Alameh Rabi ibn Hadi el-Medkhali
Burimi: Libri ”Hadithe profetike rreth akides dhe pasimit”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
“Shenjat e hipokrizisë”
Abdullah ibn Amr (radijAllahu anhu) tregon se profeti ﷺ ka thënë:
“Ai që i ka këto katër tipare është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, atëherë ka një prej tipareve të hipokrizisë derisa ta braktisë atë. Ato janë:
Kur flet, gënjen.
Kur premton, e thyen premtimin.
Kur i besohet diçka, tradhton.
Kur polemizon, bëhet vulgar.”
Transmetojnë Bukhari (34), Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhi, Nesai dhe Ahmedi.
Transmetuesi i hadithit:
Amr ibn Abdullah ibn el-As el-Kureshi el-Sehmi. Llagapi i tij është Ebu Muhammed dhe thuhet se është Ebu Abdirr-Rrahman. Një nga paraardhësit e hershëm dhe ishte një nga ata që transmetuan shumë hadithe. Ai ishte një nga dijetarët e rregullave Islame. Ai vdiq në vitin 68 h.
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:
Hipokrizia është një sëmundje e madhe dhe një rrezik i madh për Islamin dhe muslimanët. Është një tipar i urryer për disa njerëz të cilët shtiren si musliman me qëllim që të mashtrojnë dhe të arrijnë përfitime materiale dhe pastaj për të shpëtuar nga shpata e Islamit.
Allahu i ka mallkuar hipokritët, i ka poshtëruar ata dhe i kërcënuar ata me një dënim të ashpër në thellësinë e zjarrit.
Ai ka përmendur atributet e tyre të urryera në shumë ajete në Kuran. Në suren el-Bekare, en-Nisa,Teubeh, el-Muxhedilah, el-Hashr dhe në suren Munafikun. E gjithë kjo në mënyrë që besimtari t’i njeh ata dhe të ruhet nga sherri dhe mashtrimi i tyre.
Dhe profeti ﷺ qartësoi në këtë hadith katër prej tipareve të tyre dhe veçoritë dalluese:
E para: Kur i besohet tradhton. Dhe sa atribut i keq që është ky! Asgjë nuk është më e neveritshme se sa që një person të ketë besim në ty dhe të besoj pasurinë e tij, nderin e tij apo ndonjë prej të drejtave të tij dhe t’i e tradhëton atë.
Çështja e besueshmërisë është e gjerë, ajo përfshin gjithçka që i është besuar njeriut aq shumë sa që kjo e përfshin tërë fenë.
Pra, e gjithë ajo më të cilën erdhën profetët; besimet dhe ligjet janë në besueshmëri që mbështetet mbi supet e dijetarëve. Nëse ata janë të pakujdesshëm në përhapjen e saj, kjo është një tradhëti prej tyre në mënyrë që ata meritojnë mallkimin e Allahut dhe zemërimin e Tij.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Sigurisht se ata që fshehin provat e qarta, dëshmitë dhe udhëzimet të cilat Ne i kemi dërguar, pasi Ne i kemi bërë të qarta në libër për gjithë njerëzit, sigurisht të tillët janë të mallkuar nga Allahu dhe të mallkuar nga mallkuesit.” [2:159]
Pra, ata të cilët kanë dije duhet ta përhapin atë me të cilën erdhi profeti i fundit ﷺ sepse kjo është besuëshmëria më e madhe. Ndërsa të mbahet fshehtë dhe të lihet pas dore kjo është tradhëtia më e madhe. Allahu (te ala) ka thënë:
”O ju që keni besuar! Mos e tradhtoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, as mos e tradhtoni me dashje amanetin.” [8:27]
E dyta: Gënjeshtra. Kjo është baza e hipokrizisë dhe prej tipareve më të këqija sepse të gjithë popujt dhe kombet e nderojnë fjalën e sinqertë, e urrejnë gënjeshtrën dhe e nënvlerësojnë gënjeshtarin.
Prandaj përpiquni që të jeni me ata që janë të sinqertë në fjalët dhe veprimet e tyre dhe qëndro larg nga gënjeshtra dhe gënjeshtarët sepse kjo është një nga atributet e njerëzve më të ulët, përkatësisht hipokritëve ashtu siç është përshkruar në këtë hadith.
Dhe shikoni hipokritët, feja e të cilëve është ndërtuar mbi një gënjeshtër se si Allahu i ka zbuluar ata. Allahu (te ala) ka thënë:
”Kur vijnë munafikët tek ti, thonë: “Ne dëshmojmë se ti vërtet je i dërguar i Allahut.” Allahu e di se ti je vërtet i dërguari i Tij dhe Allahu dëshmon se hipokritët janë me të vërtetë gënjeshtarë. Ata i kanë bërë betimet e tyre mbulesë (për dyfytyrësinë e tyre). Kështu ata pengojnë njerëzit nga udha e Allahut. Vërtet e poshtër është ajo që ata bënin” [63:1-2]
E treta: Mosmbajtja e premtimeve, marrëveshjeve dhe të tradhtia. Dhe kjo është një ndër tiparet më të neveritshme dhe me të urryera. Dhe se një prej dënimit të saj është sëmundja e hipokrizisë është e mjaftueshme për të treguar të keqen e saj. Allahu (te ala) ka thënë:
”Kështu që Ai i ndëshkoi ata duke u futur hipokrizinë në zemër deri në ditën në të cilën ata do të takojnë Atë sepse ata e thyen atë (marrëveshjen me Allahun) të cilën vetë ia kishin premtuar Atij dhe për atë se ata gjithnjë thurnin gënjeshtra.” [9:77]
”Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin.” [13:20]
Së katërti: Të kalohen kufijt në rast konflikti. Kjo është një gjynah i madh dhe një krim i rrezikshëm. Kjo shpie në shkatërrim të madh duke ia lejuar vetes cenimin e pasurisë dhe nderin e të tjerëve, të mohohen të drejtat e të tjerëve, të akuzohen me patëdrejtë, të luftohen thirrësit e së vëretës, të pengohen njerëzit nga e vëreta dhe udhëzimi i vërtetë dhe ata dërgohen në tundim, mëkat dhe në rrugën e shkatërrimit.
Sa pasuria e njerëzve është cenuar, sa njerëzve u është cënuar nderi dhe sa gjak është derdhur për shkak të devijimit të hipokritëve nga e vërteta dhe mashtrimi i tyre kur ata janë në konflikt me njerëzit!
Dhe sa njerëz që e duan të vërtetën, ata i kanë penguar nga pasimi i rrugës së drejtë dhe për të ndjekur të vërtetën.
Në qoftë se nuk do të ishte për shkak se ata devijojnë nga e vërteta dhe mashtrojnë kur janë në konflikt atëherë do t’i kishe parë se shumica e muslimanëve do t’i përmbaheshin metodologjisë së Allahut, do të pasonin rrugën e besimtarëve prej Selefu-Salih.