Dr Abdul-Aziz bin Ahmed el-Humejdi
Burimi: Bara’at-ul-A’immeh el-Arba’ah min Masa’il-il-Mutakal-limin el-Mubtada’ah, fq. 52-55
Përktheu: Valdet Gashi
Libri “el-Fikh el-Ekber” përmban disa çështje që sipas mendimit tim, ndryshojnë nga metodologjia e Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit. Ajo që është trishtuese, është se ky libër që është aq i vogël në madhësi, por përbëhet nga kaq shumë gabime, gjë që të shtynë që të dyshosh edhe më shumë në vërtetësinë e tij se ai atribuohet me Imam Ebu Hanifen që është një prej imamëve të Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit.
Së dyti, ai thotë në “el-Fikh el-Ekber”:
“Ai përherë ka emrat e Tij, cilësitë qenësore dhe veprore të Tij. Cilësitë qenësore të Tij janë jeta, aftësia, dituria, të folurit, dëgjimi, shikimi dhe dëshira. Cilësitë veprore janë krijimi, furnizimi, formimi, veprimi dhe të tjera.”1
Së pari, është e njohur se Imam Ebu Hanife (rahimehullah) ka lindur në vitin 80 hixhri dhe ka vdekur në vitin 150. Ai pra i përkiste brezave të mëparshëm, ai ishte në të vërtetë një Tebiin. Nëse mendoni për thëniet e Selefëve në lidhje me cilësitë e Allahut, nuk do të gjesh asnjë gjurmë fare se ato ndaheshin në cilësi qensore dhe në cilësi veprore. Selefët i trajtuan të gjitha cilësitë njëjtë. Kjo ndarje e cilësive arriti vetëm pasi që mendimi i skolastikëve dhe filozofëve ishte shfaqur. Kjo është diçka që bind shkencëtarin e paanshëm se Ebu Hanife nuk ka të bëjë asgjë me ndarjen dhe se atij sigurisht as mendja nuk i shkoi për këtë. Kjo hedh hije më të mëdha të pasigurisë në lidhje me atribuimin e këtij libri me të (rahimehullah).
Së dyti, ti mund të shohësh se si ai përmend cilësitë qenësore që vijojnë:
“Cilësitë qenësore janë jeta, aftësia, dituria, të folurit, dëgjimi, shikimi dhe dëshira.”
Vetëm shtatë cilësi qenësore. Saktësisht të njëjtat shtatë cilësi të cilat i pohon Ibn Kul-labi e cila më vonë u pranua nga Esharitë. Unë tani do të citoj dy prej imamëve të Esharive – Ebul-Hasan el-Esh’ariun dhe el-Bakilanin – që ti të shohësh se si fjalët e tyre jo vetëm që kanë të njëjtin kuptim, por pothuajse të njëjtë formulim si në “el-Fikh el-Ekber”.
Ebu Hasan el-Esh’ari (v. 324) ka thënë:
“Ata janë të bashkuar në besimin se Allahu ka jetë me të cilën Ai gjithmonë jeton, me dije me të cilën Ai gjithmonë di, aftësinë me të cilën Ai gjithmonë është i aftë për të, fjalën me të cilin Ai gjithmonë flet, dëshirën me të cilën Ai gjithmonë dëshiron, të dëgjuarit dhe shikimin me të cilat Ai gjithmonë dëgjon dhe sheh.”2
Shikoni se si ai u mjaftua me përshkruajtjen e Allahut vetëm me shtatë cilësitë, diçka që nuk kishte ndodhur më parë. E njëjta gjë shkruan në “el-Fikh el-Ekbar” dhe ngjashmëria është e habitshme. Edhe në “el-Fikh el-Ekbar” fjalët e mëparshme janë pasuar nga:
“Ai gjithmonë ka ditur me diturinë e Tij dhe dituria e Tij është një cilësi e përjetshme. Ai gjithmonë ka qenë i pasur me aftësinë e Tij dhe aftësia është një cilësi e përjetshme. Ai gjithmonë ka folur dhe fjala është një cilësi e përjetshme.”3
Shihni se sa të ngjashme janë këto kuptime dhe formulime me njëra-tjetrën.
El-Bakilani (v. 338) ka thënë:
“Cilësitë e Tij qenësore janë ato më të cilat Ai gjithmonë është përshkruar dhe me të cilat Ai gjithmonë do të përshkruhet. Ato janë jeta, dituria, aftësia, dëgjimi, shikimi, të folurit dhe dëshira.”4
Krahasoni fjalët e el-Baklianit me atë që thuhet në “el-Fikh el-Ekber” për të parë një ngjashmëri pothuajse plotësisht të njëjtë. A mund të besojmë me të vërtetë se libri “el-Fikh el-Ekber” është shkruar nga Ebu Hanife që vdiq në vitin 150? A është e arsyeshme që këta individë që kanë jetuar pothuajse dy shekuj pas njëri-tjetrit të hasin të shkruajnë aq njëjtë me njëri-tjetrin? Apo është se Ebu Hanife themeloi themelet e skolastikës dhe i fshehi ato nga pasuesit e tij në mënyrë që Ebul-Hasan el-Esh’ari dhe el-Bakilani më vonë i zbuluan ato dhe më vonë themeluan metodologjinë e Esharive në lidhje me shtatë cilësitë?
Asnjë nga këto hipoteza nuk mund të pranohen nga një person i mençur. Prandaj është e natyrshme dhe e qartë se Ebu Hanife nuk ka të bëjë fare me librin “el-Fikh el-Ekbar”. Libri nuk është as shkrimi i tij, e as fjalët e tij. Ai është shpikur nga pasuesit e tij në mesin e Esharive dhe Maturidive dhe i është atribuuar atij në mënyrë që të përhapet dhe të thërritet në të.
1 El-Fikh el-Ekber, fq. 301
2 Risaleh ila Ehl-ith-Thaghr, fq. 121
3 El-Fikh el-Ekber, fq. 301
4 Temhid-ul-Aua’il, fq. 48