Imam Muhamed Nasir-ud-Din El-Albani (v. 1420)
Bidajet-us-Sul fi Tafdhil-ir-Resul, fq. 8-9
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Rreth një vit më parë e përmblodha librin “Esh-Shema’il El-Muhamedijeh” të imam Et-Tirmidhiut, në të cilin sqarova se cilat hadithe janë autentike dhe cilat janë të dobëta. Në atë kohë ndodhesha në qytetin tim të ri të hixhretit, Aman, për të blerë një tokë dhe për të ndërtuar shtëpinë time aty. Pas disa muajsh u detyrova të largohesha nga ai qytet dhe të lija familjen time për t’u kthyer në qytetin tim të parë të hixhretit, Damask, ku qëndrova vetëm dy ditë. Më pas u nisa për në Liban, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të shumta për të arritur atje. Pasi gjeta pak qetësi shpirtërore, fillova sërish aktivitetet e mia shkencore në bibliotekën e Esh-Sheuejshit, ku ndodheshin shumica e referencave të domosdoshme për punën time, të cilat nuk i kisha në bibliotekën time në Damask. Ndër to ishte edhe ky libër. E përfundova shqyrtimin e tij në të njëjtën kohë kur mora lajmin shumë të dhimbshëm për vdekjen e vëllait tim të madh, Ebu Ahmed Muhamed Naxhit, i cili vdiq gjatë kryerjes së haxhit. Pavarësisht këtij lajmi, vazhdova ta përfundoja punën. Iu luta Allahut që ta mëshironte dhe e përballova me durim këtë fatkeqësi. Nga të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia, ai ishte më i afërti me mua. Përveç kësaj ai ishte që e pranoi më së miri thirrjen time dhe që u angazhua më së shumti në përhapjen e saj. Allahu e mëshiroftë me mëshirë të gjerë dhe më dhëntë mua, vëllezërve dhe motrave të mia, fëmijëve të tij, nipërve e mbesave të tij, si dhe të afërmve të tij (nga ana martesore), durim në këtë fatkeqësi. Për shkak të këtyre rrethanave, projektet e mia u vonuan shumë. Çfarëdo që njeriu të ndërmarrë, ai gjithmonë mbetet i nënshtruar ndaj vullnetit dhe ndihmës së Allahut.