Imam Muslim bin el-Haxhaxh en-Nisaburi
Burimi: Sahih Muslim (2900)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nafi’ bin Utbeh (radiAllahu anhu) ka thënë:
“Ishim me të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) në një betejë dhe papritur disa njerëz nga perëndimi erdhën tek Profeti (salAllahu alejhi ue selem). Ata ishin të veshur në rroba leshi. Ata qëndronin në këmbë, ndërsa i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ishte ulur. Unë në vete mendova se duhet të ngrihem në këmbë e të qëndroj mes tyre, që ata mos ta vrasin të Dërguarin (salAllahu alejhi ue selem). Pastaj mendova se ndoshta kanë një bisedë të fshehtë mes tyre. Pas këtyre mendimeve u ngrita dhe qëndrova mes tyre. Mbaj mend katër fjalë prej tij dhe unë mund t’jua numëroj cilat ishin ato. Ai (salAllahu alejhi ue selem) tha:
“Ju do të bëni luftë në Gadishullin Arabik dhe Allahu do t’ju lejojë që ta pushtoni atë. Pastaj ju do të luftoni kundër Persianëve dhe Allahu do t’ju lejojë t’i mposhtni ata. Pastaj ju do të luftoni kundër Romakëve dhe Allahu do t’ju lejojë t’i mposhtni ata. Pastaj ju do të luftoni kundër Dexhalit dhe Allahu do t’ju lejojë ta mposhtni atë.”
Nafi tha: “O Xhabir! Dexhalli nuk do të shfaqet pa u mposhtur Romakët.”