Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Muaji i faljes

Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)

Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 250-253

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Gjatë Ramazanit Allahu është miqësorë ndaj umetit të Muhammedit ﷺ.

Atëherë shejtanët dhe xhinët prangosen në mënyrë që ata nuk mund ta tërheqin njeriun tek mëkatet ashtu siç bëjnë zakonisht. Si rezultat pakësohen mëkatet në mesin e njerëzve gjatë Ramazanit. Bukhari dhe Muslimi transmetojnë se Ebu Hurejra ka thënë, se profeti ka thënë:

“Kur fillon Ramazani hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe shejtanët prangosen me zinxhirë.”

Tirmidhi dhe Ibn Maxhe transmetojnë se Ebu Hurejra ka thënë se profeti ka thënë:

“Natën e parë të Ramazanit prangosen shejtanët dhe xhinët, dyert e xhehenemit mbyllen saqë asnjë nuk do të hapet, kurse do të hapen dyert e xhenetit dhe nuk do të mbyllet asnjë prej tyre. Dhe një thirrës thërret: O kërkues i së mirës shpejto! O kërkues i së keqes ndalohu! Dhe çdo natë Allahu liron robër nga zjarri i xhehenemit.” 

Gjatë natës së Kadrit, shpërndahen engjëjt mbi tokë dhe fuqia e shejtanëve pakësohet.

Allahu (te ala) ka thënë:

“Gjatë saj zbresin melekët dhe shpirti (Xhibrili) me lejen e Allahut me të gjitha vendimet.Paqë! (gjithë atë natë) është paqë (dhe mirësi nga Allahu për robët adhurues të Tij) deri me shfaqjen e agimit.” 97:4-5

Në Musnedin e imam Ahmedit transmetohet se Ebu Hurejra tregon se profeti ka thënë:

“Atë natë engjëjt janë më shumë në tokë se sa guralecët.”

Ibn Hibani në Sahihun e tij transmeton nga Xhabiri i cili thotë se profeti ka thënë:

“Gjatë natës së Kadrit, shejtani nuk shfaqet deri në agim.”

Muxhahidi ka thënë për ajetin:

Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” 97:5

“Ose nuk ka asnjë sëmundje apo  nuk mundet të veprojë gjatë asaj kohe.”

Është transmetuar gjithashtu se ai ka thënë:

“Atë natë shejtani nuk mund të bëjë asnjë të keqe ose të bëjë ndonjë dëm.”

O Njeri! Sikur ta dije se sa i vlefshëm je, kurrë nuk do ta kishe poshtëruar veten me mëkate. Ti je një krijesë e zgjedhur dhe do të fitosh xhenetin nëse je i devotshëm.

Xheneti është vendbanim i botës tjetër, ndërsa kjo botë është jeta në të cilën jetohet për një kohë të shkurtër. Si mund të jesh i lumtur duke ia kthyer shpinën shtëpisë tënde të përhershme duke qenë në ushtrinë e Iblisit e ta pasosh atë dhe pastaj të jesh me të dhe me pasuesit e tij në zjarr? Për hir tëndin, ai u dëbua nga mëshira e Zotit kur ai nuk pranoi t’i binte në sexhde babait tuaj (Ademit). Qëllimi është që ti duhet të jesh i afërt me Allahun dhe t’i takosh të parëve të shpëtuar dhe grupit të Tij (grupit të shpëtuar).

Por ti ke armiqësi ndaj Allahut dhe ke afërsi me armikun e Tij:

“Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj? Sa këmbim i shëmtuar është ai i zullumqarëve!” 18:50

O Muslimanë! Gëzohuni! Tetë dyert e xhennetit janë të hapura për ju. Aroma e saj ka zënë vend në zemrat tuaja. Dyert e xhehenemit janë mbyllur për hir tuaj. Iblisi dhe pasardhësit e tij janë prangosur për hir tuaj.

Robër të Allahut! Gjysma e Ramazanit ka shkuar. Cili prej jush ka gjykuar veten e tij dhe ka qenë i drejtë në këtë gjykim? Kush prej jush ka kryer namazin gjatë natës në mënyrën e duhur? Cili prej jush ka vendosur për të ndërtuar dhoma që janë të vendosura njëra mbi tjetrën? Gjysma e muajit ka filluar me mangësi – prandaj kompensoje atë me vepra. Çdo muaj zëvendësohet nga një tjetër muaj. Por çfarë e zëvendëson Ramazanin?

Shpërndaje: