Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Et-Tealik ala Iktida es-Siratal Mustekim, kaseta nr 1b
Kështu që tani në këtë pjesë, autori (Ibn Tejmijeh), Allahu e mëshiroftë, sqaroi se ai që në zemrën e tij ka hased (zili), me këtë cilësi ai u ka përngjasuar çifutëve. Nëse dikush ka hased dikë tjetër për ato që Allahu i ka dhuruar prej mirësive të Tij, si p.sh. prej dijes, apo prej pasurisë, apo prej pozitës, apo prej fëmijëve, apo të tjera përveç këtyre, me këtë cilësi ai ka përngjasim me çifutët pasi që çifutët janë ata që i kanë hased njerëzit e tjerë për mirësitë që Allahu u ka dhënë atyre.
Thuhet se hased quhet në rast se dëshiron dhe shpreson largimin e mirësive që Allahu i PlotFuqishëm dhe i Madhëruar i ka dhënë dikujt tjetër dhe po ashtu thuhet se quhet hased nëse i urren mirësitë që Allahu i ka dhënë dikujt tjetër dhe kjo e dyta është dhe përkufizimi që dha për hasedin, shejkhul Islam Ibn Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, i cili tha: ”Nëse dikush i urren mirësitë që Allahu i ka dhënë dikujt tjetër, kjo gjë tregon që ai ka hased edhe nëse nuk shpreson në largimin e këtyre mirësive nga tjetri.” Dhe kjo fjalë e tij, Allahu e mëshiroftë, është më e sakta për shkak të fjalës së të dërguarit të Allahut ﷺ i cili ka thënë:
”Askush nga ju nuk ka për të besuar (me besim të plotë) derisa të dojë për vëllain e tij, atë që do për veten e tij.”
Si mundet të urresh për vëllain tënd të cilit Allahu i ka dhënë begati prej mirësive të Tij si p.sh. prej dijes, pasurisë, pozitës, fëmijëve apo të tjera përveç këtyre dhe për veten tënde ti këtë gjë nuk e urren?! Kjo është hased dhe ti duhet ta largosh atë dhe ne kemi përmendur në mësimin e kaluar dëmet dhe pasojat e tij, gjë që nuk është e nevojshme t’i rikthehemi përsëri.