” 1

Prandaj ai dërgon ushtarët dhe emisarët e tij për të bërë shkatërrime. Ai që bëhet më i afërti i Iblisit, është ai që shkakton probleme më të mëdhaja mes njerëzve.

El-A’mesh ka thënë se shejtani e përqafon dhe e afron ushtarin, i cili ndan mes gruas dhe burrit të saj.

Gruaja e drejtë duhet ta ketë parasysh dhe ta kuptojë këtë fakt. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe burri. Që të dy duhet ta kuptojnë se ekziston një armik i tyre i fshehur. Ai të sheh ty, por ti nuk mund ta shohësh atë. Ai ecën brenda teje sikurse gjaku në venat tuaja. Ai pështyn dhe pëshpërit, ai bën komplote dhe planifikon. Ai bën të gjitha këto, ndërsa ti nuk e sheh atë. Ai e bind zemrën tënde dhe zemrën e saj. Ai vjen me dyshime që çojnë në urrejtje. Ai ka shumë mënyra me të cilat vepron.

Prandaj Sunneti ka ardhur me rregullat që e mbrojnë njeriun nga shejtani, kur njeriu hynë në shtëpinë e tij, kur bën marrëdhënie seksuale, kur ushqehet, kur zemërohet dhe në të gjitha çështjet e tjera, në të cilat njerëzit janë në nevojë për t’u mbrojtur nga shejtani, në mënyrë që ai të mos ketë hyrje dhe ndikim në familjet tuaja, në shtëpitë dhe pasardhësit e tuaj. Prandaj, çdonjëri duhet të mbrojë veten e tij me lutje të ndryshme, me lexim të Kuranit fisnik, nëpërmjet lutjeve të transmetuara në Sunnet, duke i shoqëruar këto me bindje të plotë ndaj Allahut dhe me adhurim të duhur ndaj Tij.

Prandaj, gruaja e mirë duhet të qëndrojë larg nga komplotet e shejtanit, dyshimet e tij dhe planet që ai kurdis në shpirtrat e njerëzve përmes së cilave shkatërrohen marrëdhëniet bashkëshortore dhe prishet jeta brenda familjes.

Sa familje dhe shtëpi kanë pësuar ndarje mes vete, për shkak se i janë bindur shejtanit dhe kanë pasuar dyshimet e shtyra nga ai! Nëse secili prej bashkëshortëve të kërkonte mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar dhe t’i shmangej komploteve dhe pëshpëritjeve të tij, nuk do të kishin ndodhur problemet e lartpërmendura.

Sa shtëpi janë shpartalluar për shkak se i janë bindur shejtanit! Pastaj, ky shejtan shkon tek Iblisi për t’u afruar tek ai, duke iu rrëfyer se si ai i ka ndarë dy bashkëshortët.

Është një gjë e dobishme që duhet ta kesh kujdes: “Ky armik i fshehur që të sheh ty dhe që ti nuk mund ta shohësh, ka eksperiencë të madhe. Kur flitet sot rreth disa punonjësve të korporatave dhe për eksperiencën e tyre, bëhet fjalë për më së shumti pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vite eksperiencë. Ndërsa, eksperienca e shejtanit për t’i devijuar njerëzit, për t’i tërhequr nga rruga e Allahut dhe për të përhapur armiqësi ndërmjet tyre, është mijëra vjeçare. Sa shumë njerëz kanë vdekur dhe janë varrosur pasi të kenë qenë të burgosurit e shejtanit dhe pasi të kenë rënë në shkatërrimin dhe devijimin e tij! Prandaj, familjet muslimane duhet të mbrohen dhe të qëndrojnë larg nga shejtani i mallkuar.”


1 Muslim (2813)

Shpërndaje: