Imam Alij bin Alij bin Muhamed Ibn Ebil-‘Izz
Burimi: “Sherhul-Akidetit-Tahauijjeh”, faqe 215-217
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Thotë Allahu (Te’ala):
“Prandaj, kur t’u vijë ai, ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë çast e as ta shpejtojnë.” 1
Dhe thotë Allahu në një ajet tjetër:
“Çdo shpirt vdes vetëm me vendimin e Allahut, në kohë të caktuar.” 2
Transmetohet nga Abdullah bin Mes’udi (radijAllahu anhuma), se gruaja e të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem), Ummu Habibeh (radijAllahu anha), ka thënë:
“O Zot, më jep jetë të gjatë dhe të lumtur me burrin tim të Dërguarin salallahu alejhi ue selem, me babanë tim Ebu Sufjanin dhe me vëllanë tim Muaviun.” Në atë rast, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i tha: “Ti kërkove nga Allahu diçka e cila ka afat të përcaktuar, furnizim të ndarë dhe shenja të caktuara. Asgjë nuk vjen para kohës dhe asgjë nuk vonohet nga koha e përcaktuar. Sikur ta kishe lutur Allahun që të mbrojë nga dënimi i Xhehenemit dhe dënimi në varr, do të kishte qenë më mirë për ty!” 3
Ai që është vrarë nga dikush, ka vdekur për shkak se e ka pasur të caktuar. Allahu (Te’ala) e ka ditur dhe e ka caktuar se filani ka për të vdekur për shkak të sëmundjes, ai tjetri për shkak se është vrarë nga dikush, ai tjetri për shkak se ka rëndë nga ndonjë lartësi e madhe, tjetri për shkak të mbytjes në ujë, tjetri vdes nga zjarri e nga shkaqe të tjera. Allahu (Subhaneh) e ka krijuar jetën dhe vdekjen, gjithashtu ka krijuar shkakun e vdekjes dhe shkakun e jetës.
Ndërsa Mu’tezilitë thonë: “Të vrarit i është ndërprerë exheli (koha e caktuar për të jetuar). Sikur të mos ishte vrarë nga dikush, do të kishte jetuar deri kur do t’i kishte ardhur exheli!” Sipas tyre, njeriu i tillë ka pasur dy exhele! Kjo është thënie e kotë, ngase nuk është e drejtë që t’i përshkruhet Allahut (Te’ala) se i ka bërë atij njeriu të ketë exhel diçka nga i cili nuk do të shpëtoj në asnjë mënyrë. Apo që, t’i bëj exhel (vdekjeprurës) njërën prej tyre.
“Mbajtja e lidhjeve farefisnore, shton jetëgjatësinë.”
Ky hadith do të thotë se, mbajtja e lidhjeve farefisnore është shkak që jeta zgjatet. Ndërsa Allahu e ka caktuar që personi i tillë do të mbajë lidhjet farefisnore. Prandaj, personi i tillë ka jetë të gjatë për shkak të këtij veprimi. Dhe sikur të mos ishte ky veprim, nuk do të arrinte njeriu këtë jetëgjatësi, mirëpo ja që Allahu e ka paracaktuar këtë gjë dhe kjo do të ndodhë.
1 Junus 10:49
2 Ali Imran 3:145
3 Muslimi 2663