Komunikimi i dobët midis dy bashkëshortëve, ky problem është bërë akoma më shqetësues, më i madh dhe më i dukshëm në kohën tonë me praninë e mediave sociale bashkëkohore e cila është bërë shkak për rritjen e numrit të ndarjeve midis dy bashkëshortëve.
Ky problem është shumë i rrezikshëm me kalimin e kohës. Mund të përkeqësohet gjendja midis dy bashkëshortëve aq shumë, sa që thjeshtë prezenca e njërit prej bashkëshortëve është e rëndë për tjetrin. Dhe secili prej bashkëshortëve dëshiron të jetë larg nga tjetri. Njëri nga dy bashkëshortët mund të kërkojë një zgjidhje tjetër për të zëvendësuar atë që i mungon nga bashkëshorti tjetër (e që është mungesa e komunikimit).
Kështu që gruaja fillon të komunikojë me një burrë tjetër. Komunikimi i tyre në fillim mund të jetë me një qëllim të mirë, pastaj shejtani ua zbukuron (të keqen) dhe luan me ata të dy derisa t’i tërheqë ata drejt një pasoje që nuk është e lavdërueshme.
Një grua mund të fillojë të komunikojë me një student të dijes ose me një shejkh në kërkim të një fetvaje ose fillon të komunikojë me një njeri të njohur i cili njihet si përmirësues në shoqëri dhe mund të diskutojë me të për çështje sociale dhe më pas shejtani e çon atë në zgjerimin e shoqërisë me të. Ajo shton bisedat me të dhe kjo bëhet shkak që më pas, ajo të komunikojë me të kur nuk është e nevojshme. Nga ana tjetër, kjo gjë mund ta bëjë atë burrë të jetë i shkujdesur dhe neglizhent në komunikimin me të.
Në këtë pikë, unë u bëj thirrje studentëve të dijes dhe atyre që janë të specializuar për çështjet sociale, që të kenë frikë ndaj Allahut. Dhe të mos jenë të shkujdesur dhe neglizhentë në komunikimin e tyre me gratë dhe t’i përmbahen kufijve të obligueshëm sepse këto janë nga punët për të cilat është e detyrueshme të bësh kujdes. Dhe ne dëgjojmë shumë pyetje që tregojnë për rrezikun e madh të kësaj çështjeje.
Sa për gruan që komunikon me një burrë që di të interpretojë ëndrrat me argumentin se asaj i nevojitet interpretimi i ëndrrave, kjo është shumë e rrezikshme. Ne këshillojmë që gruaja të mos komunikojë me një burrë me qëllim interpretimin e ëndrrave sidomos kur ne e kuptojmë plotësisht se ai që di të interpretojë ëndrrat dhe vetë ëndrrat, zbulojnë shumë sekrete të atij që sheh ëndrrat. Ai që di interpretimin e ëndrrave, ai e kupton plotësisht rrezikun e kësaj çështjeje. Tek një nga dy palët, mund të mos jetë devotshmëria e kërkuar dhe që parandalon të keqen dhe si rezultat kjo mund të çojë në një të keqe të madhe. Unë e them këtë për ta përfshirë këtë problem në brendësi të problemit që përmendëm në fillim që mund të jetë dhe shkaku për këtë komunikim të palejueshëm (me një burrë tjetër), kështu që unë po ju bëj thirrje të jini të kujdesshëm për rrezikun e tij të madh.