Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Mexhm-ul-Fataua (17/371-373)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Si bëhet ngushëllimi i ligjshëm? Çfarë mendoni për mbledhjen në shtëpinë e familjarëve të të vdekurit dhe pritjen e njerëzve që vijnë për ngushëllim dhe për të lexuar suren El-Fatiha?
Ngushëllimet janë të ligjshme në çdo fatkeqësi. Ngushëllimi i bëhet atij që është goditur nga fatkeqësia, jo vetëm të afërmve të tij. Disa njerëz përjetojnë dhimbje më të madhe kur u vdesin miqtë sesa kur u vdesin të afërmit, ndërsa disa të tjerë nuk preken fare nga vdekja e të afërmve. Pra ngushëllimi është për të goditurin nga fatkeqësia. Qëllimi është që ata të nxiten në durim.
Ngushëllimi më i mirë është ai që profeti ﷺ i tha të dërguarit që t’ia përcillte vajzës së tij:
“Vërtet, e Allahut është ajo që Ai merr dhe Atij i takon ajo që Ai jep, dhe çdo gjë tek Ai është me një afat të caktuar, andaj le të bëjë durim dhe të shpresojë shpërblimin e Allahut!”1
Transmeton Ebu Daudi (3127).
Mbledhjet në shtëpi me qëllim ngushëllimi janë bidat. Nëse shoqërohen edhe me gatim, ato konsiderohen vajtim. Shumë studentë e dinë se vajtimi është mëkat i madh. Profeti ﷺ ka mallkuar gruan që vajton dhe gruan që e dëgjon atë (gruaja që qëndron me të, e dëgjon, e miraton ose e nxit vajtimin).
Ebu Malik El-Eshari -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:
“Gruaja që vajton dhe nuk pendohet para vdekjes së saj, do të ringjallet ditën e kiametit e veshur me rroba prej katrani dhe me një petk prej zgjebeje.”
Transmeton Muslimi (934).
Pra nxënësit e dijes duhet t’ia sqarojnë popullit se kjo vepër është e palejueshme dhe është mëkat e jo vepër e mirë. Ata duhet t’ua shpjegojnë se brezat e mëvonshëm duhet të pasojnë brezat e parë. A u ul në shtëpi (apo diku) profeti ﷺ për të pritur ngushëllime kur i vdiqën fëmijët e tij? Apo kur i vdiqën gratë e tij, Hatixha dhe Zejneb bint Huzejme -radijAllahu anhuma-? A e bënë këtë Ebu Bekri, Umer ibn El-Khatabi, Uthman Ibn Afani, Ali Ibn Ebi Talibi apo ndonjë nga sahabët e tjerë -radijAllahu anhum-? Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Udhëzimi i Muhamedit ﷺ është pa dyshim udhëzimi më i mirë.
Zakonet e trashëguara nga prindërit dhe që janë përhapur duhet të maten me Kuranin, sunnetin dhe me veprat e selefëve -radijAllahu anhum-. Ajo që përputhet me to pranohet sepse është sunnet. Ajo që nuk përputhet duhet refuzuar. Nxënësit e dijes nuk duhet të lëkunden përballë zakoneve duke thënë sesi do t’i kundërshtojnë prindërit apo vëllezërit e motrat për diçka që është normalizuar. Me këtë mënyrë të menduarit nuk do të rregullojmë asgjë.
Sa i përket leximit të sures El-Fatiha, edhe ky veprim është bidat. Pyetja përmban disa bidate. I dërguari ﷺ nuk e ngushëlloi askënd me suren El-Fatiha apo me ndonjë pjesë tjetër të Kuranit. Megjithatë, është e saktë të lexohet surja El-Fatiha për të sëmurin që të shërohet me lejen e Allahut.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Si e dini se bëhet rukje me këtë sure?”
Transmeton Bukhari (2276) dhe Muslimi (2201).
Por i vdekuri është i vdekur, ai as nuk do të shërohet dhe as nuk do të ringjallet para ditës së kiametit. Të gjitha këto çështje nxënësit e dijes duhet t’i zhdukin nga shoqëritë e tyre dhe t’i kthejnë njerëzit te praktika e selefëve.
Nëse dikush pyet se kur bëhet ngushëllimi?
Së pari themi, ngushëllimi është i rekomanduar e jo obligim.
Së dyti, ne e ngushëllojmë personin për të cilin e dimë se është goditur nga fatkeqësia. E këshillojmë në mënyrë që të qetësohet.
Së treti, ngushëllimi i ligjshëm nuk bëhet përmes mbledhjeve në shtëpi. Ne i ngushëllojmë të goditurit nga fatkeqësia kudo që t’i takojmë: në xhami, në dyqan apo diku tjetër.
1 Hadithi i plotë:
Usame ibn Zejd ibn Harithe -radijAllahu anhu- tregon se njëra prej vajzave të profetit ﷺ i çoi fjalë atij: “Djali im po vdes prandaj eja sa më shpejt!”
Ai ﷺ i dërgoi selam dhe e porositi me këto fjalë:
“Vërtet, e Allahut është ajo që Ai merr dhe Atij i takon ajo që Ai jep, dhe çdo gjë tek Ai është me një afat të caktuar, andaj le të bëjë durim dhe të shpresojë shpërblimin e Allahut!”
Vajza e profetit ﷺ e dërgoi përsëri dhe i betohet që të vijë. Profeti ﷺ u ngrit në këmbë, e me të ishin: Sa’d ibn Ubadeh, Muadh ibn Xhebeli, Ubej ibn Ka’bi, Zejd ibn Thabiti dhe disa burra të tjerë. Kur profeti ﷺ erdhi te vajza e tij, e mori djaloshin në prehrin e vet, djaloshi po merrte frymë i shqetësuar dhe trupi i dridhej, profetit ﷺ filluan t’i rridhnin lotët rrëke.
Sa’di i tha: “Ç’është kjo, o i dërguari i Allahut?”
Ai ﷺ tha: “Kjo është mëshirë të cilën Allahu e vendos në zemrat e robërve të Tij.”
Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Kjo është mëshirë të cilën Allahu e vendos në zemrat e robërve të Tij të cilëve dëshiron, dhe padyshim që Allahu mëshiron nga robërit e Tij, ata që janë të mëshirshëm ndaj të tjerëve.”
Transmeton Bukhari dhe Muslimi.