Alameh Muhammed bin Abdilah es-Subejjil
Burimi: “Rasail fil-‘Akidati ued-Da’ueh”, fq. 190-191
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Cili është gjykimi mbi festimin e datëlindjes së profetit ﷺ? Gjithashtu, cili është gjykimi që njeriu të festojë ditëlindjen e vet çdo vit?
Përgjigje: Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
“Çfarëdo që t’ju japë i dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” El-Hashr, 59:7
El-‘Irbad bin Sarijeh (radijAllahu anhu) ka rrëfyer se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ju porosis që të pasoni Sunnetin tim dhe Sunnetin e halifëve të drejtë pas meje. Kapuni fort për ta dhe shtrëngojini me dhëmbë. Ndërsa, ruajuni prej shpikjeve në fe, sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje (devijim).”
Aishah (radijAllahu anha) ka transmetuar se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kushdo që shpik diçka në këtë çështjen (fenë) tonë që s’është prej saj, ajo do t’i refuzohet.”
As profeti ﷺ, as sahabët apo dikush prej Selefëve nuk e festuan asnjëherë ditëlindjen e profetit ﷺ. Prandaj, kjo vepër është risi e futur në fe. Po të kishte qenë kjo vepër Sunnet dhe vepër e mirë, do ta kishin praktikuar këtë veprim para nesh sahabët dhe tabiinët të cilët ishin edhe më të mirë se ne.
Gjithashtu, nuk është e lejuar që njerëzit të festojnë ditëlindjet e tyre. Veprimi i tillë është risi. Është transmetuar në mënyrë autentike hadithi i profetit ﷺ:
“Kushdo që shpik diçka në këtë çështjen (fenë) tonë që s’është prej saj, ajo do t’i refuzohet.”
Po ashtu, kjo është një përngjasim me jobesimtarët.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush i përngjason një populli, ai është prej tyre.”