Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

10.I nënti: Ai që beson se lejohet braktisja e legjislacionit të Muhamedit ﷺ sikurse iu lejua Khidhrit të mos pasonte legjislacionin e Musait ﷺ është kafir

Autor: Shejkh-ul-Islam Muhamed bin Abdil-Uehab

Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Libri: ”Sherh Nauakidh-il-Islam” (Sqarimi i dhjetë faktorëve që e anulojnë Islamin) fq. 28-30

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Muhamed bin Abdil-Uehabi (rahimehullah) ka thënë:

I nënti: Ai që beson se lejohet braktisja e legjislacionit (sheriatit) të Muhamedit ﷺ sikurse iu lejua Khidhrit të mos pasonte legjislacionin (sheriatin) e Musait ﷺ është kafir

Shpjegimi

Allahu e dërgoi Muhamedin ﷺ për të gjithë njerëzit dhe i obligoi të gjitha krijesat që t’i binden atij:

”Dhe Ne nuk të dërguam ty (Muhamed) veçse si mëshirë për të gjitha krijesat.” 21:107

”Dhe Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse përgëzues dhe këshillues për gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” 34:28

”Thuaj (Muhamed): “O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju.” 7:158

Ai që nuk përgjigjet dhe nuk e pason të dërguarin ﷺ është kafir, pavarësisht nëse ai është jehudi, nasrani (i krishterë), adhurues zjarri apo pasues i një feje tjetër. Kur ai u dërgua, Allahu urdhëroi që t’i bindemi atij dhe ai të pasohet. Judaizmi dhe feja e nasarave u shfuqizuan nga mesazhi i profetit ﷺ. Prandaj nuk është e lejueshme për askënd që të braktis pasimin e tij.

Sa i përket Khidhrit që nuk iu bind Musait ﷺ duhet ditur se Musai ﷺ nuk iu dërgua Khidrit. Musai u dërguar në mënyrë të veçantë te bijtë e izraelit:

“Dhe (kujto) kur Musai i tha popullit të tij: “O populli im! Pse më fyeni dhe më zemëroni ndërsa e dini mjaft mirë se unë jam i dërguari i Allahut te ju?” 61:5

Pra, Musai ﷺ u dërgua te bijtë izraelitët dhe jo te të gjithë njerëzit. Sa i përket Khidhrit, ai konsiderohet si një nga robërit e Allahut. Dijetarët nuk pajtohen lidhur me atë se a ishte Khidhri profet apo një njeri i drejtë. Ka dy mendime:

I pari: Ai ishte profet sepse ai bënte mrekulli. Shembuj të tyre janë se ai bëri një vrimë në anije, e vrau djaloshin dhe e ndërtoi murin që ishte duke u rrëzar. Këto janë mrekulli sepse ato janë të bazuara në çështje të fshehura (ghajb). Mrekullitë i ndodhin vetëm një profeti. Baza e historisë që u zhvillua në mes Musait ﷺ dhe Khidhrit ishte se Musai ﷺ u predikoi bijve të izraelit.

Ata thanë: “A është dikush më i ditur se ti?”

Ai tha: “Jo.”

Pastaj Allahu shpalli se vërtetë është një rob në tokë që quhet kështu dhe kështu, dhe ai ka njohuri për gjëra të cilat Musa ﷺ nuk i di. Atëherë Musai ﷺ vendosi të shkojë te ky njeri dhe të kërkojë dije prej tij.

Allahu (te ala) ka thënë:

”(Kujto) edhe kur Musai i tha shërbyesit të tij: “Nuk do të ndalem derisa të arrij vendin ku takohen dy detet ose deri sa të kaloj vite e vite në udhëtim.” Por kur ata arritën në vendin e bashkimit të dy deteve, ata harruan peshkun e tyre i cili mori rrugën e tij nëpër det duke e hapur atë si tunel. Kështu kur ata shkuan më tej (përtej vendit të caktuar për takim), Musai i tha djaloshit: “Na e sill ushqimin e mëngjesit, vërtet që jemi lodhur shumë në udhëtimin tonë.” Ai (djaloshi – Jushaë bin Nun) tha: “A e sheh!? Kur u strehuam te shkëmbi, unë e harrova peshkun dhe përveç djallit nuk më bëri kush të harrojë që të ta përkujtoj ty atë, dhe ai në mënyrë të çuditshme mori rrugën e tij për në det! Ai (Musai) tha: “Ai është vendi që ne po e kërkojmë!” Kështu ata u kthyen prapë duke ndjekur gjurmët e tyre të para. Dhe e gjetën një nga robtë Tanë të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne. Musai i tha atij (Khidrit): “A mund të të vijë pas që ti të më mësosh mua diçka nga ajo dije (urtësi, udhëzim në udhë të drejtë) që të është mësuar ty (nga Allahu)?” 18: 60:66

Pra Khidri nuk i përkiste umetit të Musait ﷺ dhe Musai ﷺ nuk u dërgua për të gjithë njerëzit. Prandaj, ishte e lejueshme për të që të mos e pasonte atë (Musain). Nga ana tjetër Muhamedi ﷺ u dërgua te të gjithë njerëzit dhe kështu nuk është e lejueshme për askënd që të mos e pasojë atë.

Ky është një refuzim i Sufive të cilët pretendojnë se ata e arrijnë një shkallë të tillë saqë ata nuk kanë nevojë që ta pasojnë të dërguarin. Ata thonë se ata marrin udhëzime drejtpërdrejt nga Allahu. Ata pretendojnë se ata nuk marrin asgjë nga të dërguarit dhe se të dërguarit janë për popullin. Por sa i përket elitës së veçantë ata nuk kanë nevojë për të dërguarit sepse ata e dinë se kush është Allahu, ata i luten Atij dhe marrin udhëzimin direkt nga Ai. Kjo është gjendja e Sufive ekstrem. Ata arrijnë atë që duan. Ata nuk kanë nevojë për të dërguarin ﷺ dhe si pasojë ata e braktisin rregulloren e tij ﷺ. Prandaj ata as nuk e kryejnë faljen e namazit, agjërimin, haxhin apo diçka tjetër me të cilën erdhi i dërguari ﷺ. Ata e konsiderojnë veten të jenë një elite e veçantë dhe të thonë:

“Neve nuk na nevojit i dërguari ﷺ. Ne vetëm se e kemi arritur tashmë Allahun.”

Ne lusim Allahun për falje. Kjo është ajo që shejkhu nënkuptoi me këtë anulues. Ky pra është kështu një refuzim i Sufive që pretendojnë se lejohet braktisja e sheriatit të Muhamedit ﷺ për shkak se atyre nuk i nevojitet ai.

Shpërndaje: