Imam Uthman bin Said ed-Darimi (v. 280)
Burimi: Nakdhu Uthman bin Said ala el-Marisi el-Xhehmi el-Anid, fq.195-198
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pastaj ti el-Marisi fillove të fyesh hadithin e të dërguarit (salAllahu alejhi ue selem), pasi konfirmimit të tij dhe pasi e ke ditur se ai (salAllahu alejhi ue selem) e ka thënë atë. Ti e interpretove atë në një mënyrë që bie ndesh me interpretimet e muslimanëve. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
”Nuk do të ndalen duke hedhur në xhehenem dhe xhehenemi do të thotë:
هَلْ مِن مَّزِيدٍ
”A ka më?” 1
derisa i Plotfuqishmi e vë këmbën e Tij mbi të. Xhehenemi pastaj do të tërheqët dhe do të thotë: ”Mjaft, mjaft.” 2
Ti, el-Marisi pohon se hadithi është i vërtetë. Kur e interpreton atë ti thua se fjala قدمه (këmbën e Tij) ka për qëllim fatkeqët, për të cilët Allahu e dinte se do të hyjnë në Xhehenem. Në mënyrë të ngjashme i interpretoi Ibn Abbasi, sipas pohimit tuaj të rremë fjalët e Allahut (Te ala) قدم صدق (këmbën e sinqertë) në ajetin:
وَبَشِّرِ الَّذِينَ آمَنُواْ أَنَّ لَهُمْ قَدَمَ صِدْقٍعِندَ رَبِّهِمْ
”…kurse ata që besuan përgëzoi se me të vërtetë kanë pozitë të lartë te Zoti i tyre.” 3
Dmth e interpretove me veprat të mira që ata kanë bërë.
Nga imamët e besuar dhe të njohur, kemi transmetuar nga Ibn Abasi (radijAllahu anhuma), lidhur me këmbën e Allahut, atë që kundërshton interpretimin tuaj.
89 – Abdullah bin Ebi Shejbeh dhe Jahja el-Himani na treguan, nga Uaki, nga Sufjani, nga Ammar ed-Dihni, nga Muslim el-Batin, nga Seid bin Xhubejr, nga Ibn Abasi (radijAllahu anhume) i cili tha:
”Kursija është vendi i dy këmbëve dhe froni mund të vlerësohet vetëm nga Allahu.” 4
Këtë që ne e dimë nga Ibn Abbasi është autentike dhe e njohur. Si është e mundur që ti devijon nga fjalët e tij të njohura dhe eksplicite për diçka të paqartë që është transmetuar prej tij dhe gjithashtu mund të ketë dhomethënie të ndryshme?
1 Kaf 50:30
2 Bukhari (8/595), Muslimi (4/2186) dhe Ahmedi (2/214).
3 Junus 10:2
4 Hakimi tha: hadithi është autentik sipas kushteve të Bukharit dhe të Muslimit.” (el-Mustadrak (2/282)) Dhehebi ka thënë. ”Transmetusit e tij janë të besueshëm.” (el-Uluvv, sid. 61) el-Az´hari ka thënë: ”Dijetarët janë të bashkuar lidhur me autenticitetin e këtij transmetimi.” (Tehdhib-ul-Lughah (10/61))