Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Revista El-Buhuth nr. 9, fq. 100
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Ne shpesh dëgjojmë hadithin fisnik:
“Gratë janë të mangëta në mendje dhe në fe.”
Kjo i shtynë disa burra që t’i keq-trajtojnë gratë. Ne shpresojmë që ju mund të na shpjegoni kuptimin e këtij hadithi.
Përgjigje: Në lidhje me hadithin e të dërguarit të Allahut ﷺ:
“Nuk kam parë më të mangëta në mendje dhe në fe se sa gratë, të cilat arrijnë t’ia marrin mendjen edhe burrit më të vendosur.” Dikush e pyeti: “O i dërguari i Allahut, ku qëndron mangësia e mendjes së tyre?” Ai u përgjigj: ”A nuk është dëshmia e dy grave sa dëshmia e një burri?” Ai e pyeti përsëri: “O i dërguari i Allahut, ku qëndron mangësia e fesë së tyre?” Ai ia ktheu: “A nuk është e vërtetë se kur janë me menstruacione, nuk falen dhe nuk agjërojnë?” Bukhari nr 304 dhe Muslimi nr 80.
Profeti ﷺ shpjegoi se mangësia në mendje është për shkak se kujtesa e saj është e dobët dhe për këtë shkak dëshmia e saj përforcohet nga dëshmia e një gruaje tjetër, andaj dëshmia e një burri vlen sa dëshmia e dy grave. Pasi që ajo harron, ajo mund të shtojë ose të heq diç nga dëshmia.
Allahu (te ala) ka thënë:
“Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra.“ El-Bekare 2:282
Ndërsa në lidhje me mangësinë e saj në fe, kjo ka të bëjë me atë se ajo as nuk e falë namazin e as nuk agjëron gjatë periudhës së menstruacioneve dhe lehonisë, e as nuk i zëvendëson këto namaze. Pra, kjo është feja e saj e mangët.
Megjithatë, ajo nuk kritikohet për këto mangësi, pasi kjo është diçka që Allahu (azze ue xhel) e ka caktuar, e që ato të ndjehen më mirë dhe ta kenë më lehtë kapërcimin e situatave të tilla. Do të ishte shumë e vështirë për gruan nëse ajo agjëron gjatë periudhës së menstruacioneve apo lehonisë. Prandaj, Allahu nga mëshira e Tij e bëri që ajo të mos agjërojë gjatë këtyre dy periudhave kohore e për ta zëvendësuar agjërimin më pas.
Sa i përket faljes së namazit, menstruacionet dhe lehonia e parandalojnë atë nga të qenit e pastër. Allahu (azze ue xhel) nga mëshira e Tij, e bëri që gruaja të braktis namazin gjatë kësaj periudhe. Pastaj Ai (azze ue xhel) e caktoi që ajo ta mos i falë namazet më pas, për shkak të vështirësive të mëdha që kërkon një gjë e tillë, pasi që falja e namazit bëhet pesë herë në ditë. Periudha e menstruacioneve zgjat shtatë deri në tetë ditë dhe ndonjëherë edhe më shumë, ndërsa periudha e lehonisë mund të jetë deri në dyzet ditë.
Kjo nuk do të thotë se ajo ka mendje dhe fe të mangët në çdo aspekt. I dërguari ﷺ ka shpjeguar qartë se kjo mangësi është vetëm në çështjen e ‘dëshmisë’ dhe ‘në të obliguarit e saj për ta lenë namazin dhe agjërimin gjatë periudhës së menstruacioneve dhe lehonisë’. Gjithashtu, kjo nuk do të thotë se ajo është më e keqe se burri në të gjitha gjërat dhe se burri është më i mirë se ajo në çdo gjë. Është e vërtetë se gjinia mashkullore është më e mirë se gjinia femërore në shumë çështje, por vetëm në aspektin e përgjithshëm.
Allahu (subhanehu ue te ala) ka thënë:
“Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” En-Nisa, 4:34
Mirëpo, gruaja mund t’ia kalojë burrit në shumë çështje. Sa gra janë prej atyre që kanë mendje më të fortë dhe më të zhvilluar, njashtu fe dhe përpikëri shumë më shumë sesa burrat në përgjithësi?! Ndërsa, hadithi i thënë nga profeti ﷺ tregon se gjinia femërore është më e dobët se sa gjinia mashkullore në lidhje me mendjen dhe fenë e saj.
Shpeshherë ajo është shumë më e mirë sesa burri, dhe për këtë arsye ajo i kalon burrat në veprat e tyre të mira, në devotshmëri dhe me pozitën e saj në jetën e ahiretit.
Gjithashtu, preciziteti i saj në gjërat të cilat ajo i kushton vëmendje, mund të jetë shumë më i fortë se ai i burrave; i mëson gjërat siç duhet, i zë përmendësh dhe i zotëron në formën më të mirë. Kjo ka bërë që shumë gra të bëhen burim i historisë islame dhe burim në shumë fusha të tjera të dijes.
Çdokush që mendon për gjendjen e grave para dhe pas kohës se profetit ﷺ, do ta ketë të qartë gjënë për të cilën po flasim.
Bazuar në këtë, themi se mendja e saj e mangët, nuk na pengon që t’i besojmë transmetimeve të saj dhe e njëjta gjë vlen për dëshminë, nëse ajo mbështetet nga një grua tjetër.
Kjo nuk ndalon as që ajo të jetë e devotshme ose që ajo të jetë prej më të mirëve nga robërit e Allahut meshkuj dhe femra edhe pse ajo nuk agjëron dhe nuk e fal namazin gjatë periudhës së menstruacioneve dhe lehonisë, përderisa ajo është e përqendruar në fe ashtu siç duhet.
Ndërsa duhet pasur kujdes se, fjalët e profetit ﷺ duhet kuptuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Allahu (te ala) e di më së miri.”