Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Këshillë për bashkëshortët se si të sillen mirë ndaj njëri-tjetrit

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh el-Mumti ala zad el-Mustakni’ vol, 12 kapitulli mbi martesën, fq. 3032-3034.
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Sjellja ndaj bashkëshortes është një gjë e rëndësishme, ngase ka të bëjë me jetësimin e moralit Islam, krijon lidhje të fortë ndërmjet të dy bashkëshortëve, i bën ata që të kenë jetë të lumtur, bën që ata të kenë fëmijë të shumtë, – i bën ata që të duhen ndërmjet veti, e kur ata të duhen do të kenë më shumë marrëdhënie intime dhe kështu vije deri tek fëmijët e shumtë; prandaj edhe themi se mirësjellja ka rol shumë të madh në jetën bashkëshortore.

Ti duhet të sillesh me gruan, duke e pozicionuar vetën si një njeri tjetër i cili është i martuar me vajzën tënde; si dëshiron ti që ai të sillej ai me vajzën tuaj? A dëshiron që burri i saj të jetë i ftohtë dhe i egër me të apo jo?

Përgjigja, padyshim se do të ishte: jo. Prandaj, mos u sill me vajzën e dikujt ashtu siç nuk dëshiron të sillet dikush me vajzën tuaj. Ky është një rregull që duhet ta jetësoj çdo njeri i mençur.

Transmeton Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) në Musnedin e tij se një njeri erdhi tek profeti dhe i kërkoi leje që të bëj zina.

Profeti ﷺ i tha: “A pajtohesh që dikush të bëj zina me motrën apo nënën tënde?” Ai ﷺ gjithnjë i bënte pyetje të tilla, ndërsa ai gjithnjë përgjigjej me: jo. Atëherë Profeti ﷺ i tha: “Urreje atë që e ka urryer Allahu dhe duaje për vëllain tënd atë që e dëshiron për veten tënde.” (264).

Ashtu siç njeriu nuk pajtohet që vajza e tij të jetë e martuar me një burrë që nuk ia jep asaj hakun që e meriton, e bën atë rob apo edhe përdorë forcë ndaj saj, ashtu që, ai duhet të sillet ndaj gruas së tij, jo me arrogancë dhe as me një mënyrë jo sipas porosive fetare islame.
Edhe gruaja duhet të sillet me burrin e saj edhe më mirë sesa burri sillet me të, ngase Allahu ka thënë në librin e Tij:

وَلَهُنَّ مِثْلُ الَّذِي عَلَيْهِنَّ بِالْمَعْرُوفِ وَلِلرِّجَالِ عَلَيْهِنَّ دَرَجَةٌ

“Edhe ato kanë po aq të drejtë sa edhe obligim, e burrat kanë një gradë mbi to.” (2:228)

Gjithashtu, Allahu burrin e ka quajtur zotëri në suret Jusuf, ku thotë:

وَأَلْفَيَا سَيِّدَهَا لَدَى الْبَابِ

“Dhe pranë derës e hasi në zotërinë e saj.” (12:25)

Gjithashtu, profeti e ka quajtur gruan peng (në dorën apo besën e mashkullit):

“Keni frikë Allahun në lidhje me gratë tuaja, ngase ato janë në duart tuaja.”

Si do që të jetë, nëse burri dëshiron të jetoj jetë të lumtur, të qetë e të rehatshme atëherë le të sillet mirë ndaj gruas së tij. E njëjta gjë vlen edhe për gruan; përndryshe, gjërat dalin nga kontrolli, jeta bëhet e mjerueshme gjë e cila ndikon edhe tek fëmijët. Kur fëmijët shohin probleme ndërmjet babait dhe nënës së tyre, ata do të lëndohen e mërziten. E nëse shohin mirësjellje e dashuri ndërmjet prindërve, padyshim se kjo i bën ata të lumtur e të gëzuar. Prandaj i dashuri vëlla, ke kujdes ndaj sjelljeve të mira.

Me sjellje të mirë ndaj parterit, njeriu duhet të ketë për qëllim vetëm arritjen lumturisë së kësaj bote, apo shfryrje të epshit. Porse gjithnjë duhet shoqëruar edhe afrimin tek Allahu duke vepruar atë që e ka obligim, gjë të cilën shumë herë e harrojmë fare. Shumë njerëz në sjelljet e tyre me partnerin dëshirojnë që të jenë sa më të mirë, e harrojnë që këtë ta bëjnë për hir të Allahut, kjo padyshim se është nga ana e shejtanëve. O mysliman, mos harro se ti me këtë veprim po e kryen një urdhër të Allahut:

وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ

“Çoni jetë të mirë me to!” (4:19)

Nëse ti e ke këtë nijet (për hir të Allahut), ti do të fitosh një gjë tjetër: vazhdueshmërinë në këtë vepër të mirë. Me gjëra të njëjta porositet edhe gruaja. E njëjta gjë vlen për të gjitha veprimet të cilat janë porosi e sheriatit Islam.

Është mirë që njeriu ta duroj gruan e tij, edhe nëse tek ajo gjen diçka që ai e urren. Kjo, duke u bazuar në fjalët e Allahut:

وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ فَإِن كَرِهْتُمُوهُنَّ فَعَسَى أَن تَكْرَهُواْ شَيْئًا وَيَجْعَلَ اللّهُ فِيهِ خَيْرًا كَثِيراً

“Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim ngase mund të ndodhë që Allahu të japë shumë të mira në diçka që ju e urreni.” (4:19)

Çfarë mrekullie Kuranore, Allahu nuk thotë “ka mundësi që ju t’i urreni ato”, por thotë: “në diçka që ju e urreni”. Njeriu mund të urrej të shkoj në shtëpinë e ndonjë vëllai, por shkuarja e tij sjellë mirësi të madhe. Gjithashtu, njeriu ka mundësi të urrej blerjen e diçkaje, por pasi ta blej Allahu e begaton në atë gjë. Thotë i dërguari i Allahut :

“Të mos e urrej myslimani myslimanen, nëse nuk gabon ndonjë gjë ndaj teje, gjënë tjetër e bën si duhet.”

E në një hadith tjetër thuhet:

“Të mos e rrah ndonjëri prej jush gruan e tij sikur të ishte një robëreshë, e më pastaj të flejë me të!”

Është e ditur që, femra është e mangët në të menduar dhe në fe. Femra është e tillë që duhet t’i qëndrosh pranë, me një fjalë mund ta largosh nga vetja shumë larg, dhe me një fjalë mund ta afrosh afër vetes e të qëndroj gjithnjë në krahun tënd. Prandaj, njeriu duhet pasur kujdes ndaj gjërave të tilla në lidhje me gruan e tij. E lusim Allahun për falje, -por në kohët e sotme pasi që njerëzit vuajnë nga imani i dobët, për gjënë më të vogël zihet me gruan e tij, për gjënë më të imët nevrikoset me të apo edhe e shkurorëzon.

E sikur ta shkurorëzonte sipas sheriatit!! e shkurorëzon përderisa ajo është me menstruacione, apo gjatë periudhës së pastërtisë në të cilën kanë pasur marrëdhënie intime etj. e padyshim se kjo është argument i imanit të dobët dhe mungesës së edukatës islame tek ai njeri. Njeriu nuk duhet të hidhërohet për çdo gjë, ngase është e pamundur që njeriu të mos ketë mangësi. Edhe vetë ai është i mangët dhe nuk mund të jetë i pagabueshëm. Gjithashtu, njeriu duhet t’i krahasoj të mirat me të këqijat. Ka disa gra, që kur t’u sëmuren burrat e tyre nuk flenë gjatë gjithë natës dhe i detyrohen në gjëra të shumta. E nëse e shkurorëzon atë, e merr ndonjë tjetër, ajo mund të jetë edhe më e keqe se ajo e para.

Andaj, të nderuar, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm ndaj bashkëshortit apo bashkëshortes, në mënyrë që lidhja e tyre të jetë në formën më të mirë. Dhe njeriu kur të mësohet të ketë mirësjellje të mirë, do t’i bëhet pjesë e karakterit të tij. Kjo është rehatia më e mirë.

Shpërndaje: