Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Imam Albani e lavdëron Rabi el-Medkhaliun se ka dije dhe e nxitë në butësi

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Silsilat-ul-Huda uen-Nur (915)

Data e fetvas: 1417-03-20/1996-08-05

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

I thashë doktorit [Rabi el-Madkhali] (unë ende mendoj të njëjtën gjë dhe besojë se shumica e nxënësve dhe dijetarët mendojnë të njëjtën gjë) se e vërteta është e rëndë për nga vet natyra e saj për masën e njerëzve, përveç atyre që do Allahu:

إِنَّا سَنُلْقِي عَلَيْكَ قَوْلًا ثَقِيلًا

“Vërtetë do të shpallim ty fjalë të rëndë (me rëndësi të madhe).”1

Dhe kur pos kësaj, davetit dhe peshës së rëndë të tij i shtohet vrazhdësia dhe ashpërsia, atëherë bashkohen dy pesha të rënda. Kjo do t’i largojë njerëzit nga daveti për në të vërtetën. Qëllimi është për t’i futur ata në të vërtetën. Nuk ka asnjë nxënës dije ndër ne që nuk i mëson përmendësh ajetet Kuranore dhe hadithet e të dërguarit (salAllahu alejhi ue selem) që inkurajojnë mirësinë dhe butësinë. Ajetet janë të njohura dhe ne nuk kemi nevojë që t’i përmendim ato. Për shembull, Allahu (azze ue xhel) e urdhëroi Musain dhe vëllain e tij Harunin (alejhimes-selam):

اذْهَبَا إِلَى فِرْعَوْنَ إِنَّهُ طَغَىفَقُولَا لَهُ قَوْلًا لَّيِّنًا لَّعَلَّهُ يَتَذَكَّرُ أَوْ يَخْشَى

 “Shkoni ju të dy te Faraoni se vërtet ai i ka kaluar (gjithë kufijtë në mosbesim, mosnënshtrim, arrogancë e tirani). Dhe i flisni atij butë e shtruar, mbase mund të marrë qortim ose mund të frikësohet.”2

Sa do i devijuar të jetë një individ, unë nuk besoj se një musliman beson se ai është edhe në afërsinë e Faraonit, tek i cili u dërguan Musai dhe Haruni. Pavarësisht nga kjo, Allahu i urdhëroi të dy të dërguarit fisnik dhe profetët e zgjedhur që të flasin me butësi me tiranin më të madh në fytyrën e tokës, i cili thoshte:

أَنَا رَبُّكُمُ الْأَعْلَى

”Unë jam Zoti juaj më i larti!”3

Unë besoj se Sejjid Kutubi nuk është aspak si Faraoni. Kur ai refuzohet janë për qëllim pasuesit e tij në ditët e sotme. Sepse ai ka vdekur. Pasi që qëllimi janë ata të gjallët, kështu që unë do të them për ta atë që kam thënë në lidhje me ata që kanë vdekur; e keqja e tyre nuk është aq e madhe sa e Faraonit. Prandaj, unë besoj se nuk duhet bashkuar mes dy gjërave të rënda. Njëra prej tyre është domosdoshmëri dhe, ajo është thirrja në të vërtetën e cila ndanë në mes të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe mes njeriut dhe vëllait të tij. Prandaj Kurani fisnik quhet mes tjerash “el-Furkan (dallues i të vërtetës nga e pavërteta)”, ndërsa i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) ndër të tjera quhet “el-Farik“. Para së gjithash ai bëri dallimin në mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, Teuhidit dhe idhujtarisë, babait dhe djalit të tij, djalit dhe babait të tij, dhe kështu me radhë. Kështu punon thirrja për në të vërtetën. Është e mjaftueshme që ne të thërrasim në këtë davet sipas fjalëve të Allahut (te ala):

ادْعُ إِلِى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata në mënyrën më të mirë.”4

Mund të jetë e mirë për të përmendur si një kujtesë dhe t’i nënshtrohemi fjalëve të Zotit tonë në Kuran:

وَذَكِّرْ فَإِنَّ الذِّكْرَى تَنفَعُ الْمُؤْمِنِينَ

“Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve.”5

Jehudi i cili erdhi tek profeti (salAllahu alejhi ue selem) dhe e përshëndeti atë me përshëndetjen jehude, të kufrit dhe të urryer: “Vdekja qoftë mbi ty, o i dërguar i Allahut!” E vetmja me të cilën ai (salAllahu alejhi ue selem) u përgjigj ishte: “Edhe mbi ju.” Megjithatë, Aishah (radijAllah anha) e cila ishte prapa perdes u zemërua dhe tha: “Vdekja, mallkimi dhe zemërimi qoftë mbi ty, o vëllezërit e majmunëve dhe derrave!” Kur jehudiu shkoi, profeti (salAllahu alejhi ue selem) e qortoi Aishen dhe i tha:

 “Nuk është diku butësia, veçse e hijeshon atë gjë, dhe nuk është diku ashpërsia veçse e shëmton atë.”

Pastaj ajo arsyetoi veprimin e saj në të njëjtën mënyrë si të gjithë të tjerët që ka entuziazëm për davetin dhe janë të ashpër deri diku:

“A nuk e dëgjove se çfarë tha ai?”

Profeti (salAllahu alejhi ue selem) i tha:

“A nuk e dëgjove se çka u thashë?”

Ai tha: “Vdekja qoftë mbi ty” dhe unë i thashë: “Dhe mbi ju” dhe fund. Daveti pra duhet të jetë pa këtë ashpërsi, sepse ajo nuk sjell asgjë të mirë.

Unë jam në të vërtetë shumë i lumtur për aktivitetin shkencor të vëllait tonë dhe doktorit [Rabi el-Madkhaliut], por unë e këshilloj atë që të jetë i butë me këta njerëz që kanë devijuar nga daveti i vërtetë për shkak të davetit të një njeriu që nuk ka dije. Unë i kam thënë doktorit se Sejjid Kutubi nuk ishte i ditur, dhe ndoshta as nxënës dije. I tillë është rasti me shumë shkrimtarë të tjerë, dhe sidomos egjiptian. Ata vetëm shkruajnë dhe mendojnë se janë duke bërë mirë. Ky është mendimi im.


1 73:5

2 20:43-44

3 79:24

4 16:125

5 51:55

Shpërndaje: