Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Kurani, mrekulli që sfidon kufarët

Imam Ismail Ibn Kethir ed-Dimeshkij (v. 774)
Burimi: Tefsir el-Kuran el-Adhim (1/83-84)
Mu’assasah er-Riseleh, 1421/2001
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Allahu (tabarak ue te ala) ka thënë:

“E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia zbritëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një sure të ngjashme si ai (Kurani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (të adhuruarit tuaj) përveç Allahut, nëse jeni të vërtetë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit). E nëse nuk e keni bërë (deri tani), as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për kufarët.” 1

Pasi Allahu (te ala) pohoi se askush tjetër përveç Tij nuk meriton të adhurohet, Ai filloi të pohojë faktin qe Muhammedi ﷺ është i dërguar i Allahut. Ai u tha kufarëve:

”E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia zbritëm gradualisht robit tonë…”

D.m.th., nëse jeni në dyshim në profecinë e Muhammedit ﷺ, sillni një sure të ngjashme si ajo me të cilën erdhi ai ﷺ nëse pretendoni se nuk është nga Allahu. Kundërshtojeni atë me diçka të ngjashme me atë që ai ka ardhur. Merrni ndihmë nga të gjithë dëshmitarët tuaj përveç Allahut, megjithatë, ju kurrë nuk do të jeni në gjendje ta bëni këtë.

Ibn Abasi ka thënë:  “dëshmitarët tuaj”, d.m.th ndihmësit tuaj.

Ka thënë Es Sudiju:  nga Ebi Malik: “të adhuruarit tuaj”, d.m.th kërkoni ndihmë nga të adhuruarit tuaj qe t’ju ndihmojnë në këtë gjë.

Muxhahidi ka thënë për: “thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj”, d.m.th dëshmitarët nënkuptojnë njerëz me të folur elokuente (oratori) që dëshmojnë për të.”

Allahu (te ala) i ka sfiduar ata me këtë në disa vende në Kuran. Allahu tha në suren “el-Kasas”:

”Thuaj: “Nëse është e vërtetë çka thoni, atëherë sillni një libër prej Allahut, që është edhe më udhëzues se këta të dy (Teurati e Kurani), e t’i përmbahem edhe unë atij.” 2

Allahu tha në suren el-Isra:

”Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të sillnin si ky, sado që ta ndihmonin njëri-tjetrin.” 3

Allahu tha në suren Hud:

“Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kuranin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë sure si ai (Kurani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni përveç Allahut, kë të mundeni për ndihmë po që se jeni të drejtë (në çka thoni)!” 4

Dhe tha në suren Junus:

”Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kuran është i trilluar prej dikujt përveç Allahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, përveç Allahut, po që se jeni të drejtë në atë që thoni.” (ajetet, 37-38)

Të gjitha këto ajete u shpallën gjatë periudhës mekase. Pastaj Allahu i Lartësuar i sfidoi përsëri ata me të njëjtën pyetje në periudhën medinase me këtë ajet:

”E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia zbritëm gradualisht robit tonë…”

D.m.th nëse dyshoni në atë që Ne i kemi shpallur Muhammedit ﷺ,:

 “atëherë silleni ju një sure të ngjashme si ai.”

d.m.th si Kurani. Këtë e ka thënë Muxhahidi dhe Katadeh dhe këtë mendim e ka zgjedhur Ibn Xherir et-Tabari duke u argumentuar me ajetet:

“Apo pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kuranin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë sure si ai (Kurani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni përveç Allahut, kë të mundeni për ndihmë, po që se jeni të drejtë (në çka thoni)!” Sure Hud,13

Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të sillnin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri-tjetrin.” Sure El Isra, 88

Disa kanë thënë: se pjesa: “të ngjashme si ai”, d.m.th. se ata duhet të sjellin një analfabet që mund të krahasohet me të, domethënë me Muhammedin ﷺ.

Sidoqoftë, mendimi i parë është i sakti, sepse sfida që Allahu i Lartësuar u bëri atyre është e përgjithshme duke përfshire si njerëzit analfabetë, ashtu dhe njerëzit me oratori në të folur. Allahu i Lartësuar i sfidoi ata disa herë në Meke dhe në Medine dhe me gjithë urrejtjen dhe armiqësinë e tyre të ashpër ndaj fesë së Tij, ata nuk ishin në gjendje ta bënin këtë. Prandaj Allahu (te ala) ka thënë:ْ

”E nëse nuk e keni bërë (deri tani), as që do ta bëni kurrë (edhe ,në të ardhmen).”

As që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen)”, kjo është një mrekulli tjetër, pasi është haber (lajm) për të ardhmen dhe siç po vërehet deri me sot, në kohën tonë, asgjë nuk e ka kundërshtuar  këtë Kuran dhe nuk ka për të qenë kurrë e mundur një gjë e tille.

Kurani është Fjala e Allahut, Krijuesit të çdo gjëje.

Si mund të jetë fjala e krijesës e ngjashme me atë të Krijuesit?


1 2:23-24.

2 28:49.

3 17:88.

4 11:13.

Shpërndaje: