Imam Shems-ud-Din bin Kajim El-Xheuzijeh (v. 751)
Ighathat-ul-Lahfan (2/348)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nëse një person betohet se nuk do ta bëjë një gjë, dhe betimi i tij është bërë për shkak të një arsyeje të caktuar, e më pas ajo arsye pushon së ekzistuari, atëherë nuk konsiderohet se e ka thyer betimin nëse më vonë e bën atë gjë. Ky është një parim i njohur në fe dhe një rregull në medhhebin e imam Ahmedit, si dhe në medhhebet e tjera që marrin parasysh qëllimin dhe nijetin në betime, qofshin ato të përgjithshme apo të veçanta, absolute apo të kufizuara.
Për shembull nëse një burrë betohet se nuk do të flasë me një grua të huaj sepse ka frikë se mund të akuzohet ose të cenohet nderi i tij nëse flet me të, e më pas martohet me të, atëherë nuk konsiderohet se e ka thyer betimin kur flet me të pas martesës. Kjo sepse arsyeja e betimit të tij ishte se ajo ishte e huaj për të.
Një shembull tjetër është kur një burrë betohet se nuk do të flasë ose do të shoqërohet me një fëmijë pikërisht sepse ai është fëmijë. Nëse më vonë ky fëmijë rritet, dhe ai flet me të, ai nuk konsiderohet që ta ketë thyer betimin e tij.
Një shembull tjetër është që një burrë të betohet se nuk do të hyjë në një shtëpi sepse aty ndodhet një person prania e të cilit mund të ngjallë dyshime ndaj tij, ai nuk konsiderohet ta ketë thyer betimin e tij nëse hyn në këtë shtëpi pasi ai person të ketë vdekur ose të ketë udhëtuar.
Këtë e thotë edhe Ebu Hanifa dhe Ebu Jusufi. Ata kanë thënë se nëse një njeri betohet se nuk do të hyjë në shtëpinë e një personi të caktuar ose nuk do të flasë me robin e tij, e më pas ai person e shet shtëpinë dhe robin e tij, atëherë nuk konsiderohet ta ketë thyer betimin e tij nëse hyn në atë shtëpi ose flet me robin pasi ata të jenë shitur
Një shembull tjetër është kur një burrë betohet se nuk do të flasë me një person të caktuar sepse ai nuk fal namaz, merret me kamatë, prodhon pije dehëse ose është kryetar bashkie. Ai nuk konsiderohet ta ketë thyer betimin e tij nëse i flet personit në fjalë pasi ai të jetë penduar për mëkatin e tij.
Një shembull tjetër është nëse një burrë betohet se nuk do të martohet me një grua sepse për shembull, ajo është prostitutë, ai nuk konsiderohet ta ketë thyer betimin e tij nëse martohet me të pasi ajo cilësi për shkak të së cilës ishte betuar nuk pushon së ekzistuari.
E gjithë kjo varet nga marrja në konsideratë e qëllimeve të demonstruara nga deklaratat. Kur qëllimi del në shesh, është betimi që merret në konsideratë.